Sa më problematikë të jeni në rrugë aq më shumë do të paguani për sigurimin e makinës. Sipas të dhënave janë gati 750 mijë kontrata sigurimit të autoveturave, ku 96% sipas informacioneve do trajtohen me bonus dhe 4% me malus. Por ekspertët gjykojnë se ky sistem ka më shumë ndëshkim sesa shpërblim, pra nuk po i motivon drejtuesit e rregullt.
“Është më shumë malus për një arsye të thjeshtë e ka edhe bota sepse dëmi që ti shkakton është shumë i madh. Nuk mund të jetë thjesht dëm material dëmtimi i makinës tënde apo makinës së dikujt tjetër sepse ke dhe pjesën e siguracionit, por ama kur bëhet fjalë për të rrezikuar jetën. Por duhet ta ta shohim tani edhe mënyrën që ti të përfitosh diçka më shumë sesa 3 apo 4% që do përfitosh sot. Pra sa i bie praktikisht 5 mijë ose 6 mijë lekë të vjetra merr sot bonus”, thotë eksperti i ekonomisë fatos Çoçoli.
Eksperti i tregut të sigurimeve Artur Ribaj thotë se primi i sigurimit mund të rritet deri në 40% për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme, por nga ana tjetër ulet maksimumi deri në 5%. Sipas tij qëllimi i rregullores së 2024-ës të AMF-së ishte për të motivuar sjelljen e mirë, por që nuk po rezulton e tillë.
“Kjo ka qenë qasja të krijonte pikërisht një motivim për shoferët e mirë, por dhe demotivim për ata të cilët ndëshkohen përmes qenies jo të mirë. Pra për të kaluar në një sjellje të mirë. Por duket sikur kjo rregullore është më shumë ndëshkuese sesa motivuese. Në qoftë se në bonus ti merr një 4% zbritje, dhe në malus ti shkon pesë fish më tepër. Shkon në 20% nëse ti ke një dëm dhe mund të shkojë dhe 40% nëse ti ke dy me më shumë dëme”, thotë Ribaj.
Lajmi kryesor:
Sistemi bonus-malus/ Shtrenjtohet sigurimi i mjeteve për shoferët me aksidente, ekspertët: Siguracioni deri 40% më i shtrenjtë! Skema të rishikohet









