Skënder Kraja, mjeshtri i skulpturës
që ngriti një koloni arti

Skënder Kraja, mjeshtri i skulpturës<br />që ngriti një koloni arti
Sivjet në korrik, gjatë pushimeve në plazhin e mrekullueshem të Velipojës, u kuriozova të bëj një shetitje për të parë investimet e reja, ndertimet komune dhe ato private, të cilat shtohen çdo vit e me shumë në pamjen e këtij gjiu. Në mes ndërtesave shumë katëshe që hedhin shtat dita-ditës, çdo pushuesi i bie në sy një “OAZ” druri që mban mbishkrimin "Kolonia e artistëve Velipojë.

Kisha dëgjuar për këtë Koloni, por nuk kisha patur rastin të futem mbrenda botës shumë ngjyrëshe të saj. Me statusin e turistit, mora inistiativën “të trokas” në portën e saj. Mikpritësin që u shfaq në derë e njoha menjëherë,  ishte  Mjeshtri i Skulpturës, artisti i madh Skënder Kraja. Kujtimet më kthyen në vitet e fëmijërisë, kur ish profesori im na mësonte me kujdes të bënim vizatimet e para me teknikën dritë hije, apo të hidhnim mbi fletoret e vizatimit skicat e objekteve që zgjidhnim vetë me motive nga natyra apo historia jonë kombëtare.

Profesor Skënderi, një burrë i hijshëm e që fliste pak, mundohej që ato minuta të orës së mësimit të na fuste në botën e personazheve të historisë  apo mitologjisë shqiptare, për të na zhvilluar fantazinë në mënyrë që të ngacmonte krijimtarinë tonë për të gjetur tema për punimet tona. Nganjëherë ora e vizatimit kthehej në orë historie e patriotizmi, ku të gjithë ndiqnim me andje, bile edhe kokat “më të nxehta” të klasës, tregimet e mrekullueshme të profesorit.
Sic e do zakoni i shqiptarit, biseda filloi në sofrën e përgatitur enkas për miqtë, ku sipas rastit, ndeja e biseda, zbukurohet me ndonjë gotë raki apo kafe. Kërkova leje të pyes për këtë djep mikpritje ku gjenin strehë e përkrahje artistë nga të gjitha trevat shqiptare, burra e gra, familje artistësh apo edhe studente të sapo diplomuar në të gjitha gjinitë e artit pamor.

Siç më tregoi Profesor Skënderi, kishte pothuajse 8 vjet që  i përkrahur nga familja e tij, me shumë mund e përpjekje, kishte arritur të konkretizonte dëshirën e tij, për të hapur këtë koloni. Këtu çdo gjë funksionon thjeshtë, më tha ai. Për të gjithë artistët (kryesisht piktorë e skulptorë) gjindet hapësirë, mikpritje e kushte, për të realizuar një vepër arti e cila më pas bëhet pjesë e koleksionit të kolonisë. Shpesh me këto vepra organizohen ekspozita, që zbukurojnë jetën kulturore të pushuesve të Velipojës apo i japin kënaqësi artëdashësve shkodranë të cilët rrugëtojnë posaçërisht nga qyteti.

Biseda ime u soll tek jeta artistike e Mjeshtrit Skënder Kraja i cili më tregoi se ka lindur në Shkodër me 9 Mars 1944. Me deshirën e madhe për të hyrë në rrugën e artit, mësoi në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, të cilin e kreu në vitin 1964 e më pas  Institutin e lartë të Arteve, në vitin 1969. Profesor Skënderi ishte bërë i njohur në të gjithë vendin me veprat e tij unikale të punuara në gurë, dru apo gips. Veprat e tij “merrnin frymë shqip”, ato dilnin nga historia jonë mijëvjeçare për të zbukuruar më pas sheshet, lulishtet, sallonet apo ndonjë koleksion privat.

Të shumta ishin ekspozitat e organizuara me veprat e tij, por edhe vlerësimet për punën e tij ishin të larta duke bërë të tijat disa çmime kombëtare e ndërkombëtare. Ai ka marrë pjesë me objektet e tij edhe në aktivitete ndërkombëtare duke lënë mbresa të thella tek shikuesit të cilët janë shprehur disa herë nëpërmes organeve të shtypit, televizionit apo në takime direkte. Por Profesor Skënderi dëshironte që artin e eksperiencën e tij të vyer ta shpërndante më tej, duke ardhur tek ideja e krijimit të kolonisë. Në këtë bashkësi të mirëpritur nga të gjithë, bëhet jo vetëm art, por aty bisedat e netëve të verës sillen rreth cështjes tonë kombëtare, Kosovës, Camërisë e të gjithë trojeve tona.

Aty është i mirëpritur edhe shkëmbimi i ideve, kulturave, bile ngadonjëherë spontanisht dëgjohen edhe këngë popullore tradicionale të sjellura me pasion nga artistët miq. Nuk mungon edhe humori, që për shkodranët e shumtë që vizitojnë koloninë, është në rendin e ditës. Nganjëherë organizohen për miqtë edhe ekskursione në natyrë për të njohur e promovuar bukuritë e vendit tonë.

Ashtu si skulptori Skënder Kraja,  edhe familja e tij është e angazhuar plotësisht për të pritur e përcjellur miqtë e artit, me një  përkushtim që të ngjall respekt të thellë. Në ditët e sotme, kur vetë shteti dhe komuniteti ka përherë e më shumë vështirësi ekonomike, kolonia i mban dyert e hapura për të gjithë ato që trokasin. Artistë shqiptar nga diaspora flasin me superlativa për mikpritjen e familjes Kraja. Ndër to edhe Skulptori me banim në Vjenë, Destan Gashi i cili së bashku me bashkëshorten austriake piktoren e mirënjohur Barbara, përjetuan momente të paharrushme në Koloninë e Artistëve.

Skulptori Skënder Kraja edhe pse në pension, është shumë aktiv në punën e tij. Në studion e tij në Shkodër, vazhdojnë të mbarsen idetë për projekte e vepra të reja, gjë që shihet nga bocetet apo objektet që presin vazhdimësinë e punës. Akti i dhurimit të bustit të heroit tonë kombtarë Skënderbeut vendit të tij të origjinës Krajës, një veprim  patriotik por edhe bujar, me ngjalli emocione të forta me të cilat u largova dhe vendosa ti hjedh në këtë shkrim. Lashe KOLONINE E ARTISTEVE VELIOPOJE duke përshpëritur me vehte: e lumja Shkodër që ka në gjirin e saj artiste e patriot si Skulptori Skënder Kraja dhe familja e tij....

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.04.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri