Situata humanitare në Siri është emergjenca më e madhe humanitare e epokës tonë, pasi gjysma e sirianëve rezultojnë të jenë refugjatë. Kështu raporton agjencia e refugjatëve e OKB-së. Sipas të dhënave 3 milion njerëz figurojnë të larguar nga shtëpitë e tyre përtej kufirit.

Madje sipas OKB-së, largimi jashtë Sirisë po bëhet gjithnjë e më i ashpër pasi bota po dështon në plotësimin e nevojave të refugjatëve për strehim.

“Përgjigja ndaj krizës siriane ka qenë bujare, por e vërteta e hidhur është se ajo është shumë larg asaj çka është e nevojshme”, raporton një komisioner i lartë i OKB-së. Pjesa më e madhe e refugjatëve kanë ikur në vendet fqinje. Mbi 1 milion sirianë kanë ikur në vendin fqinj, në Liban.

Ndërsa më shumë se 190 mijë persona janë vrarë në luftën civile 3-vjeçare siriane. Situata është përkeqësuar së fundmi me formimin dhe përparimin e grupit të shtetit islamik i cili kontrollon territore të shumta në Siri dhe Irak.

Një ditë më parë, presidenti francez François Hollande shprehu keqardhjen e tij duke thënë se Perëndimi ka dështuar në gjetjen e një zgjidhje për situatën në Siri duke thënë se pasojat ishin të qarta për të gjithë.