Mesnata e së hënës ishte sfiduese për banoret e fshatit Hasturkas, në njësinë administrative Libofshë te Fierit.
Prurjet e shumta të Semanit dhe çarja e argjinaturës shkaktuan përmbytje massive.
“Nuk mirëmbahen argjinaturat, kanë disa vite pa asnjë riparim”, thonë ata.
Mëngjesin e sotëm nisën menjëherë evakuimet pasi niveli i ujit në fshat shkoi deri në 1 metër. Banorët largohen me lot në sy, pasi nën ujë kanë lënë mundin e një jete.
Po kështu shprehin merakun për familjaret qe ndodhen tek stanet.
“Kam stallën me bagëti me 200 kokë dele. Nuk i nxorëm dot, na erdhi uji me forcë. Kam djalin e burrin atje”, thotw njw banor.
Uji ka hyrë në 20 banesa, ka përmbytur 3500 hektarë tokë dhe disa stalla blegtorale.
“Është hera e parë që të ketë përmbytje në këtë zonë. Gjithë natën kam qëndruar me frike”, thotë një banor.
I gjithë procesi i evakuimit u krye me sukses nga forcat e armatosura dhe grupet e emergjencave, të cilët arritën e nxjerrin nga uji jo vetëm barinjtë por dhe 200 krerë dele e qengja.
Megjithatë operacioni u shoqërua me kundërshti, pasi dy barinj nuk pranuan te largohen nga zona e përmbytur dhe po qëndrojnë ende në fshat.
Autoritetet shtetërore thane se lumi Seman doli nga shtrati për shkak te shkarkimeve nga kaskada e Devollit. Për shkak te situatës, kompania kanadeze ka ulur shkarkimet ne hidrocentrale por përmirësimi në Hasturkas të Fierit pritet të shihet pas 2 apo 3 ditësh.

Pas motit të keq që përfshiu Qarkun Korçë rrugët kryesore janë të hapura dhe qarkullimi vijon pa probleme. Prefektura e Korçës njofton se po punohet për forcimin e argjinaturës së lumit Devoll për të parandaluar përmbytjet.
Megjithatë, disa zona ende vijojnë të jenë pa energji elektrike si pasojë e reshjeve të shumta. Autoritetet paralajmërojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
Bashkia Maliq
Vijon puna për forcimin e argjinaturës të lumit Devoll. Çarja është mbyllur duke e ngritur argjinaturën rreth 1.5 m në lartësi, në një gjatësi prej 20–25 metrash linearë. Aktualisht po vijon puna për forcimin e mëtejshëm të strukturës. Në terren janë të angazhuara mjetet e Ministrise së Mbrojtjes, mjete të strukturave vendore si dhe ato të subjekteve private me 15 mjete të rënda të mobilizuara. Në Njësinë Administrative Gorë vijon puna për pastrimin e dherave nga shtrati i rrugës në fshatin Mesmal.
Bashkia Pogradec
Në rrugën e fshatit Dunicë, Njësia Administrative Trebinjë, vijojnë punimet për garantimin e kalueshmërisë. Gjatë ditës së sotme kanë qenë në terren specialistë të Shërbimit Gjeologjik, të cilët kanë kryer matjet përkatëse dhe pritet dorëzimi i raportit teknik.
Në territorin e Bashkisë Korçë nuk raportohet asnjë rrugë rurale e bllokuar. Falë ndërhyrjeve të kryera segmenti rrugor Lekas–Denas është i kalueshëm dhe qarkullimi vijon normalisht.
ARRSH – Drejtoria Qendër–Lindje raporton se të gjitha akset rrugore janë të hapura dhe qarkullimi zhvillohet normalisht. Kontraktorët vijojnë monitorimin/ndërhyrjet dhe kriposjen e pikave problematike me qëllim parandalimin e formimit të akullit në shtratin e rrugës.
OSHEE nëpërmjet grupeve operative në teren do të ndërhyjë për rregullimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë elektrike. Aktualisht vijojnë të jenë:
Një fider pjesërisht pa energji, Fideri Frigorifer, NST Gjanç pa energji, 2 abonentë zona Krushovë. Fideri 14, NST Petrushë pjesërisht pa energji zona Prenisht 14 abonentë ruralë. Fideri Cervenakë, NST Guri i Kuq pa energji, 4 abonentë privatë (antenat).
Të gjithë fiderat që furnizojnë me energji elektrike konsumatorët e rëndësisë së veçantë janë në gjendje pune. Hidrovori Pogradec në fideri (8-18) përpunim Druri N/St Pogradec është në punë normale. Strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri dhe në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatave.
Report Tv ka siguruar pamjet me dron, kur janë gjetur 2 barinjtë të cilët u denoncuan si të zhdukur në zonën e përmbytur të Kularit në Fier.
Dy barinjtë janë të punësuar që të ruajnë lopët e egra në këtë zonë.
Dy barinjtë të cilët u denoncuan si të zhdukur janë gjetur në gjendje të mirë shëndetësore.
Të dy nuk kanë pranuar të evakohen nga zona e përmbytur e Kularit.
Sipas informacioneve barinjtë janë të punësuar të ruajnë lopët e egra.
Edhe gjatë përmbytjeve gjatë nëntorit të vitit të kaluar raportohet se ata nuk pranuan të largohen nga zona.
Kreu i emergjencave civile Haki Çako në një prononcim për mediat në fshatin Hasturkas të Fierit tha se së shpejti do të nisë aksioni i kërkim- shpëtimit për dy barinj të cilët kanë mbetur në zonë të hapur ku ka prezencë uji.
Çako pohoi se do të ngrihet një dron termik , për të lokalizuar dy barinjtë. Nëse nuk do të ketë asnjë gjurmë prej tyre do të përdoren alternativa të tjera, si helikopter dhe forcat e ushtrisë.
“Jemi në veprim për të identifikuar se ku janë dy barinjtë që shërbejnë për ruajtjen e bagëtive në derdhje të lumit. Kanë pas kontakte me familjarët e tyre, por për shkak të baterisë së telefonit kontaktet janë ndërprerë. Po presim të instalojmë një dron termik që të lokalizojmë vendodhjen e tyre. Prej disa orësh nuk ka asnjë informacion për barinjtë”, tha Çako.
Edhe pse në raportin e emergjencave civile sot ka një rënie të nivelit të ujit, banorët e Obotit sërish janë të detyruar të përdorin varkat e ushtrisë për të shkuar në banesat e tyre. Kjo është dita e dytë që rrufa është tërësisht e bllokuar dhe niveli i ujit arrin në 1 metër.
Situata sot në territorin e Bashkisë Shkodër duket më e qetë dhe me një tkurrje të hartës së përmbytjeve me 800 ha tokë nën ujë ndërkohë që nuk raportohet asnjë banesë nën ujë.
Ana e Malit është zona më e prekur nga përmbytjet së bashku me rrugën e fshatit për shkak të rritjes së nivelit të lumit Buna.
Raporti ditor i Emergjencave Civile
Situata në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet në përmirësim gradual. Gjatë natës është konstatuar ulje e nivelit të ujit në zonat Obot dhe Dajç. Në aksin rrugor Obot – rruga kryesore vazhdon të ketë prezencë uji rreth 100 cm, çka e bën të vështirë qarkullimin e mjeteve, përfshirë edhe mjetet e kalueshmërisë së lartë të Forcave të Armatosura. Megjithatë, ditën është realizuar kalimi i një kamioni për furnizimin e zonës.
Transporti i banorëve është siguruar nëpërmjet varkave të Forcave të Armatosura. Aktualisht, në zonën e Obotit ka prezencë uji në oborre, ndërsa nuk raportohet ujë brenda hapësirave të banimit. Banorët janë furnizuar me ujë të pijshëm dhe koncentrat për gjënë e gjallë.
Në Njësinë Administrative Dajç është evidentuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm në zonën Urrelat – Shirq, me dalje uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore. Nuk raportohet ujë brenda hapësirave të banimit. Monitorimi nga strukturat përgjegjëse vijon pa ndërprerje.
Prefekti i Qarkut Shkodër vijon ndjekjen nga afër të situatës, në koordinim me të gjitha strukturat vendore dhe qendrore, për menaxhimin e emergjencave deri në normalizimin e plotë të situatës.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, teksa ka monitoruar nga afër situatën e përmbytjeve në fshatin Hasturkas të Fierit, ka akuzuar qeverinë dhe pushtetin vendor, duke i konsideruar si një të vetëm, për mungesë investimesh, vjedhje fondesh dhe keqmenaxhim të situatës.
Haxhiu u shpreh se situata me përmbytjet jo vetëm është keqmenaxhuar, por ka pasur edhe vjedhje të fondeve.
“Jemi këtu, në Hasturkas, ku zona është e përmbytur. Kemi komunikuar me banorët, ata janë të dëshpëruar, sepse është shumë e dhimbshme të shohësh shtëpinë, tokat, mundin e një viti të tërë, të përmbytur dhe të çuar dëm. Ne jemi shumë kritikë ndaj qeverisë, pushtetit vendor që i konsiderojmë të përbashkët, kanë faj në mënyrën sesi e kanë menaxhuar situatën.
Situata nuk është menaxhuar, është keqmenaxhuar, madje është abuzuar me fondet. Opozita është duke ndërgjegjësuar banorët, të mos kenë pritshmëri nga kjo qeveri. Banorët duan një organizim për të protestuar. I bëj thirrje edhe opozitarëve të tjerë të jenë në terren. Opozita ka qenë në çdo fshat, në çdo vend. Këto probleme do t’i ngre në parlament. Faji nuk është i banorëve, është i atyre që vjedhin fonde.”, theksoi ajo.
Edhe pse uji po tërhiqet gradualisht nga banesave zonave të përmbytura në bashkinë Dimal, kudo shihet baltë, orendi shtëpiake të shkatërruara, prodhime bujqësore të dëmtuara etj. Kjo është panorama që të ofrojnë sot fshatrat: Çiflik, Arrëz dhe lagja "Dafinat" në bashkinë Dimal. Pas tërheqjes së ujit, ajo që ka mbetur brenda banesave është balta e lluca, të gjitha mobiliet e veshmbathjet të mykura si dhe çdo pajisje elektroshtëpiake e djegur.
Nën ujë ndodhen ende edhe shumë toka bujqësorë në territorin e bashkisë Dimal, toka që banorët si mbjellim dot më pa u tharë totalisht. Banorët shprehen se dëmet që u janë shkaktuar janë të mëdha dhe të parikuperueshme. Ata deklarojnë së përmbyten çdo vit nga prurjet e lumit Osum por asnjëherë nuk kanë marrë dëmshpërblim nga shteti.
Ata pohojnë se janë përmbytur tre herë brenda dy muajve dhe se uji u arriti mbi dy metër brenda banesave. Ata kërkojnë ndihmë nga shteti, pasi tashmë janë të rrënuar ekonomikisht. Banorët shprehen se nga ana e bashkisë janë bërë verifikimet e dëmeve, ndërkohë që apelojnë për tu dëmshpërblyer sa me shpejt.
“Kemi që në nëntor e deri më sot përditë lumë. Po vdesim. Rrimë me frikë, u mbytëm tani u mbytëm pastaj. Të marrin masa. Një vesë shiu ne me lecka në krah. S’kemi fjetur një natë në shtëpinë tonë. Do ngelemi pa shtëpi. Nuk ka 7 muaj që vumë mobilie të reja, nuk bëjnë më”, thanë banorët.
Në fshatin Vajzë, në lagjen Sheraj, në vendin e njohur si Beun, është konstatuar një rrëshqitje masive e tokës, e cila po avancon drejt tre banesave aktualisht të pabanueshme.
Sipas informacioneve zyrtare, situata po mbahet nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga shërbimet përkatëse, ndërsa terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe me rrezik të shtuar për zgjerim të rrëshqitjes, veçanërisht në rast të reshjeve të mëtejshme.
Fatmirësisht, nuk raportohet për banorë në rrezik të drejtpërdrejtë, pasi objektet e prekura janë të pabanuara, por autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimin e situatës për të ndërhyrë në kohë nëse rreziku përhapet.
Për shkak të rënieve të ndjeshme të temperaturave, aksi rrugor Peshkopi-Maqellarë është nën ‘pushetin’ e ngricave.
Si pasojë e kësaj situate drejtuesit e automjeteve këshillohen të lëvizin me kujdes dhe të të përdorin goma dimërore ose zinxhirë.
Ne akset Koplik-Bogë, Dedaj- Razëm dhe kryesisht ne Bogë- Theth ka qenë mot i kthjellët por me temperatura nën zero nga - 3° në Koplik deri në -18° ne Qaf Thorë.
Rrugët janë të kalueshme por duhet të zbatohen me rigorozitet rregullat e qarkullimit, sinjalistika dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.
Ne Qafe Thorë nuk ka pasur aktivizim te rrezikshëm te ortekëve. Po punohet për pastrim e dëborës që ka sjelle era dhe në kriposje.
Gjithashtu kriposja po bëhet dhe në aksin e Bërdicës për shkak të prezencës së ngricave në rrugë.
Nga filmimet me dron mbi zonën e Fierit, shihen hektarët e tokës të mbuluara nga uji si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit të Semanit.
E rëndë situata është në fshatin Hasturkas. Aktualisht numërohen rreth 3500 hektarë tokë dhe mbi 20 banesa të përmbytura. Për shkak të çarjes së argjinaturës, niveli i ujit sa vjen dhe rritet. Vërshimi i ujit nuk u ka lënë kohë banorëve as të shpëtojnë bagëtitë.
Çarja e argjinaturës së lumit Seman në disa segmente ka shkaktuar përmbytje të rënda në fshatin Hasturkas, në njësinë administrative Libofshë, duke vënë nën ujë qindra hektarë tokë bujqësore dhe rreth 20 banesa.
Banorët tregojnë se përmbytja ka ardhur papritur, duke mos u lënë kohë të shpëtojnë orenditë shtëpiake apo bagëtitë.
“Kam sallën me bagëti me 200 kokë dele. Nuk i nxorëm dot na erdhi uji me forcë”, tha një banore me lot në sy.
“Është hera e parë që të ketë përmbytje në këtë zonë. Gjithë natën kam qëndruar në gatishmëri”, tha një banor tjetër.
Disa të tjerë shprehen të shqetësuar për fatin e njerëzve të tyre me të cilët kanë humbur kontaktet për shkak të izolimit të zonës nga uji.
“Erdhi ushtria për ndihmë, për të nxjerrë bagëtitë. Niveli i ujit pritet të rritet në vijim, nuk ka tendecë për t’u ulur. Ka shumë prurje”, tha një banor tjetër.
"Tani nuk po shikojmë më për bagëtitë, tani duam të shpëtojmë njerëzit. Kemi pranë bregdetit dy njerëz që kemi humbur kontaktet. Kanë tre ditë atje", u shpreh një tjetër

Situata nga përmbytjet në territorin e qarkut Durrës po shkon drejt përmirësimit. Grupet e punës kanë vazhduar evidentimin dhe plotësimin e akte-konstatimeve në banesat e përmbytura.
Aktualisht, 340 banorë janë strehuar në Kavalishencën e Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Brendshme dhe në hotele, ndërsa rreth 200 persona janë rikthyer në banesat e tyre. Sa i përket situatës hidrike, lumi Erzen ka vijuar rënien e nivelit të ujit dhe po monitorohet, ndërsa lumi Ishëm paraqitet në kuota normale.
Në Krujë, grupet e konstatimit kanë evidentuar 18 banesa të dëmtuara në zonat Dukagjin, Borizanë, Sukë, Vendas dhe Derven, ku në disa raste janë konstatuar vetëm dëme në bazën ushqimore për blegtorinë. Një grup tjetër ka inspektuar 30 banesa në fshatin Miliskaje, nga të cilat 7 kanë pësuar dëmtime. Sipas të dhënave, rreth 250 hektarë tokë janë mbuluar nga uji. Në Njësinë Administrative Cudhi vijon pastrimi i rrugës Nojë–Qafështamë me fadromë dhe hedhja e kripës, ndërsa autoritetet konfirmojnë se niveli i ujit është në rënie dhe lumenjtë Gjolë dhe Zezë kanë arritur kuota normale.
Ndërkohë, në Shijak, janë plotësuar 43 akte-konstatime në banesa, ndërsa sipërfaqja e tokës bujqësore të përmbytur arrin rreth 600 hektarë. Strukturat bashkiake vijojnë ndjekjen e situatës në zonat më problematike, kryesisht në lagjen Erzen dhe Njësinë Administrative Xhafzotaj. Edhe këtu, lumi Erzen shënon rënie të vazhdueshme të nivelit të ujit dhe mbetet nën monitorim.
Niveli i lumit Seman ka shënuar rënie gjatë mëngjesit të sotëm në zonën e Mbrostarit, në Fier, duke sjellë një përmirësim të situatës pas përmbytjeve të një dite më parë.
Burime për Report TV bëjnë me dije se megjithatë, gjurmët e daljes së ujit nga shtrati janë ende të dukshme, si në tokat bujqësore ashtu edhe në zonat pranë banesave.
Fermerët e prekur nga kjo përmbytje kanë nisur pastrimin e stallave të bagëtive të tyre, duke u përballur me pasojat që la pas vërshimi i lumit. Baltë, mbetje dhe dëmtime në kultura bujqësore mbeten problematika kryesore të evidentuara në terren.
Autoritetet vendore vijojnë monitorimin e situatës dhe pritet të realizohet vlerësimi i plotë i dëmeve, në mënyrë që të përcaktohen masat e nevojshme për mbështetjen e fermerëve të prekur. Situata paraqitet më e qetë krahasuar me ditën e djeshme, por mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Rreth 900 hektarë tokë vijojnë të mbeten nën ujë në qarkun e Shkodrës, konkretisht në Bashkinë Shkodër dhe Bashkinë Vau Dejë.
Situata është drejt përmirësimit, krahasuar me ditën e djeshme, teksa ka pasur ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.
Në zonën Obot, është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 100 cm, nga 110 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje rreth 10 cm. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.
Në bashkinë Malësi e Madhe, në fshatin Vukpalaj janë ende 20 banesa me ujë rreth oborreve, por niveli i ujit ka rënë krahasuar me ditët e mëparshme. Nuk ka prezencë uji në tokat bujqësore, por të gjitha livallet nga Vija e Vrakës (Njësia Administrative Gruemirë) deri në fshatin Gashaj (Njësia Administrative Kastrat) mbeten të përmbytura nga prurjet e Liqenit të Shkodrës.
Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.
Akset rrugore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.
Në zonën e Qafë Thorës nuk është evidentuar rrezik nga ortekët.

Vijojnë të jenë të bllokuara rrugët në Njësinë Administrative Zagori tek fshatrat Zhej, Lliar dhe Topovë për shkak të rrëshqitjeve të dherave.
Po shikohet mundësia e ndërhyrjes, pasi formacionet janë të paqëndrueshme.
Në fshatin Memaliaj, një rrugë e brendshme vijon të mbetet e bllokuar, duke izoluar 5 banesa ndërkohë që do të vazhdojë puna në rrugët e brendshme për largimin e dherave.

Pas ndërprerjeve të reshjeve të shiut ekipet e punës në bashkëpunim me Bashkinë Maliq, Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit po punojnë për mbylljen e çarjes e argjinaturës së lumit Devoll.
Përmes një njoftimi nga prefektura e qarkut Korçë bëhet me dije se segmentet rrugore janë të kalueshme, përveç aksit Maliq-Kufi Gramsh ku problematikë mbeten aluvionet në formë balte që vijnë nga skarpatat, kryesisht në zonën e Lozhanit.
Njoftimi i plotë:
Prefektura e Qarkut Korçë informon se, sipas të dhënave nga ARRSH – Drejtoria Qendër–Lindje, gjatë natës nuk janë regjistruar reshje në akset rrugore të qarkut. Temperaturat kanë qenë nën zero dhe është kryer kriposje në zonat problematike.
Në segmentet Ersekë–Leskovik dhe Maliq–Kufi Gramsh qarkullimi vijon normalisht. Në aksin Maliq–Kufi Gramsh problematikë mbeten aluvionet në formë balte që vijnë nga skarpatat, kryesisht në zonën e Lozhanit.
Në akset Boboshticë–Dardhë, Lapidari Podgorie–Podgorie–Liqenas, si dhe në lotin 7 (Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë), është kryer kriposje sipas nevojës dhe qarkullimi është normal.
Në akset Korçë–Ersekë dhe Zemblak–Goricë–Bilisht–Miras nuk raportohen probleme, ndërsa qarkullimi rekomandohet të kryhet me goma dimërore.
OSHEE – Drejtoria Rajonale Korçë raporton se aktualisht janë 3 fiderë pjesërisht të stakuar, me një numër të kufizuar abonentësh pa energji elektrike:
Në zonën e Maliqit, 14 abonentë ruralë;
Në zonën e Pogradecit, 4 abonentë privatë;
Në zonën e Gjançit, 2 abonentë.
Ekipet e OSHEE-së ndodhen në gatishmëri për riparimin e defekteve në terren. Të gjithë fiderët që furnizojnë konsumatorë të rëndësisë së veçantë janë funksionalë. Hidrovori i Pogradecit vijon punën normalisht.
Ndërkohë, vijon puna për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Devoll, me je angazhimin e mjeteve të Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me Bashkinë Maliq dhe Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit.
Nga bashkitë e qarkut nuk raportohen problematika të reja. Strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren për normalizimin e plotë të situatës dhe sistemimin e dëmeve të mbetura.
Komente








