Sipas ish nënkryetarit të Bashkisë të Tiranës (në kohën kur drejtohej nga Edi Rama) Shalsi, shkruan në letër, se “gjithçka ju kërkoni të blini ekziston në sistemin që e keni tashmë në Bashki, çka e bën krejtësisht të pajustifikueshëm vendimin për shpalljen e tenderit”
Është paradoksale- vazhdon më tej Shalsi- që ndërsa pak javë më parë keni shpallur përfundimin e hartimit të Planit Rregullues të Tiranës (për të cilin asgjë nuk është publikuar ende), tashmë njoftoni për blerje sistemi në funksion të Planit”, ndërsa shpjegon se “hartimi i një plani rregullues, pararendet nga ngritja e sistemit GIS dhe jo e anasjellta, siç kërkoni ta bëni dhe po e bëni ju”.
Në lidhje me kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në tenderin e sistemit GIS, deputeti Shalsi thotë se “ato kanë qenë të paqarta me çfarë kërkohet dhe e kanë konsideruar të pamjaftueshëm afatin 30-ditor”, ndërsa shton se “një kompanie shqiptare, që ka kërkuar sqarime paraprake konform ligjit, nuk i keni kthyer asnjë përgjigje”.
Sipas deputetit të PS, “tenderi është konceptuar si blerje malli”, pasi në asnjë kërkesë të specifikimeve teknike nuk kërkohet që të bëhet përditësimi i të dhënave por thjesht që të dhënat ekzistuese të importohen në softin e ri nëpërmjet programit GIS “operance”, çka sipas tij do të thotë se “kompania është paracaktuar dhe të dhënat ose janë vënë në dispozicion më parë se të shpallet tenderi, ose disponohen nga kompania për shkak të punëve të mëparshme të saj me institucione të ndryshme shtetërore”.
Ai i cilësoi argumentet e parashtruara në njoftimin për shtyp disa ditë më parë, “të pasakta dhe disinformuese”, pasi sipas tij “zona e mbulimit nuk ishte aspak ajo që deklaroi zëvendëskryetarja”, ndërsa në lidhje me kontratën 200.000 euro me GTZ-në për sistemin GIS tha se ajo gjendet “vetëm në imagjinatën e deklarueses, pasi nuk ka asnjë kontratë që të përmbajë një vlerë të tillë për këtë qëllim”.
Së fundmi, Shalsi në letrën e tij, i kërkon kryebashkiakut Basha, për dijeni kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj e ministrit të Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit, Genc Pollo që “të rishqyrtoni edhe një herë specifikimet teknike të tenderit, në mënyrë që të arrihet në një produkt, i cili të plotësojë sa më mirë nevojat e kohës, gjithmonë duke marrë në konsideratë mundin dhe paratë e shpenzuara në të kaluarën”.
(gm/shqiptarja.com)