
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë më 5 nëntor se takimi i një nate më parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë. Sipas tij, palët janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.
“Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.
Ai i ka bërë këto deklarata pak orë pasi pjesëtarët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – do të vendosin nëse do të largohen nga institucionet e Kosovës.
Ky paralajmërim ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës.
Lajmi kryesor:
Lista Serbe largohet nga institucionet e Kosovës, paralajmërohet protestë në Mitrovicë! Kurti dhe Osmani: Përpjekje për destabilizim, Serbia vegël e Kremlinit








