/ATSH-Anila Struga/.- Komisioni parlamentar i politikës së Jashtme po zhvillon të mërkurën një seancë diskutimi me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme lidhur me zhvillimet e fundit dhe situatën në Republikën e Maqedonisë.
Në fillim të mbledhjes kryetarja e komisionit, Arta Dade ndërsa vuri në dukje interesimin e qeverisë shqiptare për zhvillimet në vendin fqinj, shprehu mungesën e përfaqësimit të Shqipërisë, në nivel ambasadori në selinë diplomatike në Shkup.
"Komisioni është i shqetësuar se prej kohësh e ka miratuar kandidaturën e ambasadorit të Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, por ende Republika e Shqipërisë nuk është paraqitur në nivel ambasadori në selinë tonë diplomatike në Shkup", u shpreh ajo.
Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Qirjako Qirko duke vënë në dukje vëmendjen e treguar nga shërbimi i jashtëm shqiptar për situatën në Maqedoni, konfirmoi se 'në zhvillimet dhe krizën e tejzgjatur politike në këtë vend, faktori politik shqiptar ka qënë një faktor stabiliteti. Ne nga ana jonë, përmes përfaqësisë sonë diplomatike, kemi kontribuar në drejtim të rivendosjes së dialogut mes partive në Maqedoni".