Lumi Vjosë është rikthyer në shtratin e tij ditën e sotme ku niveli ka rënë ndjeshëm dhe ujërat janë tërhequr nga sipërfaqet e tokave. Forcat e armatosura, qendra lëvizëse e AKMC, dhe efektivët e AKMC, u zhvendosën që nga mbrëmja e djeshme drejt Mbrostarit në Fier për problematikat e mundshme te lumit Seman. Për të parë situatën nga afër në këtë zonë, ishte i pranishëm dhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu i shoqëruar nga kreu i emergjencave civile Haki Çako.
Ditën e sotme edhe lumin Seman ashtu si Vjosa dhe Shkumbini ka filluar të ulet, por ende paraqitet me dalje nga shtrati brenda argjinaturës. Edhe pse Qarku Fier, nuk ishte parashikuar ndër qarqet e rrezikuara nga vala e përkeqësimit të motit që përfshiu mbarë vendin, problematikat nuk munguan. Lumenjtë Seman dhe Vjosë kishin vite që nuk kishin dalë nga shtrati duke gjetur të papërgatitur banorët, por fatmirësisht nuk pati përmbytje banesash dhe evakuime, përveç një familjeje në Çerven. Gjithashtu nuk u cenua infrastruktura kritike e argjinaturave.
Rënia e nivelit të prurjeve në lumin Vjosë, ka rikthyer në funksionim puset e ujit të pijshëm në Kafaraj, pas disa ditë stakimi. Situata e krijuar nga prurjet e shtuara për shkak të reshjeve intensive detyruan shoqërinë rajonale të ujësjellës- kanalizimeve Fier, të stakojnë puset e ujit për të shmangur dëmtimet e mundshme të tyre dhe turbullimin e ujit të pijshëm. Qytetarët fierakë dhe zonat që mbulon ky stacion u përballën disa ditë me problematikën shqetësuese të mosfurnizimit me ujë, por ditën e sotme situata do të rikthehet në normalitet.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Situata drejt normalizimit, ulet niveli i lumenjve, reshje bore nga veriu në jug! Masive shkëmbore bllokojnë aksin Qukës-Qafë Plloçë











