Skënder Tufa: Shoshori na tha
se Berisha do na marrë më qafë

Skënder Tufa: Shoshori na tha <br />se Berisha do na marrë më qafë
TIRANE-Kryetari i shoqatës së të burgosurve politikë të Shqipërisë, Skënder Tufa, (ne foto) bashkëvuajtës në burgjet e diktaturës bashkë me Shoshorin në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" thotë se ai që kur ishin në burgun e Sarandës në vitin 1990 tha se Berisha do marrë Shqipërinë më qafë. Tufa flet për vuajtjet e diktaturës dhe akuzon Berishën si persekutor dhe diktator si Enver Hoxha.

Si e vlerësoni dekorimin nga Presidenti të Hysen Shoshorit?
Ndonëse i vonuar, dekorimi i z.Hysen Shoshori nga shumë i nderuar zoti President i Republikës, Bamir Topi, është një nderim për Hysenin, për familjen e tij të persekutuar në skajin më ekstrem të fjalës "persekutim" si dhe për ne miqtë, bashkëvuajtësit e tij. Vepra e Hysen Shoshorit është unike jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë evropën postkomuniste, për arësye se ai me guxim dhe kurajo të pakrahasuar për 13 vite me radhë ka shtypur dhe shpërndarë 41 100 trakte, të cilat kanë shërbyer sadopak për ndërgjegjësimin e qytetarëve ndaj regjimit diktatorial të Hoxhës.

Po vonë ama...?
Ky dekorim nderon dhe atë shtresë që sot po persekutohet nga qeverisja aktuale e cila është vazhduese e regjimit të kaluar, me trajtimin që u bën të burgosurve politikë, me uzurpimin e të gjitha pushteteve, diktatori i ri Sali Berisha i ka kaluar kufinjtë e një diktatori të tillë. I cili nëse do të bëhej një barazim arithmetik do të na dilte Enver+Ramiz=Sali. Dekorimi i zotit Shoshori është frymëzim për ne të burgosurit politik të brezit të ri, njëkohësisht duhet t'i shërbejë ndërgjegjes së fjetur aktuale shqiptare, që ta thotë fjalën e saj pa frikë, ashtu sikurse ky martir në kohën më të egër të diktaturës, i vetëm, foli qartë për 13 vite me radhë.

Pse zoti Shoshori nuk ishte prezent në marrjen e dekoratës..?
Me sa kemi dijeni zoti Shoshori është në gjendje të rëndë shëndetësore. Kontaktet me mikun tim Hysen Shoshori nuk kam mundur që ti kem pas daljes time nga burgu i dytë. Për të sqaruar diktaturën e kamufluar vetëm për intervistën që kam bërë me zotin Shoshori në vitin 2002, njerëzit e Berishës më kanë kërcënuar me jetë për ta tërhequr atë. Dhe kur unë nuk kam pranuar ta tërheq akuzën, më ka burgosur me akuza absurde, për t'u hakmarrë ndaj këtij veprimi. Persekutimi që po bën pushteti aktual kundër të burgosurve politikë, është i pashoq. Dhe në disa drejtime ia kalon atij të diktaturës së vjetër. Konkretisht, sot kemi gjyqe politike kundër të burgosurve politikë. Kemi ndalime nëpër komisariate, nga tubimet që bëjnë të burgosurit politikë, për të cilat është në dijeni dhe ka ndërhyrë dhe Avokati i Popullit.

Ku konsiston kjo dhunë....?
Të burgosurve politikë ju ndalohet e drejta e tubimit, duke iu kthyer përgjigjie absurde. Këto veprime të njëanshme kundrejt kësaj shtrese, për të cilën qeverisja aktuale ka publikuar se janë themeli i demokracisë, realisht janë delja e zezë e këtij regjimi, i cili duke fyer, rrahur, riburgosur dhe dënuar të burgosurit politikë për motive politike, dëshmon se është një regjim diktatorial, i aftë të shtypë çdo përpjekje qytetare për liri dhe drejtësi.

Presidenti në largim Topi, me dekorimin e Shoshorit që ka akuzuar Berishën se i ka dalë dëshmitar duke kërkuar dënimin me varje, është një provokim ndaj kryeministrit, njëherësh dhe rivalit politik?
Jo aspak. Zoti Topi gjatë mandatit të tij ka dëshmuar ekuilibër dhe qytetari që u mungon shumë politikanëve të sotëm. Dekorimi i Shoshorit është tepër i vonuar për arësye se, vepra e tij unike që është tregues për një rend demokratik, nuk ka mundur që të nxirret në pah, për arësye se ky martir është fisnik. Ai kurrë nuk tha se: unë jam heroi që kam bërë veprën e shpërndarësit të trakteve kundër diktaturës dhe vetëm diktatorit Hoxha. Sali Berisha, përgjatë gjithë kohës që drejtonte qeverinë, vazhdoi persekutimin kundër Hysen Shoshorit. Kalvari i këtij personi nuk ka mbaruar ende. Dekorimi që i bëri presidenti është vetëm njëra anë e medaljes së veprës së tij që u ndriçua.

Po për politikën shqiptare...?
Ky vlerësim i merituar është dhe një thirrje që i bëhet politikës aktuale shqiptare për të trajtuar shtresën e të burgosurve politikë të diktaturës hoxhiane sipas standardeve ndërkombëtare. Lojrat e qeverisë aktuale me ç'dëmtime për burgun për të burgosurit politik duhet të marrin fund menjëherë. Të burgosurit politikë duhet të integrohen në jetë dhe qeveria në bazë të ligjeve të dala nga parlamenti, jo nga VKM-të e qeverisë, duhet të trajtojë financiarisht këtë shtresë sa më parë që të jetë e mundur, për arësye se po i bëhet një spekulim financiar me paratë e burgut, duke ju vjedhur çdo ditë me anë të inflacionit.

Sa vite burg bëri Shoshori dhe si u trajtua familja e tij?
Ai bëri 17.5 vite burg dhe jemi liruar në të njejtën ditë, më 17 mars të vitit 1991. Asnjeri nuk kishte që të na priste te dera e burgut, ditën e lirimit, për arësye se familjet tona ishin të internuara. Familja e Shoshorit, e ndjeu thellësisht kalvarin e persekutimit.

Berisha e mohon të ketë qënë dëshmitar, jo më të ketë kërkuar varje në litar për Shoshorin. Si është shprehur dhe në konfidencë Shoshori për këtë çështje?
Berisha e ka zakon ta mohojë krimin e tij. Kështu ka ndodhur me çështjen "Trebicka", me të nderuarin Remzi Hoxha, me "Gërdecin", më "21 janarin" etj. Deklaratat e tij nuk surprizojnë askënd sepse janë të mbushura me mashtrime dhe gënjeshtra. Nuk dua të zgjatem shumë, por dua t'ju citoj këtu një thënie të shkurtër të gruas së diktatorit Hoxha, Nexhmije Hoxhës. E cila pas pyetjes që i bëri moderatori i një emisioni televiziv se përse nuk e morët Berishën si doktor të familjes, ajo u shpreh: Nuk donim të fusnim UDB-në jugosllave në familje. Miku im Hysen Shoshori, ka qënë tepër i afërt me mua dhe me një rreth të ngushtë miqsh. Në burgun e Sarandës, kur kemi parë për herë të parë protestat e studentëve e të popullit të etur për liri që drejtoheshin nga Sali Berisha, Hysen Shoshori tepër i pikëlluar, i habitur dhe njëkohësisht i indinjuar është shprehur mes nesh: "Populli shqiptar nga shiu do të bjerë në breshër. Për arësye që ky që drejton këto protesta është dëshmitari që ka klërkuar varjen time në litar në vitin 1975".

E mbante mend dhe si emër...?
Në intervistën që unë kam botuar në gazetën e të burgosurve politikë "Plaga", botues i të cilës isha unë, zoti Shoshori është shprehur pas pyetjes që i kam bërë për herë të dytë, nëse është i sigurtë që Sali Berisha ishte dëshmitari i tij në gjyqin politik se: "S'mund të harrohet kurrë bisha që të kafshon". Eshtë pikërisht kjo thënie lapidare e këtij martiri, e cila sot ndihet nga çdo qytetar i thjeshtë. Unë nëpërmjet gazetës suaj do t'i ktheja dhe një përgjigjie disa diplomatëve të huaj të cilët janë prononcuar në media të habitur për mopsreagim qytetar. Të nderuar zotërinj, pushteti i sotëm është vazhduesi i pushtetit të djeshëm dhe pse i ngjyrosur.

Intervista u botua sot në gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares



×

Lajmi i fundit

Operacion në zhvillim e sipër, SPAK 20 masa sigurie në lidhje me inceneratorin e Tiranës! Masa për kompanitë guackë, dyshohet edhe për 2 të lidhur me median

Operacion në zhvillim e sipër, SPAK 20 masa sigurie në lidhje me inceneratorin e Tiranës! Masa për kompanitë guackë, dyshohet edhe për 2 të lidhur me median