TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka bërë përgjegjëse kryesore qeverinë, për situatën e krijuar në Kakavijë prej 5 ditësh. Meta e nisi konferencën për mediat me një falje në emër të shtetit drejtuar qytetarëve që pritën në radhë, teksa ka hedhur akuza të drejtpërdrejta për Edi Ramës se nuk i ka ushtruar përgjegjësitë e tij, as si kryeministër dhe as si ministër i Jashtëm, por i braktisi qytetarët. Teksa bën fajtore qeverinë, kreu i shtetit mbrohet duke thënë se ai vetë ka bërë përpjekje maksimale për ta zgjidhur këtë situatë, por pyetjes së Report Tv se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, Meta u mjaftua të thoshte vetëm se "janë bërë të gjitha veprimet e duhura".

"Nga ana e presidentit janë bërë të gjitha veprimet e duhura, jo vetëm publikisht që kanë qenë shumë të rezervuara për të mos ndikuar në një debat të panevojshëm, duke qenë se ishte një çështje shumë e madhe humanitare. Në të gjitha rastet presidenca ka bërë përpjekjet e tij më të mira, që të parandalojë çështje të tilla", tha Meta. 

Për kreun e shtetit kjo situatë mund  të ishte parandaluar pasi ishte e pritshme që do të kishte një fluks të madh të emigrantëve në kufi, pasi përkon me kohën kur emigrantët rikthehen në shtëpitë e tyre. Nisur nga kjo, Meta nuk i ka kursyer as ironitë, për qeverinë, ku thotë se do u dërgojë një kalendar me të gjitha festat e rëndësishme ku pritet një fluks i madh në kufi.

"Nga dita e nesërme do i çoj një kalendar qeverisë sipas vlerësimit të institucionit tonë për të parandaluar raste të tilla, duke pasur parasysh frekuencën e kalimit në kufi, që nga Pashkët, Krishtlindjet, Viti i Ri, kohën kur vijnë në pushime dhe kur largohen që të mbajnë punën atje", tha Meta.

VIDEO/Konferenca e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:03
Meta: Në shtator do kemi kohë për të folur për Kushtetutën (VIDEO)

Edhe pse fokusi i konferencës së tij ishte situata në Kakavijë, presidenti Ilir Meta nuk ka kursyer edhe komentet për Gjykatën Kushtetuese si dhe Kushtetutën, në përgjigje të interesit të gazetarëve. Meta paralajmëroi zhvillime të reja në shtator.

"Kam zero komente për Gjykatën Kushtetuese, nëse do ishin ndjekur hapat zyrtar të marra nga Meta, Shqipëria nuk do ishte asnjë orë pa gjykatë Kushtetuese. (...) Për Kushtetutën kemi kohë në shtator, kemi 3 vjet që flasim dhe jemi këtu se jemi sjellë në mënyrë të papërgjegjshme me Kushtetutën që nga prilli i vitit 2008", tha Meta.

Ora 13:54
Ndërhyrja e Janullatos për krizën në Kakavijë/ Meta: Përgjegjësi e shtetit shqiptar! (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta ka komentuar edhe ndërhyrjen e kryepeshkopit Anasatas Janullatos në krizën e Kakavijës, duke thënë se është e gjitha një përgjegjësi e shtetit shqiptar. Ai ka theksuar së në një situatë të tillë, Rama ka pasur përgjegjësi të dyfishtë, si kryeministër, por edhe si ministër i jashtëm.

"Çdo përpjekje për të fajësuar palën greke është pa kuptim. Ne e dimë që grekët e bëjnë detyrën e tyre në mënyrë të jashtëzakonshme. Ishte dhe është përgjegjësi e plotë e shtetit shqiptar, përfshirë dhe presidentin, por në mënyrë të veçantë e qeverisë shqiptare. Kryeministri ka përgjegjësinë edhe si kryeministër, por edhe si ministër i Jashtëm. Ne e dimë shumë mirë kur është frekuenca më e lartë e qarkullimit të qytetarëve, ndaj nuk duhej krijuar kjo situatë e jashtëzakonshme", tha Meta.

Ora 13:43
Situata në Kakavijë/ Ironia e Metës: Sot do i çoj qeverisë një kalendar me festat se kur rikthehen në atdhe emigrantët (VIDEO)

Për reagimin e tij të ashpër, presidenti Ilir Meta tha ishte e ditur pasi qeveria shqiptare po u hidhte fajin qytetarëve në kufi se përse nuk kishin marrë masat e duhura. Meta nuk i ka kursyer ironitë, duke thënë se do i dërgoj një kalandar të datave që ka më shumë fluks të emigrantëve që ta kenë parasysh.

"Isha i detyruar që të reagoja më qartë se në vend të një situate me përgjegjshmëri, ndjeshmëri dhe shqiptarizëm se janë njerëzit tanë që mbajnë vendim për 30 vite me sakrificat e tyre, kur pashë që po u vihej faji atyre për detyrat e pakryera në kohë nga ana e institucioneve shqiptare, sigurisht isha i detyruar që të përshkallëzoja reagim. Nga dita e nesërme do i çoj një kalendar qeverisë sipas vlerësimit të institucionit tonë për të parandaluar raste të tilla, duke pasur parasysh frekuencën e kalimit në kufi, që nga Pashkët, Krishtlindjet, Viti i Ri, kohën kur vijnë në pushime dhe kur largohen që të mbajnë punën atje", tha Meta.

Ora 13:38
'Çfarë ka bërë për të zgjidhur krizën në Kakavijë'/ Ja si përgjigjet Meta (VIDEO)

Pyetjes së gazetares së Report Tv, Klesiana Omeri se çfarë ka bërë për të zgjidhur krizën në Kakvijë, presidenti Ilir Meta u mjaftua duke thënë se "janë bërë të gjitha veprimet e duhura", pa dhënë shumë detaje. Ndërkohë, ai ka shprehur edhe rezerva për stafin diplomatik në Greqi, i cili tha se ndryshimet janë bërë nga qeveria pa marrë një mendim nga presidenca. Megjithatë, pavarësisht kësaj, Meta tha se kjo nuk e pengoi që të bashkëpunonte.

"Nga ana e presidentit janë bërë të gjitha veprimet e duhura, jo vetëm publikisht, që kanë qenë shumë të rezervuara për të mos ndikuar një debat të panevojshëm, duke qenë se ishte një çështje shumë e madhe humanitare. Ky nuk ishte rasti i ri, ishte dhe në Kapshticë, ku shumë qytetarë u lanë për ditë e net të tjera pa u asistuar dhe pa hyrë në territorin e vendit të tyre,  në të gjitha rastet presidenca ka bërë përpjekjet e tij më të mira, pa ndezur debate të panevojshme, që të parandalojë çështje të tilla. Edhe pse qeveria duhet të ishte konsultuar me presidentit, për ndryshimet e personelit diplomatik në Greqi, por i bëri fakt të kryer, edhe pse kam pasur rezerva për këtë sjellje, është treguar shumë bashkëpunues duke shmangur bllokimet dhe debatet publike. Asgjë nuk e justifikon sjelljen e qeverisë", tha Meta.

Ora 13:29
Situata në Kakavijë/ Meta: Ka të bëjë me përgjegjësitë e paushtruara nga qeveria (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta ka bërë fajtore kryesore qeverinë për situatën e krijuar në Kakavijë. Ai e nis me një falje që u kërkon qytetarëve, teksa thekson se qeveria duhet t'u subvencionojë paratë për bërjen e testit. 

"Ditët e fundit të gjithë jemi tronditur nga situata e jashtëzakonshme humanitare që u krijua në Kakavijë, ku mijëra emigrantë dhe shtetas shqiptarë, fëmijë e të moshuar, u lanë me ditë të tëra të braktisur dhe në kushte tejet të vështira. Kam qenë gjithmonë dhe vazhdoj të mbetem bashkëpunues me qeverinë, për t’u bërë pjesë e sensibilizimit e duke vepruar dhe apeluar vazhdimisht mbi përgjegjësinë që secili duhet të marrë për të kapërcyer së bashku, me sa më pak kosto, situatën e pandemisë COVID-19 në Shqipëri.

Situata e krijuar në Kakavijë ka të bëjë vetëm me përgjegjësitë e paushtruara në kohën e duhur nga ana e qeverisë shqiptarendaj shtetasve të saj. Ashtu siç ka ndodhur shpeshherë, qeveria gjen justifikimet duke drejtuar gishtin nga ana tjetër e kufirit ndërkohë që është përgjegjësia e saj parësore të marrë të gjitha masat dhe të kujdeset në kohën e duhur për për shtetasit e saj.

Çfarë informacioni dhe sqarimi u është dhënë njerëzve që udhëtojnë jashtë vendit dhe në mënyrë të veçantë atyre që udhëtojnë për në Greqi? Çfarë paralajmërimesh dhe parashikimesh në kohën e duhur ka bërë qeveria shqiptare? A ka patur ndonjë njoftim zyrtar nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme mbi kuotën e leje kalimit prej 700 personash në ditë? Përgjegjësia është vetëm mbi qeverinë shqiptare dhe shtetin.

Radha të gjata ka patur edhe në situata normale pasi pika e kalimit në Kakavijë mban një ngarkesë mjaft të madhe në qarkullimin me shtetin fqinj, dhe tradicionalisht muaji gusht mbetet tepër i ngarkuar,aq më tepër në kushtet e sivjetshme të jashtëzakonshme të pandemisë, ku kërkohej një trajtim krejt i veçantë, përmes informimit, parapërgatitjeve dhe planifikimeve në mënyrë që të parandalohej ajo që ndodhi dhe që i tronditi të gjithë. Radhët e gjata kilometrike të shqiptarëve në kufi, sidomos në kushtet e pandemisë janë të pajustifikuara nga autoritetet tona.

Një qeveri e përgjegjshme nuk  reagon pas krijimit të situatave të jashtëzakonshme, por ajo i parandalon situata të tilla që cenojnë jo vetëm integritetin dhe dinjitetin e shtetasve, por rrezikojnëedhe shëndetin e mijëra qytetarëve që kaluan ditë dhe netë të tëra në kushte të vështira. Askush nga institucionet nuk i njoftoi qytetarët para se të niseshin mbi kushtet e hyrjes në kufirin me vendin fqinj. As për tamponët në 72 orët e fundit, as për rezultatin e përkthyer në anglisht, dhe asnjë informacion tjetër nuk u dha.E për më tepër qeveria fajësoi edhe vetë qytetarët për krijimin e radhëve të gjata. Kjo është e pafalshme dhe e papranueshme sepse është vetëm papërgjegjshmëri. Duhet të freskojnë dhe të përcjellin në mënyrë të përditshme informacionin mbi lëvizjen jashtë kufijve dhe mbi të gjitha qeveria duhettë sigurojë tamponë falas për qytetarët tanë.

Një tampon prej 120-140 eurosh është i papërballueshëm nga një familje me disa pjesëtarë. Qeveria shqiptare duhet të subvencionojë tamponët dhe të marrë masa të menjëhershme që situata e krijuar në Kakavijë të mos përsëritet më në të ardhmen në asnjë pikë të kalimit të kufirit. Vendi ka nevojë sot, më shumë sesa kurrë për përgjegjshmëri dhe përkujdesje ndaj të gjithë shtetasve tanë. U kërkoj ndjesë si President i Republikës, të gjithë qytetarëve tanë, të cilët kaluan ato ditë dhe ato netë me sakrifica të jashtëzakonshme", tha Meta.