Sjellja prej fajtori e Ilir Metës

Sjellja prej fajtori e Ilir Metës

Ilir Meta

Për të analizuar personalitetin e dikujt mjafton të lexosh atë çfarë artikulon gjuhësisht dhe si sillet konkretisht. Ilir Meta edhe mund të mos ketë qenë bashkëpunëtor i sigurimit, por e gjithë sjellja e tij publike pas datës 26 korrik, kur Autoriteti i Dosjeve hodhi dyshimin e arsyeshëm që implikonte emrin e tij në një dosje të klasifikuar, nuk shpreh gjë tjetër vetëm se acarim të atij që është kapur gafil në faj.

Të njëjtën gjë kanë synuar edhe njerëzit e tij në media, ku fillimisht u bllokua dhe nuk u dha lajmi. Për orë të tëra, përveçse në një media online, njoftimi nuk u shfaq në asnjë portal, ndonëse interesi për të do duhej të ishte i madh. Vetëm mbrëmjen e asaj dite, pas reagimit të një zyrtari të lartë të Partisë së Lirisë, lajmi i Autoritetit të Dosjeve u publikua, më tepër për të shoqëruar reagimin e ish-zëdhënësit të Presidentit se sa për të paraqitur lajmin në vetvete.

Të nesërmen e asaj dite, në vend që të dilte zoti Meta dhe të sqaronte situatën, vijoi përpjekja e relativizimit të ngjarjes. Për konsum mediatik dhe për barazim të situatës u botua një skicë e dikurshme e piktorit Edi Rama, sot Kryeministër i vendit, e cila shoqëronte një tregim soc-realist me spiunë dhe agjenturë. Përveçse një shfaqësim i zbehtë, edhe ky reagim u duk i kotë, sepse ai nuk sqaronte asgjë të re për atë që thoshte Autoriteti i Dosjeve. Edhe në qoftë se Edi Rama i ka shërbyer sigurimit të shtetit nëpërmjet asaj skice, a e shfaqëson një gjë e tillë subjektin IM, të përmendur në dosjen e sigurimit? Edhe kur reagoi, Ilir Meta nuk tha asgjë të re. Në fillim ai fajësoi Kryetaren e Kuvendit si dikë që e kishte respektuar, por që ishte treguar mosmirënjohëse ndaj tij, pastaj akuza do të vijonte me Edi Ramën si kokën e komplotit. Që shefi i mazhorancës të ketë hedhur gurin dhe të ketë fshehur dorën, nuk do ishte çudi, mirëpo, pavarësisht kësaj, kjo nuk e zhbën faktin dhe thelbin e së vërtetës.

Ky refren ka mbizotëruar përgjatë gjithë gushtit, ku zoti Meta ka qenë përditë prezent në media. Edhe ditën e hënë ai ka vijuar t’i quajë akuzat ndaj tij si lojëra dhe përralla, duke vijuar me sulme ndaj Autoritetit të Dosjeve si të përdorur në mënyrë kriminale. Madje, prej 1 shtatorit ka premtuar se do ta hedhë në gjyq këtë institucion për keqpërodrim të të dhënave sekrete. (Pyetje: pse në 1 shtator dhe jo që ditën e njoftimit zyrtar të këtij insitucioni?). E vërteta është se nëse do të ishim përballë një sajese dhe inskenimi, gjithçka mund të sqarohej shumë lehtë nëpërmjet një kërkese pranë Autoritetit të Dosjeve dhe duke kërkuar t’i vihet në dispozicion gjithë informacioni i disponueshëm për shtetasin Ilir Meta. Një gjë e tillë nuk do të kishte nevojë as për akuza, as për kërcënime, as për intimidime dhe do t’i bënte një nder të madh figurës së zotit Meta, duke e pastruar përfundimisht dhe, nga ana tjetër, do të tregonte pacipësinë e institucioneve shtetërore, të cilat, me urdhra politik, janë të gatshme të shantazhojnë gjithkënd, madje edhe kur bëhet fjalë për Ilir Metën. Imagjino se çfarë mund të bëhet me qytetarët e thjeshtë?!

Kjo zgjidhje e lehtë nuk ka ndodhur dhe gjasat janë të mos ndodhë as në ditët në vijim.

Është e qartë se mëkati më i madh politik i Ilir Metës nuk është bashkëpunimi i dikurshëm me sigurimin famëkeq të shtetit. Koha do të na i tregojë rrethanat e ngjarjes, por një diskutim i tillë, pavarësisht se bëhet shumë vonë dhe në kushtet e një qeverisje shumë të keqe për vendin, tregon dështimin tonë si shoqëri në ndërtimin e demokracisë dhe në shkëputjen nga e kaluara komuniste. Sepse një herë jemi drejtuar nga ish-komunistët e konvertuar në demokratë, duke nga bërë të gjithëve bashkëfajëtor dhe bashkëvuajtës, pastaj jemi drejtuar nga bijtë e ish-xhelatëve të diktaturës së egër dhe, kur kemi menduar se jemi drejtuar nga njerëz që kanë pasur probleme, por jo të kësaj natyre me të kaluarën, na shfaqet ana e errët dhe litari i lënë jashtë, i cili nuk na la kurrë të lirë dhe na mbajti peng gjithë kohës edhe nëpërmjet ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë