Në kuadrin e masave për të lehtësuar përballimin e situatës së pandemisë, krijuar nga koronavirusi COVID-19, Kuvendi i kërkon 30 institucioneve kushtetuese që t'i bashkohen vullnetarisht nismës për të dhënë diçka nga rroga e tyre. 30 institucioneve u kërkohet që të kontribuojnë vullnetarisht për të dhënë pagën e tyre në përballimin e situatës së pandemisë së COVID-19.

Në listën e plotë të institucioneve të siguruar nga Report TV, përfshihen nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genc Sejko, SPAK, GJKKO, KLP, KLGJ, KPA, KPK, ILD, Prokuroria e Përgjithshme etj.

Deri tani thirrjes i është përgjigjur vetëm kreu i KLSH, Bujar Leskaj, i cili ka dhënë gjysmë të pagës së tij nga muaji mars deri në dhjetor 2020, ndërsa 29 institucionet e tjera nuk i janë përgjigjur ende nismës. 

Leskaj ka vendosur që sektori i Financës të kryejë ndalesën nga paga në favor të buxhetit të shtetit të gjysmës së pagës mujore të kryetarit të KLSH-së. "Ndalesa nga paga do të kryhet për periudhën Mars 2020 deri në Dhjetor 2020. Të bashkëpunohet me Ministrinë e Financave për kalimin e kontributit financiar në fondin e emergjencave për përballimin e situatës pandemie të shkaktuar nga Covid-19. Ngarkohet Sektori i Financës për zbatimin e këtij urdhri", thuhet në urdhrin e tij.

KLSH ka marrë vendim edhe për shkurtimin e fondeve buxhetore në favor të buxhetit të shtetit, për përballimin e situatës.

Më herët me vendim të Këshillit të Ministrave është përgjysmuar për një periudhë 3-mujore paga e kryeministrit, kabinetit qeveritar, deputetëve, ndërsa Presidenca u ofrua në mënyrë vullnetare për të hequr dorë nga 50 % e pagës.

Kërkesa e Kuvendit