Gjiknuri theksoi se, përsa u përket burimeve, ky sektor nuk mund të mbështetet vetëm te ato hidrike.
“Ju jeni pjesë e rëndësishme e sistemit dhe do bëheni pjesë e problemeve që ka sistemi energjetik. Problemi i likuiditetit të prodhimeve tuaja do të jetë i vazhdueshëm. Parësore është reforma në sektorin e energjisë. Pak më parë shtyjmë ligjin për energjinë e rinovueshme, qëllimi ishte të fitojmë kohë në mënyrë që të dialogojmë. Duhet të rishikohen HEC-et private. Ka probleme financiare në sektorin energjetik. Do miratojmë shumë shpejt ligjin e ri për energjinë që synon të liberalizojë tregun e energjisë. Qeveria e kaluar filloi një politikë të paplanifikuar. Jemi koshientë që situata është e tillë. Shqipëria duhet të mendojë për diversifikimin e sektorit të energjisë. Qëndrueshmëria e sektorit energjetik do varet nga diversifikimi i burimeve. Reformat duhet të ndërmerren këtë vit në të kundërt sektori energjetik do të ndodhet në situatë shumë të keqe. E rëndësishme është që Shqipëria të interkonjektohet”, u shpreh Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri ndërkaq tha se problematikave në këtë sistem duhet t’i jepet zgjidhje, ndërsa u shpreh se ligji për energjinë e rinovueshme u shty për të fituar kohë për të gjetur zgjidhje për investimet në këtë sektor.
“Shteti është partner me vetë prodhuesit. Duhet të bëheni pjesë dhe zgjidhje e sistemit të energjisë. Nuk mund të bëhet zgjidhja në mënyrë të njëanshme. Pjesa private ka kohë që nuk ka marrë para, shkak ndërtimi i tregut, që nga prodhimi deri tek konsumatori. Ky model ka falimentuar. Likuiditeti do të jetë një problem i vazhdueshëm. Qeveria po përballet me një problem serioz. Ligji për energjinë e rinovueshme, u shty për të fituar kohë për të gjetur zgjidhje për investimet në këtë sektor. Modeli në Shqipëri për HEC private duhet riparë. Do të marrim shembull modelet më të mira. Zgjidhjet e qëndrueshme janë ato që kanë një ekonomi prapa tyre. Gjëja e parë, këtë vit, ne së bashku me ndërkombëtarët, do miratojmë ligjin e ri të energjisë, për të ndryshuar modelin. Sepse e krijuar për KESH, shumë e rëndë, politika e mëparshme nuk kishte planifikim. Duke qenë se nuk është reflektuar shtohet një deficit”, tha ministri Gjiknuri.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, kërkoi vëmendje më të madhe nga ana e qeverisë, sidomos për normat rregullatore që duhet të përshtaten me ato të BE-së.
“Italia e sheh me interes të veçantë sektorin e energjisë në Shqipëri, si një sektor të rëndësishëm. Por ky sektor duhet të monitorohet. Duhet krijuar një marrëdhënie korrekte me investitorët dhe duhen riparuar problemet aktuale. Duhet vlerësuar edhe produktiviteti dhe faturimi. Faturimi është problemi i parë që duhet zgjidhur për të krijuar një ekuilibër. Duhet të sigurohet një plan për investitorët, pasi investimet tona duhet që të rikuperohen pas një kohe. Rëndësi i duhet kushtuar edhe normave rregullatore, të cilat duhet të jenë të adaptuara me rregullat në Europë", tha ambasadori Gaiani.
Gjatë forumit të organizuar nga Dhoma Italiane e Tregtisë dhe Kёshilli Ekonomik Kombёtar, me mbështetjen e Bankёs Evropiane pёr Rindёrtim dhe Zhvillim (BERZH), investitorët italianë shfaqën interes për sektorin e energjisë në Shqipëri.
Nё kёtё forum u diskutua nё lidhje me problematikat e sektorit, perspektivën e tregut tё energjisë elektrike dhe format e bashkëpunimit me investitorët privatё.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe Kryetari i Dhomёs Italiane tё Tregtisё, Maurizio Zannier; Drejtori i BERZH-it pёr Tiranёn, Fabio Serri; Kryetari i Entit Rregullator tё Energjisё, Petrit Ahmeti, Administratori i KESH-it, Agron Hetoja, etj.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)