Media kroate “Veçernji list”, ka shkruar sot për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria. Sipas artikullit të botuar ky vendim i Damaskut zyrtar është një “dush i ftohtë” për presidentin e Serbisë, për shkak të raporteve të mira ekonomike e politike në mes të Sirisë dhe Serbisë.

“Për Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë viteve të fundit ka këmbëngulur në ruajtjen e marrëdhënieve “vëllazërore” me Damaskun, ky hap vjen si një dush i ftohtë. Vendimi i qeverisë siriane për të njohur pavarësinë e Kosovës përfaqëson një nga goditjet më të rënda në politikën e jashtme për Aleksandër Vuçiçin në vitet e fundit.

Veçanërisht befasuese është që Siria, nën udhëheqjen e presidentit Bashar al-Assad, për vite me radhë kishte refuzuar ta njihte Kosovën, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të ngushta me Moskën dhe ndikimit të presidentit rus Vladimir Putin”, shkruan më tej Veçernji list.

Sipas medias kroate, Serbia, e cila nuk ka vendosur sanksione ndaj Sirisë pavarësisht kërkesave të Perëndimit, ka mbajtur marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike me Damaskun.

“Së bashku me Rusinë dhe Iranin, Siria ishte ndër vendet e rralla që mbështeste fuqishëm integritetin territorial të Serbisë. Pikërisht për këtë arsye, njohja e sotme e Kosovës nga Damasku shihet në Beograd si tradhti dhe një goditje serioze për politikën e jashtme serbe” thuhet më tej.

Njohja e Kosovës nga Siria është formalizuar gjatë një takimi në Riad, ku morën pjesë princi saudit Mohammed bin Salman, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, e njohën atë.