TIRANE - Kryeministri Berisha tha sot se reforma e inspektoriateve është “në fazën e kurorëzimit ligjor të saj”, deklaratë e cila erdhi gjatë mbledhje së Task-Forcës për këtë kauzë.

Sipas Kryeministrit, “ajo hap një kapitull të ri në përpjekjet e maxhorancës për një klimë sa më miqësore dhe të favorshme kundrejt biznesit dhe mbi të gjitha për një konkurueshmëri të lirë dhe të hapur”.

Kryeministri bëri me dije se reforma kompletohet me ndryshimin ligjor të të gjithë ligjeve ekzistuese për inspektoratet, me miratimin e 7 projektvendimeve të Këshillit të Ministrave, të cilat ndjekin miratimin e ndryshimeve ligjore dhe më pas miratimin në parlament të ligjit.

Kjo reformë, vijoi Kryeministri,- redukton ndjeshëm numrin e inspektoriateve ekzistuese dhe duke lenë vetëm 1/3 e numrit të tyre. Gjithashtu, mbi bazën e akteve ligjore e nënligjore, si dhe të sistemit të ri do të shkurtohet procedura e inspektimit nga 45 ditë që është aktualisht në 12 ditë, duke lehtësuar barrën burokratike mbi biznesin.

Kryeministri tha se sistemi i ri i inspektimit do të vendosë një barrierë të fuqishme ndaj abuzimeve dhe korrupsionit, duke rritur transparencën, nëpërmjet ndjekjes në kohë reale të gjurmës së inspektorit, në vendin e inspektimit.

“Gjurma e menjëhershme e inspektorit në vendin e inspektimit, do të transmetohet në kohë reale në zyrat e Inspektorit përgjegjës dhe të Kryeinspektorit të shtetit, çka përbën formën me transparente dhe natyrisht parandalon vizitat e tepërta, kafet shoqërore dhe në mënyrë absolute dhe ryshfetet.”, shpjegoi kryeministri.

(Gre.M/Shqiptarja.com)