Politikanët shqiptarë që kanë humbur zgjedhjet kanë filluar t’ia hedhin fajin për fitoren socialiste edhe sistemit zgjedhor që përdoret për llogaritjen e mandateve, duke bërë sikur nuk e dinë se ky sistem është përdorur në Shqipëri që nga zgjedhjet e vitit 2009, të fituara nga Partia Demokratike bashkë me LSI-në e Ilir Metës. Sistemi u fut në fuqi me votat e të gjithë parlamentit. Por atëherë ishte në rregull — sot jo më.

Sistemi i llogaritjes quhet metoda D’Hondt, funksionon mbi bazë proporcionale dhe ka tendencën të favorizojë partinë që merr më shumë vota brenda një qarku elektoral, në mënyrë që të garantojë një shumicë të qëndrueshme. Meqë PS doli forca më e votuar në 9 nga 12 qarqe, kjo shpjegon pse me një përqindje votash rreth 53%, ajo ka marrë 83 mandate — pra shumë më tepër se 53% e votave. Nëse këtë përqindje do ta kishte marrë PD-ja, do t’i takonin Berishës 83 mandate. Siç ndodhi, për shembull, në Lezhë, ku me vetëm 73 vota më shumë, Partia Demokratike fitoi një mandat më tepër se PS-ja.

Metoda D’Hondt natyrisht nuk përdoret vetëm në Shqipëri. Aktualisht, 16 vende të Bashkimit Europian e përdorin këtë metodë për zgjedhjet europiane, përfshirë Spanjën, Portugalinë, Poloninë, Kroacinë, Hungarinë, Belgjikën, Republikën Çeke, Holandën, Finlandën, Austrinë dhe Slloveninë. E njëjta metodë përdoret gjithashtu në Serbi dhe Mal të Zi. Jashtë Europës, metoda D’Hondt aplikohet, ndër të tjera, në Israel, Japoni, Argjentinë dhe Indonezi.

Brenda vetë Parlamentit Europian, kjo metodë përdoret shpesh për ndarjen e funksioneve institucionale, si kryesitë dhe nënkryesitë e komisioneve parlamentare, midis grupeve politike, me qëllim që të pasqyrohet në mënyrë proporcionale forca e tyre relative.

Metoda D’Hondt është shpikur nga juristi dhe matematikani belg Victor D’Hondt (1841–1901).

Ai e konceptoi atë në vitin 1878 si një sistem për shpërndarjen proporcionale të mandateve në parlamente, në bazë të votave të marra nga secili parti. Është një nga metodat më të përhapura në botë për ndarjen e mandateve në sistemet zgjedhore proporcionale.