88 ditë pas votimit të 4 marsit - pas krizës më të gjatë dhe më të vështirë në historinë republikane italiane, është arritur marrëveshja për krijimin e qeverisë mes koalicionit të 5 Yjeve-Lega.
Pas një dite të zënë bisedimesh, takimesh dhe negociatash, duket se u gjetën "kushtet" e përshtatshme për krijimin e qeverisë së re në Itali. Pas 3 muajsh ngërci politik duket se kriza politike në Itali është drejt fundit.
Presidenti Mattarella ka dhënë aprovimin e tij për krijimin e qeverisë së re me kryeministër Giuseppe Conten, dhe pritet që betimi të bëhet nesër në orën 16:00.
Takimi mes Luigi Di Maio dhe Matteo Salvinit ka prodhuar dakordësi për një qeverisje politike me profesor Giusepe Conten si kryeministër. Marrëveshja e arritur mes tyre shmang zgjedhjet e parakohshme në Itali.
Giovani Tria është zgjedhur si ministër i Ekonomisë dhe ka zevendësuar emrin e kontestuar të Paolo Savones. Ky i fundit nuk është lënë jashtë kabinetit, por i është besuar ministria e Politikave të Komunitetit.
Në marrëveshjen e parë mes dy partive politike u kundërshtua nga presidenti Mattarella që Savona të vendosej si ministër i Ekonomisë pasi ai shihej si një skeptik i fortë ndaj monedhës euro.
Në një lidhje me Skype nga Italia për Report Tv, gazetari i Corriere della Sera, Leonard Berberi, tha se Conte do të ketë vetëm rol administrativ dhe do të jetë i varur nga dy liderat Di Maio-Salvini që e propozuan si kryeministër të vendit fqinj.
Lista me emrat e qeverisë së re italiane:
President i Këshillit (kryeministër) – Giuseppe Conte
Zv.president i Këshillit (zv.kryeministër) dhe ministër i Punës – Luigi Di Maio (M5S)
Zv.president i Këshillit (zv.kryeministër) dhe ministër i Brendshëm – Matteo Salvini (Lega)
Marrëdhëniet me Parlamentin dhe demokracinë e drejtpërdrejtë – Riccardo Fraccaro (M5S)
Administrata Publike – Giulia Bongiorno (Lega)
Çështjet Rajonale dhe Autonomia – Erika Stefani (Lega)
Ministër për Jugun – Barbara Lezzi (M5S)
Ministër për Personat me Aftësi të Kufizuara – Lorenzo Fontana (Lega)
Ministër i Marrëdhënieve të Jashtme – Enzo Moavero Milanesi
Ministër i Drejtësisë – Alfonso Bonafede (M5S)
Ministër për Mjedisin – Sergio Costa (M5S)
Ministër i Mbrojtjes – Elisabetta Trenta (M5S)
Ministër i Ekonomisë – Giovanni Tria
Ministër për Politikat e Agrikulturës – Gian Marco Centinaio (Lega)
Ministër për Infrastrukturën – Danilo Toninelli (M5S)
Ministër i Arsimit – Marco Bussetti (Lega)
Ministër i Kulturës dhe Turizmit – Alberto Bonisoli (M5S)
Ministër i Shëndetësisë – Giulia Grillo (M5S)
Ministër për Komunitetet – Paolo Savona
Nënsekretar i presidentit të Këshillit (kryeministrit) – Giancarlo Giorgetti (Lega).

(Anëtarët e Kabinetit të ri qeveritar në Itali)
Komente











