PRISHTINË, 17 Shtator/ATSH/.- Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Guglielmo Luigi Miglietta zhvilloi sot një takim me kryetarin e komunës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri, me të cilin bisedoi për situatën e përgjithshme në këtë komunë.
Bahtiri theksoi se falë angazhimit të drejtuesve të komunës dhe mbështetjes të parezervë të KFOR-it dhe institucioneve të tjera vendore dhe ndërkombëtare, situata e sigurisë në komunën e Mitrovicës, është gjithnjë e më e mirë dhe po shkon drejt stabilizimit të plotë.
"Kemi punuar shumë, bashkë me drejtuesit e komunës së re në veri të qytetit, që situata e sigurisë, lëvizja dhe qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave, si dhe raportet ndëretnike të përmirësohen. Falë kësaj pune, por edhe komunikimit, bashkëpunimit dhe mbështetjes që kemi pasur nga komandanti i paqeruajtësve të KFOR-it për veriun e Kosovës, sot në tërë Mitrovicën kemi një situatë shumë më të qetë, e cila po shkon me hapa të sigurt drejt stabilizimit të plotë", tha Bahtiri.
Komandanti i KFOR-it, Luigi Miglietta, tha se ndjehet mirë kur dëgjon për përparime në përmirësimin e situatës së sigurisë në komunë. "Mendoj se prania e KFOR-it këtu është mjaft e rëndësishëm për qytetarët dhe komunën tuaj. Gëzohem që keni pasur komunikim dhe bashkëpunim të mirë me pjesëtarët e KFOR-it, gjë që ka rezultuar me stabilizimin e gjendjes së përgjithshme, përmirësimin e komunikimit ndërmjet komuniteteve dhe lëvizjen e qarkullimin e lirë të qytetarëve e mallrave. Unë do të angazhohem maksimalisht që bashkëpunimin dhe komunikimin me ju ta thellojmë akoma", tha Miglietta.
Sipas tij, stabilizimi i plotë i gjendjes së sigurisë, krijimi i kushteve për lëvizje e qarkullim të lirë dhe përmirësimi i raporteve ndëretnike, janë parakushte dhe hapi i parë për të pasur zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës këtu./KosovaPress//m.m/