Java e 17-të e Superligës është hapur me ndeshjen Laçi-Skënderbeu, e cila ka përfunduar me fitoren e kampionëve në fuqi të vendit me rezultatin 0-2. Skënderbeu shkëputet pas kësaj fitoreje nga ndjekësit më të afërt, që janë durrsakët e trajnerit Magani me 12 pikë duke qëndruar të qetë për pjesën e mbetur të kampionatit, pasi titulli i tretë radhazi pothuajse është hipotekuar. Korcarët përballë ekipit të Lacit kanë zbritur në fushë me disa mungesa të rëndësishëm në repartin e mbrojtjes dhe sulmit, pasi për trajnerin Josa nuk ishin të disponueshëm për të luajtur sulmuesi Pero Pejic dhe mbrojtësi Renato Arapi. Ndeshja ka nisur mjaft mirë për ekipin e Mirel Josës që tenton golin me dy sulmuesit kryesorë Sebino Plaku dhe Bekim Kuli.

Në minutën e 8' të ndeshjes Plaku ka një mundësi të mirë për të kaluar në avantazh ekipin e tij, pasi një topi të Kulit, por goditja përfundon mbi traun e portës së portierit lacian. Vendasit tentojnë që të kundërpërgjigjen me zbritje të shpejta, por Bici në mbrojtje është i pakalueshëm. Në pjesën e parë nigeriani Orelesi kthehet në protagonist kryesor me bllokimin e kundërshtarëve në sulm dhe aksioneve të shpejta nga e majta dhe mesfusha së bashku me Shkëmbin dhe Lilajn. Në minutën e 34' Orelesi me një aksion individual kroson bukur në zonë për Plakun, i cili i vetëm me portierin Bakaj nuk arrin që të dërgojë sferën në rrjetë.

Pas disa tentativa, Skënderbeu gjen golin, pas një goditje dënimi nga Radas, Plaku nuk gabon duke e dërguar topin në rrjetë në minutën e 61-të. Por korcarët nuk kënaqen me një gol dhe po me të njëjtën skemë shënojnë edhe golin e dytë, por këtë herë me mbrojtësin Bici, 3 minuta më pas. Dy gola për tre pikë dhe Josa është i kënaqur, ndërsa Stravri Nica nuk kënaqet me rezultatin, pasi ekipi i tij u mposht vetëm në 3 minuta lojë. Sot e kanë radhën ndeshjet e ditës së dytë të Superligës për t'u zhvilluar.



Dylber Balla