Rraskapitja në Kakavijë pritet të marrë fund! Pala greke vijon punën edhe pas orës 22:00! Nga nesër me test COVID-i me vete dhe karantinë 7 ditë

TIRANË- Pas 5 ditësh lodhje, rraskapitje dhe kaosi situata në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës më në fund po shkon drejt normalizimit, ku radhët kilometrike tashmë janë shuar. Burime për "Report Tv" thonë se autoritetet e kufirit shqiptar kanë negociuar me palën greke dhe puna do të vijojë edhe pas orës 22:00, në mënyrë që të kalojnë të gjitha makinat në pritje prej ditësh për të shkuar në Greqi.

Në orët e pasdites u punua me ritme të shpejta ku kontrollet në dokumentacion dhe tamponët nga ekipet mjekësore greke gjatë ditë i bënë rreth 3 mijë qytetarë.

Për të mos lejuar më bashkimin e automjeteve të reja me ato që ishin në pritje, policia shqiptare vendosi tre postblloqe në Tepelenë, Gjirokastër dhe Jorgucat.

Të hënën në orën 6:00 të mëngjesit pika e Kakavijës hapet sërish, por me rregulla të reja për të gjithë udhëtarët, kuotat, dhe përgjigjja negative e testit COVID.

Nga Kakavija për në Greqi nuk do të kalojnë më shumë se 750 shtetas në ditë ndërsa nga Kapshtica nuk do të kalojnë më shumë se 300.

Të gjithë duhet të kenë bërë testin e COVID  në institucione private të certifikuara nga Ministria jonë e Shëndetësisë dhe testi duhet të jetë bërë jo më larg se 72 orë. Përgjigjja negative e testit nuk përjashton karantinën 7 ditore që duhet të kalojnë udhëtaret, rregull i vendosur nga qeveria greke.

"Report TV" ndoqi nga pranë gjatë gjithë ditës situatën e krijuar ndërsa qytetarët u shprehën të lumtur që pritjes po i vjen fundi.

Kushtet që çdo qytetar duhet të plotësoje për të kaluar pikën doganore dhe për t'u futur në Greqi nga e hëna
- Testin negativ të COVID-19 (RT-PCR), i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Ky rregull nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç.
- Vërtetimin diagnozë të përkthyer në anglisht, në të cilin duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/numri i kartës së identitetit të individit.
- Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF, me kodin QR (nga adresa elektronike https://travel.gov.gr).
- Testi i COVID-19 (RT-PCR) është i vlefshëm vetëm nga laboratoret e linçesuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat mund t'i gjeni në faqen zyrtare. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:55
Xhaçka: Pala greke punë përtej orarit për të kaluar në kufi 1 mijë udhëtarët e fundit

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në një reagim të orëve të mbrëmjes së të dielës tha se në komunikimet e qeverisë shqiptare me atë greke, këta të fundit kanë treguar gatishmëri për të dërguar ekipe shtesë mjekësore në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës e cila qëndroi hapur përtej orarit të punës. Në një reagim në orët e mbrëmjes së të dielës, Xhaçka tha se kanë mbetur 1000 mijë udhëtarët e fundit të cilët do të kalojnë. 
“Pas komunikimit me autoritetet greke dhe gatishmerisë së tyre për të dërguar ekipe mjekësore shtesë, pika e kalimit kufitar në Kakavijë do të qëndrojë e hapur përtej orarit të punës për të bërë të mundur përfundimin e procedurave për 1000 udhëtarët e fundit. Duke nisur nga nesër në mengjes, kalimi në Kakavijë do te kryhet përmes regjimit të ri të masave me kuotat e reja, aplikimin dhe testin negativ të Covid 19”, shkruan ministrja.
 

Ora 22:23
Radhëve të gjata në Kakavijë po u vjen fundi! Pala greke vijon punën edhe pas orës 22:00

Radhëve të gjata në pikën kufitare të Kakavijës po u vjen fundi. Pavarësisht se ka kaluar ora 22:00, pala greke ka rënë dakort me autoritetet e kufirit shqiptar për të vazhduar punën edhe pas këtij orari.

Sipas burimeve për "Report Tv", tashmë ka mbetur edhe 700-800 m varg automjetesh dhe sipas përllogaritjeve dhe ritmit, radha do të përfundojë për 3-4 orë.

Në çdo një orë në kufi kalojnë 160-170 automjete, të cilat prej 5 ditësh po prisnin në pikën kufitare të Kakavijës. Mësohet se pala greke për të përfunduar procesin ka shtuar staf mjekësor për marrjen e tamponëve për qytetarët që kalojnë kufirin.

Nga ora 00:00 e mesnatës deri në 22:00 kanë kaluar kufirin 3481 qytetarë dhe 1467 automjete.

Pas 5 ditësh në pritje mes mungesës së ujit dhe kushteve të higjienës, emigrantët shqiptarë po kalojnë kufirin për të udhëtuar drejt qyteteve greke ku ata jetojnë dhe punojnë.

Ora 20:46
Radha në Kakavijë/ Pala greke premton se do të vijojë punën edhe pas orës 22:00

KAKAVIJË- Pala greke do të vijojë të punojë edhe gjatë natës për të kaluar emigrantët shqiptarë në pikën kufitare të Kakavijës. Drejtori i Policisë Kufitare të Janinës Fotis Dijis dhe komandanti i Policisë Kufitare Greke të Janines Thomas Betsis janë takuar me drejtuesit e pikës kufitare në Kakavijë. Duke parë volumin e punës dhe prezencën e shumtë te emigrantëve, ata u kanë kërkuar homologëve grekë shtyrjen e orarit të hyrjes së emigrantëve në Greqi edhe gjatë orëve të natës, deri në orën 06:00 të ditës së nesërme.

Zoti Diniss dhe Betsas kanë premtuar se do të lejojnë funksionimin e pikës edhe gjatë orëve të natës deri në zhdukjen e radhëve të emigrantëve që presin në Kakavijë për t'u larguar drejt Greqisë. Prej orës 06:00 të ditës së nesërme çdokush që do hyjë në Greqi do t'i duhet të paraqesë PCR test dhe do karantinohet me detyrim 7 ditë.

Ora 19:56
Situata po normalizohet në Kakavijë, ulet ndjeshëm numri i automjeteve që presin në radhë

1597591006_Screenshot1.jpg

Radha në pikën kufitare të Kakavijës është ulur ndjeshëm pasditen e sotme. Nga ora 06:00 deri në orën 19:00 kanë kaluar 2031 persona.

Burime për "Report Tv" nga dogana bëjnë me dije se gjatë ditës së sotme kanë kaluar në shtetin grek 837 automjete, të cilat prej ditësh po prisnin në radhën kilometrike.

Ora 19:03
Prej orësh në radhë/ Shtetasi grek ndihet keq, i vjen në ndihmë mjeku i Forcave të Armatosura në Shqipëri

KAKAVIJË- Personeli mjekësor i Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i kanë dhënë ndihmën e parë një qytetari nga Greqia që priste në radhë për të kaluar në pikën doganore të Kakavijës. 
Shtetasit grek i merrej fryma dhe kishte tension të lartë, por ka qenë pesoneli mjekësor i FA, i vendosur në këtë pikë kufitare me autoambulancën  e pajisur me mjetet më të fundit mjekësore të urgjencës, që kanë asistuar menjëherë për të normalizuar gjendjen e tij shëndetësore.
Prej ditësh mjaft qytetarë, mes tyre edhe ata me kombësi greke qëndrojnë në radhë në Kakavijë për të kaluar në shtetin fqinj, para hyrjes në fuqi të masave të shtuara kufizuese që nisin nga dita e hënë, 17 maj, kur do kërkohet tampon negative dhe plotësimi I formularit PLF. Forcat e Armatosura iu erdhën në ndihmë qytetarëve me ujë, ushqime, por edhe me asistencë mjekësore dhe krijimin e kushteve për nevojat higjieno sanitare.

Ora 18:37
Pritjes i vjen fundi/ Qytetarët në Kakavijë: Më keq se torturat e Hitlerit! Erdha se më vdiq mamaja, ça kalova se shpreh dot me fjalë

Report TV me grupin e xhirimit është ndalur në një nga postblloqet e policisë të vendosura në fshatin Jorgucat, me qëllim ndalimin e makinave të reja, që t'iu bashkohen atyre që janë në radhe prej orëve të tjera. Situata ka pasur përmirësime, pasi radha e automjeteve është shkurtuar në 2 km, dhe kaosi pritet të përfundojë brenda orës 22:00. Qytetarët shprehen të lumtur që pritjes po i vjen fundi, e ndërsa ka nga ata që këtë situatë i kanë krahasuar me torturat e kohës së Hitlerit.

"Të lodhur, por edhe të kënaqur se përfundoi. Kemi 43 orë që presim, shpresoj se mbaroi gjithë kjo. Nuk e menduam të kthehemi pas, se jam për rrugë të gjatë.

"Tani që erdhëm në fund, ca të bëjmë. Kam 20 orë që po presim. S'kemi për të kthyer pas, do rrinim vetë. Na ndihmuan autoritetet".

"Nuk dimë si ta shprehim, këtë radhë që kaluam është më keq se torturat që bënte Hitleri, gjynah që në 2020 të bëhen gjëra të tilla. As nuk e menduam të kthehemi në shtëpi, mora në telefon celularin greke. U thashë do derdhim gjak, erdha për të varrosur mamanë, s'mund ta mbyllë kufirin, paguaj taksat në Shqipëri dhe Greqi, minoritar jam nga Delvina. Janë gjëra që nuk kam fjalë si të shprehem. Autoritet na erdhën, me ujë e me gjëra, shumë faleminderit për këto gjëra"

"Kemi që të premten në orën 12:00, sot ora është 7, por jemi të kënaqur dhe nga mirësjellja e tyre e policëve. Nuk e menduam kurë të ktheheshim, se duhet të pagoja analizën që greku ka vënë si kusht, dhe të bëja karantinën dhe isha e detyruar që të qëndroja në radhë", thanë disa nga qytetarët për gazetarin e Report Tv, Merin Maçi.

Ora 16:23
Dritë jeshile për emigrantët në Kakavijë, deri në orën 22:00 mendohet se do të kalojnë të gjithë qytetarët

1597587814_kakavijeradhe.JPG

Radha e automjeteve në pikën kufitare të Kakavijës është ulur ndjeshëm. Fatmirësisht pritja e gjatë e shumë emigrantëve shqiptarë tashmë po mbaron.

Deri më tani nga ora 00:00 kanë kaluar në Kakavijë 1431 shqiptarë, 609 shtetas të huaj si dhe 850 automjete.

Sipas burimeve radha është deri në 2 km nga pika kufitare. Në Jorgucat, Tepelenë dhe Gjirokastër janë vendosur postblloqe policie për të mos lejuar më automjete, për t'u bashkuar makinave në pritje.

Deri në orën 22:00 mendohet se do të kalojnë të gjithë qytetarët.

Ora 16:18
'Report Tv' video nga radha e automjeteve në Kakavijë, ja si paraqitet situata në këto momente

Vijojnë radhët e gjata në pikën kufitare të Kakavijës, ku emigrantët shqiptarë po presin që të kalojnë në shtetin Grek.

Prej ditësh janë krijuar radhë kilometrike të automjeteve, por megjithatë ditën e sotme duket se ka një përmirësim të lehtë të situatës.

Pala greke ka punuar gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme me qëllim që të pakësohet numri i emigrantëve të cilët po presin prej 4 ditësh në doganën e Kakavijës.

Në videon e mëposhtme duket se ka një rënie të numrit të makinave që qëndronin në pritje për të kaluar kufirin grek.

 

Ora 15:08
Policia rikujton qytetarët: Deri në 22:00 do punojë Kakavija dhe Kapshtica, nga nesër në fuqi rregullat e reja

Policia e Shtetit ka rikujtuar edhe një herë masat e reja që priten të hyjnë në fuqi nga 17 gushti, për të gjithë qytetarët që duan të kalojnë drejt Greqisë.

"Rikujtesë mbi rregullat e reja për lëvizjen në Pikat Kufitare drejt Greqisë. Policia e Shtetit rikujton të gjithë qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, se nisur nga masat kufizuese për shkak të COVID-19, duke filluar nga ora 06:00 deri në orën 22:00 të çdo dite në vijim, për të hyrë në Republikën e Greqisë, nëpërmjet PKK Kakavije do të lejohet të kalojnë vetëm 750 shtetas në ditë, ndërsa nga PKK Kapshticë vetëm 300 shtetas në ditë.

 Për të hyrë në Republikën e Greqisë prej mëngjesit të datës 17 gusht qytetarët duhet të kenë me vete:
 Çertifikatën e kryerjes së testit COVID-19, jo më vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë NEGATIV;
Testimi të jetë bërë nga autoriteti shtetëror (Instituti i Shëndetësisë) ose nga çdo spital apo klinikë e certifikuar dhe e njohur nga shteti;
Certifikata të përmbajë të dhënat personale të personit, numrin e pasaportës ose të kartës greke, rezultatin negativ të testit, emrin e Institucionit ku është kryer testimi, adresën, numrin e
telefonit, si dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze;
Do të lejohen të hyjnë në Republikën e Greqisë shtetasit që kanë leje qëndrimi greke ose shtetësi greke, punëtorët sezonal, si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës;
Çdo shtetas që do të hyjë gjithashtu duhet të këtë plotësuar formularin PLF.

 Sot, pas komunikimeve të pandërprera me homologët grekë është mundësuar që në PKK Kakavije të vijojë puna me ritëm duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që janë në pritje në radhë, për të kaluar në shtetin grek. Gjithashtu po pas komunikimeve intensive me homologët grekë, në këto momente në Kapshticë ka nisur puna normalisht e do të vijojë deri në orën 22:00 të mbrëmjes, ndërsa nga nesër në orën 06:00 të mëngjesit në të dyja pikat e kalimit do të aplikohen masat e raja anti-COVID. Policia Kufitare apelon qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë që mos ndërrmarin udhëtime pa pasur me vete dokumentacionin e mësipërm, pasi Policia ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Kakavijes si dhe në drejtim të Kapshticës.

Nuk do të lejohet asnjë qytetar që ka qëllim destinacionin final Greqinë të udhëtojë në drejtim të këtyre pikave pa pasur dokumentacionin e nevojshëm", njofton policia.

Ora 14:55
Të bllokuar në Bilisht, udhëtarët: Ndjehemi keq se s'kemi shtet, nuk duam të kthehemi më

Pas bllokimit prej disa orësh në Bilisht, makinat dhe autobuzët të cilët po tentojnë të udhëtojnë drejt Kapshticës për të hyrë në Greqi kanë filluar të lëvizin. Kjo pasi edhe kufiri po qëndron i hapur dhe udhëtarët po kalojnë. Çdo 20 minuta në kufi lejohet që të kalojë një autobus.

Një nga personat që mbeti i bllokuar me autobus u shpreh: "Ne na ka bllokuar policia jonë në Bilisht. Këta thonë na bllokon greku, por të paktën të na dërgojnë deri në doganë. Na kanë bllokuar autobuzin dhe kemi katër ose 5 orë që rrimë. Duam urgjentisht të kaloj kufirin. Bëhemi rreth 100 persona, përse ta paguaj nesër 200 euro."

Ndërkohë persona të tjerë të cilët po udhëtonin me mjetet e tyre personale deklaruan: "Mezi presim me ik dhe për të mos u kthyer më, vetëm për një rast të veçantë se Shqipëria na trajton shumë keq. Mundohen me na shfrytëzu deri në fund me çdo gjë. Më mirë na trajton Greqia se sa Shqipëria. Kalojmë me targa shqiptare andej dhe s'na thonë gjë, ndërsa këtu kalojmë shpejtësinë me 5 kilometra dhe na vendosin gjoba. A të bëhet me ardh më?"

Ndërkohë një tjetër deklaroi: "Nuk ndjehem aspak mirë. Si mund të ndjehem kur këtu jemi sikur kemi dalë nga burgu. Më tepër falenderoj mediat që janë të vetmit njerëz që vijnë e interesohen."

Sakaq një tjetër qytetar u shpreh: "Shumë keq ndjehem se s'kemi shtet. Pse kaq shumë pritje. Që në gjashtë të mëngjesit, përse tani bëhet negociatat?"

Ora 13:50
Makina përplasi për vdekje 10-vjeçarin në Kakavijë/ Dëshmitarja: Na vdiq fëmija në duar!

Kjo qytetare ka qenë e pranishme në momentin tragjik, atëherë kur fëmija 10-vjeçar u përplas për vdekje nga ambulanca. Ajo kërkon një zgjidhje urgjente të situatës në kufi, madje shprehet se është e gatshme edhe të paguajë për tamponin, por që të bëhet në kufi, e jo të kthehet mbrapsht se kështu humb shumë kohë.

"Bëni thirrje dikujt që të vij këtu, jemi populli shqiptar, unë jetoj 29 vite në Greqi. Të sjellë Edi Rama këtu tamponët. t'i bëjmë dhe të ikim. Kam që të enjten në darkë këtu në orën 12 të natës. Na vdiq fëmija në duar,(i referohet aksidentit në Kakavijë) i bëjmë thirrje Ramës të sjellë shëndetësinë dhe të bëjmë tamponët këtu, jetojmë në Greqi, kemi fëmijë. Erdha për pasaporta", tha ajo.

I të njëjtin mendim ka qenë edhe një tjetër qyteyarë, pra që shkohet në kufi e t'u bëhet testi, edhe kundrejt një shume të caktuar.

"Paguajmë edhe 150 ero që të bëjmë tamponë. T'i paguajmë dhe të ikim", tha një tjetër qytetar.

Ora 12:26
Ministria e Mbrojtjes dhe MEPJ konfirmojnë: Kufijtë me Greqinë të hapura deri në orën 22:00, nga nesër të gjithë me formularin e testit

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme kanë konfirmuar sot pikat kufitare me Greqinë, ajo e Kakavijës dhe Kapshticës, do të qëndrojnë të hapura deri në orën 22:00 të mbrëmjes.

Ky konfirmim erdhi pas raportimeve kontradiktore në lidhje me kuotot e personave që do kalonin në kufi, pasi më herët ato u mbushën. Kështu vjen një lajm i mirë për ata persona të cilët prej ditësh po qëndrojnë në radhë në Kakavijë.

Ndërkohë ministrja Olta Xhaçka konkretisht është shprehur: "Risjellim në vëmendje që nesër nis kufizimi i ri nga pala greke duke vendosur kuota dhe kërkesa për formular dhe test negativ. Kakavija dhe Kapshtica do të qëndrojnë hapur deri në orën 22:00. Orari i ri për ditën e sotme pas bisedimeve me palën greke. Qytetarët të mos paraqiten nesër në Kakavijë e Kapshticë pa formularin dhe testin negativ."

Ora 12:00
E vërteta e fotos së djaloshit të vogël me pasaportën në duar që 'pushtoi' rrjetin! Dialogu prekës me babanë: Dua të iki në shtëpi (VIDEO)

Foto e një djaloshi të vogël, i zhveshur nga vapa, e me pasaportën shqiptare që mbante fort shtrënguar në gjoks, bëri xhiron e rrjeteve sociale ditën e sotme. Ai u bë protagonist i një prej ngjarjeve më prekëse në Kakavijë, ku pas orëve të gjata pritjeje, lodhjeje, kërkonte shtëpinë.  Kakavija u rrethua nga policë, teksa punonjësit në palën greke po bënin pushim. Prezenca e shumë efektive të uniformave blu u mor nga qytetarët si një sinjal që dogana ishte mbyllur, e për pasojë patën disa përplasje me policinë. Ky fëmijë i vogël, kishte mbetur përtej kordonit të policisë, por nuk ia lëshonte dorën babait të tij. Dialogu babë e bir të rikthen shumë pas në kohë...(Shiko videon)

Babai- policit: Hapu more, hapu… Ça do (i thotë fëmijës)
Qytetarët: Hapuni se ka djalin
Djali: Dua të iki në shtëpi
Babai: Po ku ta gjej shtëpinë unë këtu, ku ta gjej shtëpinë…
Ndërhyn polici: Hajde tek xhaxhi, hajde tek xhaxhi, hajde të të marr xhaxhi, të dalim pak. Të lutem
Babai: Po ç’të lutem, shiko si më është bërë fëmija, unë s'kam vetëm këtë kam tre, kam dhe dy të tjerët matanë

Ky fëmijë është mes dhjetëra bashkëmoshatarëve të tjerë, të cilët kanë përjetuar momente të vështira pas orëve të tëra në pritje.

Ora 11:36
Drejtori i Kufirit të Gjirokastrës: Presim njoftim pozitiv nga pala greke për të vijuar punën

Një situatë e paqartë është krijuar ditën e sotme në Kakavijë, ku ishte njoftuar se kuota prej 750 personash që lejohen të kalojnë kufirin në ditë do të hynte në fuqi nga nesër, 17 gusht, por duket se ajo është zbatuar që sot. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga drejtori i Kufirit, Arben Joco, i cili tha pas 5 orësh punësh, është arritur në limitin e numrin 750, dhe pritet një përgjigje nga pala greke se si do të vijojë punën.

"Shqiptarët që janë të interesuar për të udhëtuar drejt Greqisë që nga dita e nesërme në shtetin Grek do të kalojnë ata që janë testin dhe duke plotësuar formularin e udhëtimit. Nga pala greke është vendosur edhe një numër limit, 750 persona, të cilët duhet t përmbushin kriteret dhe këto kritere do të vijojnë deri në një njoftim të dytë. E njëjta gjë bëhet edhe në Kapshticë, nëse këtu numri është 750, aty është 300 persona dhe aktualisht aty është pezulluar kalimi, duke pritur një njoftim të dytë. Deri tani po vazhdojnë të punojnë normalisht, presim njoftim nga pala greke si do të vijohet puna. Aktualisht jemi në limitet e numrit, por nuk kemi një njoftim për mbyllje, shpresojmë që të marrim një njoftim pozitiv. Ne kemi të drejtë t'i sqarojmë kërkesat e palës greke, pala greke thotë nga dita e nesërme nuk do të lejohet asnjë shqiptar rezident pa pasur testin COVID. Deri tani jemi në limitet, jemi rreth 700, deri tani. Puna vijon, se ka shtetas atje, kjo është praktika, ato që janë atje kalojnë, jo problem policor po ato shëndetësor, ne presim që të jemi si do të vendoset, do të vijojnë apo jo. Numri prej 750 dhe testi COVID, ka qenë për datën 17 gusht, ne nuk kemi lajm të konfirmuar, presim si do të ecë", tha Joco në prononcimin për mediat.

Ora 10:19
Qëndroi e hapur gjatë natës, tkurret radha e gjatë në pikën kufitare të Kakavijës

Për shkak të marrëveshjes së arritur me palën greke nga qeveria shqiptare, nga mbrëmë, ekzaktësisht nga ora 00:00 deri më 10:00 kanë kaluar në pikën doganore të Kakavijës 1200 qytetarë, të cilët prej disa ditësh qëndronin në radhë.

Sakaq edhe radhët e automjeteve janë ulur dhe aktualisht janë deri në 4-5 kilometra nga pika kufitare.

Më parë pala greke e mbante hapur kufirin nga ora 06:00 deri në 22:00, por falë marrëveshjes është bërë e mendur tkurrja e radhës, pasi është punuar gjatë gjithë natës. Teorikisht, duke nisur nga ora 06:00 e mëngjesit të sotëm dhe deri në 22:00 të mbrëmjes, nga pika kufitare e Kakavijës do të kalojnë 750 persona.

Ora 09:56
Plotësohet kuota në Kapshticë, policia: Puna nga pala greke është pezulluar

Policia Kufitare e Kapshticës ka lajmëruar rreth orës 09:30 se kuota e caktuar e qytetarëve për të kaluar drejt Greqisë është plotësuar.

Dje pas bisedimeve me palën greke nga policia u njoftua se nga pika doganore e Kapshticës do të mund të kalonin vetëm 300 persona, një numër i ezauruar tani. Sipas njoftimit të bërë nga policia thuhet se aktualisht puna nga pala greke është pezulluar.

Njoftimi i policisë:

Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë:

Ditën e sotme, pas takimit që autoritetet shqiptare zhvilluan me palën greke, jemi informuar se nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, drejt Republikës së Greqisë do të lejohen të kalojnë vetëm 300 shtetas.

Aktualisht kjo kuotë, është plotësuar dhe nga ana e palës greke është pezulluar puna.

Policia Kufitare apelon për qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, që mos vijojnë të dynden dhe të shmangin krijimin e radhës drejt kësaj pike kalimi, pasi Dogana Greke aktualisht është e mbyllur.

Ju faleminderit për mirëkuptimin!

Ora 09:37
Radhë të gjata edhe në Kapshticë, drejt plotësimit kuota për kalimin në pikën kufitare me Greqinë

Kapshticë- Data 16 Gusht nis me rradhë të gjata në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

Pas rregullave të reja policia po punon në terren për të mbajtur situatën në kontroll pasi sot hyri në fuqi edhe kufizimi i shtetasve që do të kalojnë nga kjo pikë.

Sipas njoftimit vetëm 300 persona do të kalojnë sot në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ndërsa burime pranë kësaj pike bëjnë të ditur se ky numër po plotësohet.

Pjesa më e madhe e mjeteve do të detyrohen të këthehen mbrapsht të paktën deri në një njoftim të dytë nëse do të ketë ndryshime të tjera.
 

Ne.k./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjikostriti: 16/08/2020 23:03

    si nuk doli nje gjirokastrit te conte 1 bidon uje per keta te shkrete??? Kaq rini te lodhur ka ai qytet???

    Përgjigju
  • Staplerfahrer: 16/08/2020 22:02

    Shumica ktyre jan me pashaporta greke, merni ambasaden greke njeher ca Boni gam gam

    Përgjigju
  • Vds: 16/08/2020 18:33

    Po normal se jeni mesh me rremuje e sju behet te ktheheni me..e dinit shume mire qe do kishte kushte per tu kthyer po si gjithmone fajin jua ka shteti dhe asnjehere vetja juaj

    Përgjigju
  • Thanasi: 16/08/2020 17:12

    Kur e ke portofolin plot ta lepijn b****n kto jevgjitet aty nuk lejohet tamponi. vetem per shqiptaret jane keto regulla

    Përgjigju
    • bekim: 17/08/2020 02:04

      edhe po te jene sdo ishte cudi se vetem shqiptaret vertiten rrugeve lart e poshte ne keto kohe, po eshte per te gjithe ne gjithe boten. Duhet pare dhe vetjs njehere para se te fajesohen gjithmone te tjeret

  • vjosa: 16/08/2020 16:28

    RRINI ne shtepite tuaja o shqiptare ,,,,,mjaft u rropatet ne greqi ,,keni nga 10-20 vjet dhe prape nuk keni bere para ,,,pse kembengulni te rrini ne nje shtet te falimentuar,,,.qe ju trajton si qen....,,,..

    Përgjigju
    • Ggggg: 16/08/2020 20:53

      Teli kacureli, rri ne greki me grekun ndoshta kapë ndonje kothere.

    • O Teli: 16/08/2020 19:22

      Greqia paska mbajtur 2milion shqiptare jo po 3milion lere qe ka interes greku se kot nuk te mban,, greqia ishte ajo qe kerkoj 50mije shqiptare per te punuar ne bujqesi apo jo?? Sa e lavderoni greqin dhe grekun sado qe ju sillet keq. Shqiptaret e shkret e kane paguar dhe e paguajne ate vende ku jetojne biles shume shtrenjte me taksa etj ..e ju del shpirti per nje cop leter leje qendrimi. Tani kush e ka fajin ne kete rast ...shteti shqiptare shteti grek emigrantet apo koronavirusi ...??

    • Une: 16/08/2020 18:40

      mire e ke ti moj vjosa por nuk degjon koka e Telit dhe telave te tjere.. E lexon cfare thote Greqia ka mbajt 2 milion e mban 1 milion!! Truri i tij nuk e kupton qe njerezit i mbajne krahet e tyre me pune megjithese ju kane marre shpirtin ne Greqi 30 vjet me keqe se kafshet i kane trajtuar.. Teli pershembull nuk e di qe vende si Amerika, Australia, Gjermania apo Franca "mbajne" 10 milion Greke se Teli mendon qe emigracionin e shpiken shqiptaret duke vajt ne Greqi.. Po ik o lumadh se eshte turp vetem shqiptaret e Greqise shajne ardheun e tyre dhe sapo kalojne kufirin mbyllin gojen. Tamam si sklleverit as Sirianet dhe Kurdet nuk bejne kshu.

    • Teli: 16/08/2020 17:04

      Per cilin shtet e keni fjalen, ate ne Greqi apo ne Shqiperi? Ajo Greqi e falimentuar mbajti 2 milion shqiptare pas viteve 90, e tani me shume se 1 milion jetojne atje. Jane parate nga djersa e gjaku i ketyre njerzve ne shtete te "falimentuar" te Evropes, si Greqia, Italia, Gjermania etj., qe mban me te ardhura familjaret e tyre te pamundur ne Shqiperi. Shqiptaret fjalet "skemi shtet" e thone nen qeverisjen e PD, PS apo LSI. Ky eshte problemi moj zonje. Papergjegjshmeria e nje elite krimjnale qe na ka kapur prej fyti e po na rjep me para e pasuri te palujtshme. Tani, kuptohet, ato miza qe i rrine mbrapa kalot ndoshta kapin ndonje kothere, por jo pupulli. Nese ka nje shtet te falimentuar, ai eshte ketu ne Shqiperi.

  • Dhimitri: 16/08/2020 16:12

    Per Shqiperine keni ardhure

    Përgjigju
  • shqip: 16/08/2020 14:52

    Gjithmone vuajne keto per pushime dhe per votime. Zgjidhja mos hajdeni te votoni dhe rrini e pushoni ne Greqi. Te pakten askush nuk luan me dinjitetin tuaj.

    Përgjigju
  • Une: 16/08/2020 14:21

    Akoma ne kufi ju? Po ikni ore se lat nam turpi i zotit. Jeni me letra e pashaporta Greke ikni tek konsullata dhe ambasada Greke. Ngelet duke mallkuar Shqiperine sikur jua kemi ne fajin qe ju mbyll greku kufirin. Ju jeni mesuar me hurin e Grekut, andej rrini urte ketu terboheni.

    Përgjigju
  • Jorgot shqiptar: 16/08/2020 14:11

    Po si nuk doli nje politiqen I opozites te shaje Apo te flasi nje fjale per greket, te gjith te shitur dhe te paguar nga pala greke. Çfare faji ka shteti yne kur pala greke mbyll kufijte. Turp tju vije o legena te shitur.

    Përgjigju
  • BENI: 16/08/2020 13:58

    HERES TJETER HAJDENI ME AVION ATHINE-TIRANE PER 50 MIN,,,PSE TORUROHENI ME MAKINA OR TE BEKUAR,,,,....

    Përgjigju
  • Mjaft: 16/08/2020 12:46

    Punoni tokën në Shqipëri..dhe rrini në shtëpinë tuaj

    Përgjigju
  • Yunanistan: 16/08/2020 11:27

    Kthehuni mos u lodhni

    Përgjigju
  • polici: 16/08/2020 10:56

    tani nuk do kete me rradhe se do kthehen shumica se nuk duan te rrijne mbyllur 7 dite....e te shohim se kujt do ja vene fajin tani

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Vonesa e anulime në fluturime, 60% e udhëtimeve me probleme nga Wizz Air, mijëra qytetarë rrugëve në 2023!  ‘Air Albania’ prej kompanive më të mira

Vonesa e anulime në fluturime, 60% e udhëtimeve me probleme nga Wizz Air, mijëra qytetarë rrugëve në 2023! ‘Air Albania’ prej kompanive më të mira