Situata në fasoneri është problematike duke u kthyer në një vartë infeksioni si në dy rastet e fasonerive në Krujë të cilat janë mbyllura. Në një lidhje me skype për Report Tv, Vjollca Braho, drejtoreshë e Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror, tha se deri tani janë gjobitur 24 fasoneri nga të cilat , 7 janë mbyllur dhe të tjerat ka marrë gjoba që variojnë nga 100 deri në 700 mijë lekë.

Braho tha se qytetarët  janë më të ndërgjegjësuar për respektimin e masave pasi në 39 693 inspektime të kryera janë vënë vetëm 116 masa administrative.

"Janë kryer 39693 inspektime dhe janë vendosur 116 masa administrative, ku ndër to janë edhe 24 masa administrative për fasoneri. Vetëm sot janë vendosur 8 masa administrative vetëm në fasoneri, ku 4 prej tyre janë  mbyllur përkohësisht si në Gjirokastër, pasi nuk ishin marrë masat për të bërë distancimin social mes punonjësve dhe masat e tjera mbrojtëse. Ndërsa në 4 subjektet e tjera janë vendosur gjoba. Në Shqipëri funksionojnë 762 fasoneri dhe 415 fasoneri janë të kontrolluar deri në këto momente. Edhe në Fushë Kruje janë mbyllur dy fasoneri pasi në një fasoneri kishim 2 punonjës pozitiv ndërsa në fasonerinë tjetër kishim një tjetër pozitiv. Të dy fasoneritë iu mbyllën dhe të gjithë punonjësit u futën në karantinë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Masa e gjobës është nga 100 mijë deri në 700 mijë lekë. Nga 24 gjoba kemi 7 raste të mbyllura dhe pjesa tjetër me masa administrative në bazë të dëmeve që janë sjellë ", tha Braho.

Nëse fasoneritë duhen mbyllura apo jo për të shmangur rrezikun e infektimit, Braho tha se ato duhet të respektojnë distancimin social dhe nëse është e nevojshme të punojnë dhe me dy turne që punonjësit të reduktohen gjatë një turni.

"Fasoneritë duhet të marrin të gjitha masat ashtu siç janë parashikuar për të ruajtur distancimin social dhe masa mbrojtës me doreza dhe maska. Nëse kjo nuk mundësohet le të bëhet me dy turne dhe të vazhdojë puna. Nëse fasoneritë kanë pasur raste me COVID-19 janë e detyruar të lajmërojnë", tha Braho.