Qeveria daneze njoftoi sot zgjatjen e mbylljes të të gjitha bizneseve jo të rëndësishme deri në mes të janarit, për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen sot në mbrëmje njoftoi se Danimarka do të thellojë bllokimin e saj me dy javë. Kufizimet, të cilat pritej të përfundonin në 3 Janar, do të shtyhen deri në 17 Janar.
"Më lejoni ta them këtë shumë qartë. Situata me infeksione dhe shtrime në spital është më serioze tani sesa ishte në pranverë", tha Frederiksen.
Të gjitha dyqanet dhe qendrat tregtare përveç farmacive dhe supermarketeve do të mbyllen. Asnjë kufizim i ri nuk do të vendoset për prag të Vitit të Ri, por Frederiksen u bëri thirrje qytetarëve danezë të kufizojnë festimet e tyre.
"Në sytë tanë, nuk ka kuptim që festimet e Vitit të Ri të nënkuptojnë që infeksioni është përhapur edhe më shumë", tha ajo, duke u bërë thirrje njerëzve të konsiderojnë anulimin e ngjarjeve që kanë organizuar.