Protestat e ditëve të fundit po godasin ekonominë dhe rrezikojnë të dëmtojnë turizmin, ndërsa vetëm në 3-4 ditë dëmi ka kaluar gjysmë miliard euro, sipas ekspertit të ekonomisë Fatos Çoçoli. I ftuar në emisionin “Sot Live” në Report TV, së bashku me ekspertin e turizmit Ferjolt Ozuni, ai foli për pasojat që po sjellin përplasjet dhe bllokimet në jetën e përditshme.

Sipas tij pamjet e sulmeve nw protesta kanw bwrw xhiron e botws duke i shkaktuar dwm tw pashoq turizmit. 

“Më mirë sytë sesa nami dhe tani po na del nami i keq. Jemi shumë të dëmtuar. I bëj thirrje të gjithë atyre që e duan Shqipërinë tonë të heqin dorë nga dhuna. Ajo të defaktorizon. Nëse do të shprehësh idealin tënd, bëje pa dhunë. Ekonomia e përditshme po humbet shumë. Transporti është ulur me të paktën 30-40%. E vuan gjysma e Tiranës këtë situatë. Në shumë damarë qyteti është i bllokuar. Në këto 3-4 ditë dëmi nga protestat është mbi gjysmë miliard euro”, tha Çoçoli.

Sipas tij, pamjet e zjarreve dhe dëmtimit të pronës publike e bizneseve private ndikojnë edhe te vendimi i turistëve për të vizituar Shqipërinë.

“Turisti nuk vjen nëse sheh zjarre, dhunë ndaj pasurisë publike e bizneseve private. Ky frenim i ekonomisë është shumë i kushtueshëm për ne”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, eksperti i turizmit Ferjolt Ozuni paralajmëroi se ky mund të jetë viti i parë i ngecjes së turizmit si pasojë e situatës së krijuar nga protestat. Ai tha se nwse protestat nuk mbyllen nw fundjavw rezervimet do anullohen. Ai theksoi se imazhi qw ka ngritur vendi ka pwsuar njw goditje dhe do tw dojw kohw pwr rikuperim

“Sot ndoshta do të jetë viti i parë që do të kemi stagnacion në turizëm, që vjen si rezultat i këtyre situatave. Unë pres që të gjitha kompanitë ajrore dhe agjencitë turistike të fillojnë e të kërkojnë anulimin e fluturimeve dhe kthimin mbrapsht”, tha Ozuni.

Ai theksoi se rikuperimi i imazhit të Shqipërisë nuk mund të bëhet brenda një kohe të shkurtër, duke kujtuar se vendi sapo kishte arritur të zhvillonte industrinë turistike.

“Është e vështirë që në një afat kaq të shkurtër të sistemosh imazhin e Shqipërisë. Imazhi i vendit nis nga Tirana. A do ta merrnit ju rrugën për në Shqipëri dhe të rrezikonit në një situatë të kësaj natyre? Ne pak e kemi imazhin të shkatërruar nga këto 36 vite, ku na janë faturuar shumë gjëra. Ne sapo vumë në vijë industrinë turistike dhe i jemi kthyer një situate si ajo e ’97-ës”, u shpreh Ozuni.

Të dy ekspertët ngritën shqetësimin se vijimi i dhunës dhe bllokimeve mund të sjellë pasoja të tjera për aktivitetin ekonomik dhe turizmin, ndërsa Çoçoli u bëri thirrje protestuesve që kërkesat e tyre t’i shprehin pa dhunë.