Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit, kushtet e paqëndrueshme atmosferike dhe rënia e temperaturave kanë shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit, përfshirë përmbytje, rritje të niveleve të lumenjve, bllokime rrugore dhe rrëshqitje dherash.

Pamje nga forcat e armatosura në terren
Sipas njoftimit, qarku Shkodër mbetet një nga zonat më të prekura.
"Qarku Shkodër mbetet një nga zonat më të prekura. Në Bashkinë Shkodër, zonat e Obotit dhe Dajçit vijojnë të përballen me rritje të nivelit të ujit si pasojë e prurjeve të lumit Buna dhe Drin si dhe rritjes së nivelit të liqenit. Rreth 500 hektarë tokë bujqësore janë ende nën ujë, kryesisht në fshatin Obot dhe njësinë administrative Ana e Malit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore ka prezencë uji deri në 120 cm, duke izoluar pjesërisht zonën. Në njësinë administrative Dajç, veçanërisht në zonën Urrelat–Shirq, uji ka dalë nga kanalet kulluese duke zgjeruar sipërfaqet e përmbytura. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa zona ka nisur tërheqja graduale e ujit" thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes
Në Lezhë, përmbytjet kanë prekur kryesisht tokat bujqësore, me rreth 1.200 hektarë të përmbytura.
"Në Qarkun Lezhë, përmbytjet kanë prekur kryesisht tokat bujqësore. Në Bashkinë Lezhë raportohen rreth 1,200 hektarë tokë bujqësore nën ujë, kryesisht në zonat Balldren dhe Zejmen. Në Torovicë dhe Zejmen, tërheqja e ujit po ndodh me ritme të ngadalta. Në Bashkinë Kurbin, niveli i ujit ka shënuar rënie në zonat më problematike si Adriatik, Gjorm dhe Mamurras, ndërsa kanë vijuar verifikimet për dëmet në banesa, pajisje dhe kultura bujqësore, si dhe evakuimi i bagëtive në zona të caktuara", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes
Në qarkun Vlorë situata paraqitet në përmirësim gradual, me rënie të nivelit të lumit Vjosë në Novoselë, ndërsa në disa zona rurale vijojnë rrëshqitjet e dherave dhe qarkullimi me kufizime.
"Qarku Vlorë paraqitet me situatë në përmirësim gradual. Në Bashkinë Vlorë, niveli i ujit të lumit Vjosë në zonën e Novoselës ka nisur rënie dhe situata po shkon drejt normalizimit, megjithatë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Në Bashkinë Selenicë, vijojnë problematikat nga rrëshqitjet e tokës në fshatin Vajzë dhe në disa akse rrugore rurale, ku qarkullimi kryhet me kufizime. Në Bashkinë Himarë, në zonën e Qafës së Vishës, vazhdon rreziku nga rënia e gurëve në rrugë, duke kërkuar kujdes të shtuar në qarkullim" thotë Ministria e Mbrojtjes
Problematika nga rrëshqitjet dhe përmbytjet janë regjistruar edhe në Korçë.
"Në Qarkun Korçë, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, prezencë uji dhe dëborë në disa akse rrugore. Në Bashkinë Pogradec janë raportuar shkarje dherash në segmente të rrugëve nacionale dhe rurale si dhe rreth 25 hektarë sipërfaqe toke me prezencë uji. Në Bashkinë Maliq, si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Devoll, janë përmbytur rreth 3,600 hektarë tokë bujqësore, ndërsa situata po mbahet nën kontroll pas ndërhyrjeve të strukturave përkatëse. Në Bashkinë Devoll, pas çarjes së argjinaturës së lumit Oshticë u përmbytën rreth 270 hektarë tokë, por çarja është mbyllur dhe situata është stabilizuar", thuhet në njoftim
Në Gjirokastër disa rrugë mbeten të bllokuara dhe në disa zona janë kryer evakuime të përkohshme.
"Qarku Gjirokastër vijon të ketë problematika të shpërndara në disa bashki. Në Bashkinë Gjirokastër, rruga e Qafës së Çajupit mbetet e bllokuar, ndërsa po punohet për përforcimin e argjinaturës së lumit Drino. Në bashkitë Libohovë, Memaliaj, Përmet dhe Këlcyrë janë raportuar rrëshqitje të shumta dherash që kanë bllokuar rrugë rurale dhe kanë rrezikuar banesa, duke bërë të nevojshme evakuime të përkohshme në disa zona. Ndërhyrjet vijojnë në varësi të kushteve të terrenit dhe uljes së prurjeve në lumenj" thotë Ministria e Mbrojtjes.
Sipas autoriteteve, Forcat e Armatosura në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes Civile dhe pushtetin vendor, mbeten të angazhuara në ndihmë të komuniteteve të prekura, duke shpërndarë ndihma dhe garantuar akses në zonat e izoluara.
Lajmi kryesor:
Përmbytjet/ Uji tërhiqet nga tokat, fermerët: Iku mundi i jetës! Në Durrës 543 të evakuuar! Protestë në Dimal e Maliq
Komente










