Kompanitë e huaja të biznesit fason po zhvendosin aktivitetin e tyre nga Shqipëria drejt vendeve të treta. Këtë shqetësim e sollën në Komisionin e Ekonomisë sipërmarrës në sektorin e manifakturës, të cilët me shifra treguan dëmet që po u shkakton kursi i këmbimit.
“Vetëm gjatë vitit 2025 sektori ka pasur një trend në rënie dhe humbje të vendeve të punës në rreth 12.000 vende pune”, tha Edvin Prençe.
Kostot janë të papërballueshme thonë ata përpara deputetëve, e që vijojnë të rëndohen nga kursi i këmbimit, ku euro vijon zhvlerësimin e pandalur.
“Sektori eksportues operon me të ardhura në euro. Kostot kryesisht 99% i kanë në lekë, kështu që komplet rënia e euros ndikon automatikisht drejtpërsëdrejti në fitim, në humbje në gjithçka, në stabilitetin e këtyre subjekteve”, tha Donika Mici.
Sektori i Manifakturës kërkon fiksim të kursit të këmbimit për eksportet e tyre, teksa propozojnë që euro të ‘ndalet’ deri 101-105 lekë, dhe sado që të zhvlerësohet në treh të mos impaktojë fitimin e tyre.
“Të krijojmë një kurs këmbimi nga 101-105 lekë. Kompensimi të llogaritet mbi deklaratat e eksportit të regjistruara. Ne kur bëjmë atë deklaratën doganore, dogana vendos një kurs këmbimi atje dhe për këtë sektor mendojmë që ky kurs i këmbimit varet se si do ta provohet të vendoset 101 sado të bjerë euro. Domethënë në qoftë se euro shkon siç është sot 96 këtë 5-lekëshin që ne themi nga 101 në 96 të jetë kompensim shtetëror për sektorin”, tha Miçi.
Paketa e masave për t’i dhënë frymë fasonëve, duhet të shoqërohet edhe me lehtësi fiskale.
“Ne na kërkohet po është edhe dëshira jonë që ne t'i japim vlerë produktit tonë dhe të shndërrohemi nga fason të thjeshtë bile nga nënkontraktor në cikël të plotë ose Made in Albania. Kjo që të bëhet ka nevojë për mekanizma. Ne taksohemi 8 deri në 15% në hyrje të lëndës së parë. Po ashtu taksohemi dhe kur del produkti. Me një fjalë automatikisht një produkt i joni me këto taksa ne na del 25% më i lartë se Evropa apo se Kosova”, tha Zekja.
Kërkesa tjetër e bërë ishte për të ndryshuar tatimin mbi pagat kur ato janë mbi 50 mijë lekë, tatimi sipas tyre nuk duhet të nisë nga 35 mijë lekëshi, pasi dëmton punonjësit.
“Ne propozojmë që 65.000 le të jetë aty ku fillon praktikisht tatimi, por që ndoshta nga mbi 65.000 le mund të mund të fillojë tatimi nga 50.000 lekëshi”, tha Saimir Bidaj.
Gjatë vitit të kaluar eksportet e tekstileve dhe këpucëve zbritën në 1 miliardë euro nga mbi 1.3 miliardë euro në vitin 2022, kohë kur nisi edhe rënia e euros.
Komente








