Ekipi i drejtuar nga trajneri Mirel Josa ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë përballë surprizës së këtij edicioni në Superiore duke shënuar 2 gola në pjesën e parë me sulmuesin kryesor Pero Pejic dhe vulosur fitoren.
Vllaznia e ka nisur mirë ndeshjen përballë kampionëve të vendit në një atmosferë të ndezur nga mijëra tifozë që kishin mbushur shkallët e stadiumit ‘ Loro Borici’ por nuk ka qenë e saktë para portës duke humbur mjaft raste të pastra për shënim në minutat e para.
Skënderbeu u tregua më pragmatist duke u mbrojtur mirë dhe kundërsulmuar me shpejtësi duke shfrytëzuar në maksimum hapësirat e krijuara dhe dërguar dy herë topin në rrjetë.
Pjesa e dytë nis e mirë për ekipin e Vllaznisë që arrin që të shënojë me Hajdarin në minutën e 53 dhe ngushtuar shifrat në 1-2 duke rritur besimin për të marrë një rezultat pozitiv, por vetëm 7 minuta më pas është blerja e verës e kampionëve, Muzaka që shuan përfundimisht shpresat e kuqebluve për pikë, pasi shënon golin e tretë për ekipin e tij duke arritur majën e klasifikimit me 12 pikë, aq sa ka edhe ekipi i Teutës.