1767996083_hidrovoretdurres.jpg

Situata nga përmbytjet në territorin e qarkut Durrës po shkon drejt përmirësimit. Grupet e punës kanë vazhduar evidentimin dhe plotësimin e akte-konstatimeve në banesat e përmbytura.

Aktualisht, 340 banorë janë strehuar në Kavalishencën e Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Brendshme dhe në hotele, ndërsa rreth 200 persona janë rikthyer në banesat e tyre. Sa i përket situatës hidrike, lumi Erzen ka vijuar rënien e nivelit të ujit dhe po monitorohet, ndërsa lumi Ishëm paraqitet në kuota normale.

Në Krujë, grupet e konstatimit kanë evidentuar 18 banesa të dëmtuara në zonat Dukagjin, Borizanë, Sukë, Vendas dhe Derven, ku në disa raste janë konstatuar vetëm dëme në bazën ushqimore për blegtorinë. Një grup tjetër ka inspektuar 30 banesa në fshatin Miliskaje, nga të cilat 7 kanë pësuar dëmtime. Sipas të dhënave, rreth 250 hektarë tokë janë mbuluar nga uji. Në Njësinë Administrative Cudhi vijon pastrimi i rrugës Nojë–Qafështamë me fadromë dhe hedhja e kripës, ndërsa autoritetet konfirmojnë se niveli i ujit është në rënie dhe lumenjtë Gjolë dhe Zezë kanë arritur kuota normale.

Ndërkohë, në Shijak, janë plotësuar 43 akte-konstatime në banesa, ndërsa sipërfaqja e tokës bujqësore të përmbytur arrin rreth 600 hektarë. Strukturat bashkiake vijojnë ndjekjen e situatës në zonat më problematike, kryesisht në lagjen Erzen dhe Njësinë Administrative Xhafzotaj. Edhe këtu, lumi Erzen shënon rënie të vazhdueshme të nivelit të ujit dhe mbetet nën monitorim.


Lajmi kryesor:

Çahet argjinatura e Semanit, 3500 hektarë tokë e mbi 20 banesa nën ujë! Pamjet me dron nga përmbytjet në Fier! Përmirësohet situata në Durrës, vijon verifikimi i dëmeve