‘S’ka bir nëne që ndryshon fjalimin tim’, rebelimi i Haxhi Lleshit pas urdhrit sekret të Enver Hoxhës: Keni hequr me kokën tuaj shprehjen, ‘Zogu erdhi me ndihmën e Serbisë’

 ‘S’ka bir nëne që ndryshon fjalimin tim’, rebelimi i Haxhi Lleshit pas urdhrit sekret të Enver Hoxhës: Keni hequr me kokën tuaj shprehjen, ‘Zogu erdhi me ndihmën e Serbisë’

Haxhi Lleshi vërtet është President, por duhet mbikëqyrur me kujdes, pa i rënë në sy”. E konsumuar në një rreth të ngushtë të besuarish, kjo porosi e Enver Hoxhës ka përcaktuar vijën e sjelljes së Komitetit Qendror me kreun “de jure” të shtetit komunist shqiptar për gati 30 vite.

Ka qenë kjo arsyeja që i besuari i Hoxhës, siç njihej në publik, është censuruar fund e krye në komunikimin zyrtar, jo thjesht për çështje mosbesimi. Me këtë praktikë të fshehtë, pak a shumë ishte pajtuar edhe vetë Lleshi, që në heshtje e sipër e motivonte me atë mënyrën e tij “për të mirën e punës”.

Sidoqoftë, jo gjithmonë ai e ka mirëpritur këtë ndërhyrje. Veçanërisht, vitet e fundit të karrierës, kur po venitej nga shkëlqimi i dikurshëm për një mori zullumesh të vëna në dukje nga udhëheqja e lartë e Partisë, Lleshi nisi të rebelojë në një mënyrë të çuditshme, duke ngritur zërin jo për urdhërdhënësin e kësaj praktike, por për zbatuesit e saj. I pafuqishëm për t’u marrë me protagonistin e vërtetë të kësaj marrëdhënie, pra me Enverin, për të cilin përgjërohej e përbetohej si ai, Lleshi u hakërrehej jo pa arrogancë aparaçikëve partiakë, me të cilët e përballte rutina e përditshme.

Në morinë e dokumenteve që përmbajnë kundërshtitë e ish-Presidentit komunist me zyrtarët e aparatit të KQ, “Panorama” publikon sot bisedën e Lleshit me dy funksionarë të lartë të KQ, që kanë vënë dorë në një fjalim të tij. Të thirrur në zyrën e kreut të Kuvendit, Pipi Mitrojorgji, asokohe shef i shtypit në KQ dhe Arqile Aleksi, drejtor i ATSH-së, janë shtrënguar të shpjegohen para Presidentit për disa ndryshime parimore, sipas këtij të fundit, që i kanë bërë në media referatit të tij për figurën e Baba Faja Martaneshit. Zemërata e ish-Presidentit, siç duket nga procesverbali i bisedës, lidhet me faktin se Mitrojorgji e Aleksi kanë hequr “me kokën e tyre” nga fjalimi i tij shprehjen “Zogu erdhi në pushtet me ndihmën e krajlit të Serbisë”.

Nga mënyra si është konsumuar debati, bie në sy këmbëngulja e Lleshit për të mësuar emrin e funksionarit që ka urdhëruar redaktimin e tekstit. Të zënë ngushtë, dy zyrtarët e KQ detyrohen të pohojnë se ndërhyrja ishte bërë me porosi të Miti Tonës, njëri nga shefat e rëndësishëm të aparatit të KQ.

Këtu Lleshi merr zjarr edhe më shumë dhe u kthehet me harbutëri të papërmbajtshme. “Askush nuk ka të drejtë të vërë dorë në fjalimet e mia, me përjashtim të shokut Enver!”, shprehet i lënduar ish-kreu i Kuvendit, duke paralajmëruar furtunën ndaj dy të ftuarve dhe shefit të tyre Tona. Më poshtë po zbardhim të plotë debatin e Lleshit me Pipi Mitrojorgjin dhe Arqile Aleksin…

BISEDË E SHOKUT HAXHI LLESHI ME SHOKËT PIPI MITROJORGJI DHE ARQILE ALEKSI

HAXHI LLESHI: Desha të bisedoj në lidhje me fjalimin tim, a keni vënë re ju një ndryshim që i është bërë?

ARQILE ALEKSI: Po. Është hequr një pjesë ku flet për krajlin e Serbisë.

HAXHI LLESHI: Si është bërë kjo? Kush ju tha ta hiqni?

ARQILE ALEKSI: Na tha shoku Miti Tona.

HAXHI LLESHI: Miti Tona ju tha që ta hiqni atë pjesë dhe ju e hoqët?! Por si janë rregullat? Unë në këtë rast jam autori…

ARQILE ALEKSI: Miti Tona është anëtar i KQ të PPSH.

HAXHI LLESHI: Edhe unë jam anëtar i KQ dhe kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

ARQILE ALEKSI: Unë mendova që shoku Miti Tona ju kishte thënë, ju ka marrë leje.

HAXHI LLESHI: Po ju më pyetët mua? Më thatë mua se ne kemi një urdhër a propozim që ta heqim këtë, se kështu e shikojmë me vend, dikush nga lart mund t’i ketë thënë dhe atij Miti Tonës? Për këtë më pyetët ju mua?!

ARQILE ALEKSI: Unë mendova që ata ju kanë pyetur ju derisa e bënë këtë… As nuk e mora me mend se nuk ju kanë pyetur.

HAXHI LLESHI: Unë kam edhe një rast tjetër që janë bërë ndryshime në shtyp. Ju nuk keni bërë mirë që keni bërë këto ndryshime vetëm me fjalën e Miti Tonës.

ARQILE ALEKSI: Ne e marrim atë si fjalën e KQ, jo si të Miti Tonës.

HAXHI LLESHI: Mirë. Por, ju e dini dhe të drejtën e autorit apo jo? Atëherë pse nuk e respektoni?

ARQILE ALEKSI: Ai nuk ishte një artikull i juaji.

HAXHI LLESHI: I imi ishte.

ARQILE ALEKSI: I juaji, por nuk ishit angazhuar vetëm ju me këtë punë.

HAXHI LLESHI: Pse, kush ishte angazhuar?

ARQILE ALEKSI: Komiteti Qendror.

HAXHI LLESHI: KQ nuk jua çoi ju. Jua kam çuar unë.

ARQILE ALEKSI: As nuk na shkonte në mendje, shoku Haxhi…

HAXHI LLESHI: Si e quani ju këtë, të rregullt apo jo? Unë do t’ju pyes në bazë të rregullave. Dhe shoku Pipi le të na thotë.

ARQILE ALEKSI: Kjo nuk është e rregullt në qoftë se nuk ju kanë pyetur ju.

HAXHI LLESHI: Jo, në qoftë se nuk ju kanë pyetur ju, por nuk më kanë pyetur. Ja t’ju them edhe një rast tjetër. Le ta lexojmë këtë dokument: Njoftim, “Me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të themeluar në Prizren, me propozimin e Byrosë Politike të KQ të PPSH, Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekret nr.5729 datë 27.5,1978, i jep titullin ‘Hero i Popullit’ Abdyl Halit Frashërit (pas vdekjes) me këtë motivacion: (e keni parasysh se këto vijnë nga Byroja Politike)” si diplomat dhe kryetar i Lidhjes së Prizrenit, ai mbrojti me zjarr të drejtat e popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare”.

(Në fakt, dekreti në fjalë nuk përmban fjalën diplomat, por kryetar i Lidhjes-shënim i red.) Në bazë të kësaj është dekoruar Abdyl Frashëri me titullin “Hero i Popullit”. E keni parasysh këtë “Kryetar i Lidhjes së Prizrenit”? Kështu e dekoruam në Presidium, si kryetar i Lidhjes. Por nuk ishte ashtu, sepse historianët që i kanë propozuar KQ dhe që na erdhi propozimi me firmën e shokut Enver nuk e kishin studiuar mirë këtë. Dhe çfarë ngjau? Më merr në telefon Agim Popa dhe më thotë se Abdyli nuk ka qenë kryetar i Lidhjes së Prizrenit dhe sugjeroi ta heqim termin “kryetar i Lidhjes” nga dekreti.

Atëherë i thashë se ju nuk keni të drejtë të bëni asnjë ndryshim në motivacionin e dekoratës. Duhej të vinte një propozim tjetër i Byrosë Politike, sepse Presidiumi kishte aprovuar dekretin ku thuhej se Abdyli ishte kryetar i Lidhjes dhe kjo mund të ndryshojë vetëm me një procedurë tjetër, ku të ketë një propozim tjetër, në të cilin të shpjegohet se Abdyl Frashëri nuk ishte kryetar. As unë, as ti dhe as kurrkush tjetër nuk është i autorizuar të bëjë një gjë të tillë.

Ndërsa ai (A.Popa) e bëri. Më vonë unë e ngrita këtë problem në KQ dhe i thashë që Presidiumi, ku bën pjesë edhe shoku Enver, e ka aprovuar dekretin me motivacionin sikur Abdyl Frashëri ishte kryetar i Lidhjes, sigurisht, nuk duhesh të bëhej kryetar pa qenë i tillë dhe u ndryshua duke u thënë: “Si diplomat dhe udhëheqës i Lidhjes që mbrojti me zjarr të drejtat e popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare”.

Nga ana e udhëheqjes e Presidiumit iu kërkua KQ të PPSH-së të bëjë ndryshimin në propozimin për dekorimin e Abdyl Frashërit nga “kryetar i Lidhjes…” në “udhëheqës e diplomat…”. Mbi këtë bazë u bë ndryshimi i dekretit. Pra, këto janë gjëra me rëndësi të madhe. Siç janë dekretet, janë edhe fjalimet. Tani t’ju them unë si është bërë kjo. Ju keni hequr një nga pjesët kryesore dhe pikërisht këtë:

“Në vitin 1920 ai merr pjesë në luftën kundër shovinistëve serbë në Kaptinën e Martaneshit dhe në lëvizjen e vitit 1924 në luftën kundër forcave reaksionare të Ahmet Zogut, i cili siç dihet erdhi në fuqi edhe me ndihëm e krajlit të Karagjergjoviçëve”. Ky është një fakt historik. Ne sot, siç jeni në dijeni juve dhe Miti Tona, po demaskojmë e po themi se po ringjallen Karagjergjoviçët. Pse trembeni ju?!

ARQILE ALEKSI: Jo, nuk trembemi, se ajo është bërë…

HAXHI LLESHI: Atëherë pse e ndryshuat? Unë po ju them se shoku Enver kur më dëgjoi më tha se bëre shumë mirë që e përmende krajlin e Karagjergjoviçëve që ka sjellë Ahmet Zogun në fuqi. Pra, këtu ishte edhe ndihma e Karagjergjoviçëve. Atëherë, pse e bëni ju këtë? Pse nuk më pyesni mua? Shoku Enver më tha se bëre shumë mirë që e përmende. Pse Miti Tona nuk foli me mua? Pse nuk i the ti Mitit a i ke marrë leje atij që e ka shkruar?

ARQILE ALEKSI: Gabim, shoku President. Ju kërkoj falje!

HAXHI LLESHI: Nuk e di a kërkon falje vërtet, se deri tani nuk kërkove falje. Jo pse tha shoku Enver që bëra mirë që e përmenda, por edhe ne e dimë politikën e Partisë. Pra, me ç’të drejtë na hiqni ju krajlët e Karagjergjoviçëve. Ai ministri që Tito e ka bërë akademik, ka qenë i krajlit përpara dhe nuk ka lënë gjë pa bërë kundër kosovarëve. I keni lexuar besoj këto?

PIPI MITROJORGJI: Po, i kam lexuar.

HAXHI LLESHI: Patjetër i keni lexuar. Unë ju thashë se nuk keni bërë hiç mirë.

ARQILE ALEKSI: E sqarojmë, shoku President.

HAXHI LLESHI: Jo për mua është shumë e qartë. Ju keni bërë faj. Ju mund të mos e pranoni, mirë…

ARQILE ALEKSI: Fajin e kam bërë unë me urdhër të KQ.

HAXHI LLESHI: Mirë, atëherë, ky urdhër qëndron më i madh se i shokut Enver.

ARQILE ALEKSI: Nuk mund ta merrja me mend shoku Haxhi që…

HAXHI LLESHI: Pse të shkosh ti me fall.

ARQILE ALEKSI: Ne e kemi shpërndarë fjalimin ashtu siç e keni dhënë ju, kështu e kanë marrë gazetat.

HAXHI LLESHI: Jo, nuk e kanë marrë ashtu. Ja ku e kam gazetën unë.

PIPI MITROJORGJI: Ne në fillim na erdhi i plotë fjalimi…

HAXHI LLESHI: Siç e kam unë.

PIPI MITROJORGJI: Po, siç e keni ju. Mirëpo, ATSH-ja si organ zyrtar që u bën ndryshime gjërave të tilla na njoftoi se duhej t’i bëjmë fjalimit këtë ndryshim. Dhe në të gjitha gazetat fjalimi ka dalë me ndryshime.

HAXHI LLESHI: Arqile Aleksi e ka fajin. E dini që këto ndryshime janë esenciale. A pranojmë ne që Zogu historikisht ka ardhur me ndihmën e qeverisë së krajlit të Karagjergjoviçëve.

ARQILE ALEKSI: Ne menduam se është urdhëruar nga lart.

HAXHI LLESHI: Ty çfarë të kushtonte të ishe marrë vesh me mua.

ARQILE ALEKSI: Jo s’më kushtonte gjë.

HAXHI LLESHI: Ja pikërisht këtu konsiston gabimi yt. Unë i them Agim Popës që asnjë ndryshim të mos i bëjë dekretit pa u miratuar një dekret i ri. Natyrisht që nuk duhet botuar dekreti i parë që thotë se Abdyl Frashëri ishte “kryetar i Lidhjes”, ai ishte figurë kryesore, por jo kryetar. Kryetar i parë ishte Iliaz Pasha. Kjo nuk e ul aspak rolin e Abdyl Frashërit.

Mirëpo, Agim Popa e ndryshoi pa u ndryshuar dekreti. Po ç’të drejtë? Ai të priste, të thoshte që këtu ka një dekret që duhet ndryshuar. Shoku Ramiz më tha mua ndryshoje dekretin. Jo, i thashë, s’kam të drejtë ta ndryshoj, ai është marrë kolegjialisht, e tani të bëhet propozimi tjetër që të thotë që është bërë gabim që është cilësuar Abdyli kryetar i Lidhjes, por duhet thënë udhëheqës. Dhe pastaj na çoi propozimin zyrtar. Me këto gjëra nuk duhet bërë kështu.

ARQILE ALEKSI: Do ta kemi parasysh për herët e tjera…

HAXHI LLESHI: Unë dua që ju ta kuptoni.

ARQILE ALEKSI: Më falni, shoku Haxhi, po ne nuk marrim fjalët e ndonjë njeriu në rrugë, po ai (Miti Tona) është zëdhënës në KQ për shtypin.

HAXHI LLESHI: Po si paska të drejtë ky Miti Tona të ndryshojë fjalimin e Haxhi Lleshit?! ARQILE ALEKSI: Nuk e mendoja që ai nuk ju ka marrë leje. Gabimi është…

HAXHI LLESHI: Gabimi është kryesisht i Miti Tonës, sepse ai në këtë rast nuk është dakord me shokun Enver. E more me mend ti që Miti Tona duhej të kishte biseduar me mua. Pse nuk i the ti Mitit të pyeste autorin…

ARQILE ALEKSI: Ta marr për vete të gjithë fajin, nuk e marr.

HAXHI LLESHI: Aq sa ke, shoku Arqile. Po ti mund të më pyesje edhe mua e mund të më thoshe se kishe urdhër, apo si e quani ju atë, se kemi një kontradiktë, një kundërshti, që ai thotë ta heqim atë pjesë. Unë do të thosha jo, se mua shoku Enver më ka thënë se bëra shumë mirë që e përmenda në fjalim rolin e krajlit. Nuk bëhen shkrimet sipas qejfit të njërit apo të tjetrit, si Miti Tona që nuk deshi të botohej ajo pjesë. Po t’i kishte thënë ndonjë më i madh, patjetër që do të ndryshohej, ose dhe mundet të mos botohej fare, e ne do t’i bindeshim, se jemi ushtarë të Partisë.

ARQILE ALEKSI: Është gabim i madh që nuk ju pyetën ju. Unë për vete nuk do ta bëja kurrë diçka të tillë.

HAXHI LLESHI: Herë tjetër, po t’ju thonë për të ndryshuar fjalime nga ne, duhet të jeni shumë korrektë. Jemi dakord me këto?

ARQILE ALEKSI: Po, shoku Haxhi, e kuptojmë, e këtë do ta bëjmë problem. Ky ishte një incident.

HAXHI LLESHI: Mirë, dakord atëherë

Enverin e bezdiste prania e Haxhi Lleshit

Marrëdhëniet e Haxhi Lleshit me Enver Hoxhën nuk kanë qenë ato që servirte media komuniste. Veçanërisht vitet e fundit, midis tyre ka pasur përplasje e konflikte të shumta. Hoxha kishte arritur deri aty sa të bezdisej nga prania fizike e ish-presidentit. Në ditarin e Haxhi Kroit, sekretarit personal të kreut të Partisë, zbulohet një fakt kuptimplotë për raportet e dy liderëve komunistë.

I ndodhur në rrethin e ngushtë të njerëzve që përgatisnin festimin e ditëlindjes së diktatorit, natën e 15 tetorit 1983, Kroi duke kujtuar porositë e fundit të Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, shkruan: “Unë njoftova vetë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike dhe anëtarët e Presidiumit të Kuvendit.

Njoftova gjithashtu shokët Haki Toska, Pilo Pelisteri, Spiro Koleka e Shefqet Peçi për të shkuar në vilën e shokut Enver. Kur i pyeta për shokun Haxhi Lleshi, më thanë që këtë të mos e njoftoj”. Sidoqoftë, krisja e marrëdhënieve të Hoxhës me Lleshin kishte filluar më herët. Së paku, nga dokumentet e zbuluara së fundi, rezulton se përplasja e parë midis tyre ka ndodhur pas dënimit të “puçistëve të Ushtrisë”. Në ditarin e Hoxhës, është regjistruar një ngjarje ku duket hapur përçmimi i tij për Lleshin.

Në shënimin e datës 22 qershor 1982, kreu i shtetit komunist shkruan: “Kur zbuluam puçin e Ballukut me kompani, Haxhi Lleshi u fut në konflikt me gruan dhe me fëmijët. Gruaja, me prejardhje bajraktarësh dibranë (familja Jegeni, ka të arratisur politikë në Jugosllavinë titiste) filloi të flasë hapur me këdo, kundër Haxhiut duke e akuzuar për “imoral” etj. Ajo po bënte skandal kundër Presidentit të Presidiumit. E thirrëm një herë, e dy herë Haxhinë, i thamë të merrte masa ose ta ndalonte skandalin, ose të lejonte që gruaja e tij të izolohej në ndonjë fshat.

Përgjigjja e Haxhiut ish: ‘Si të thotë Partia!’. Po në këtë kohë filloi edhe lufta e fëmijëve kundër babës (Haxhiut). Djali i tij, Reshiti (që punonte në aparatin e KQ) e akuzoi babën e vet si “tradhtar”. U thirr të shpjegohej, nguli këmbë në të tijën. U thirr Haxhiu. Ky tha se s’ka ç’i bën djalit. Atëherë shprehëm mendimin: “Nuk e dërgojmë edhe këtë në fshat të punojë me nënën e vet?”. Ky, prapë ish dakord duke thënë: ‘Si të thotë Partia!’. Në konsideratat e Hoxhës për “ish-bashkëpunëtorin e vjetër” dhe “patriotin e shquar” ka rezerva nga më të ndryshmet. Ndër to, në ditar veçon karrierizmin e shfrenuar dhe sjelljet imorale të Lleshit me sekretaren e tij.

Incidenti me dekoratën e Abdyl Frashërit

Abdyl Frashëri është dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit komunist me titullin “Hero i Popullit”. Herën e parë si kryetar i Lidhjes së Prizrenit, të dytën si diplomat i saj. Në të dyja rastet procedura është iniciuar nga Byroja Politike, me përkujdesjen e kreut të saj. Hoxha ka thirrur një grup historianësh dhe mbi produktin e tyre ka firmosur propozimin për t’i dhënë titullin e nderit Frashërit (pas vdekjes) “Për kontributin si kryetar i Lidhjes së Prizrenit”.

Pas shpalljes së aktit zyrtar, kanë ardhur reagimet e para nga Kosova, që kanë sjellë pështjellime në Tiranë. Diçka jo normale rezultonte në motivacionin e dekoratës, madje jo një lapsus i zakonshëm, por një pasaktësi historike: Frashëri nuk kishte qenë kryetar i Lidhjes. Për të shmangur incidentin, u mendua të korrigjohej pa bërë zhurmë teksti i dekoratës, po Haxhi Lleshi, autoriteti zyrtar që e firmoste atë, kundërshtoi prerë. Ai kërkoi të shpallej “nul” dekreti i parë dhe të operohej me një të ri, ku të hiqej fjala “kryetar”. Atëherë filloi procedura e re.

Kalemxhinjtë e KQ, të mësuar me korrigjime të tilla, shpejt e shpejt, formuluan dekretin tjetër, duke zëvendësuar fjalën e papërshtatshme me atë “diplomat…”. Brenda ditës, shkresa me firmën e Hoxhës mbërriti në tavolinën e Lleshit, për t’iu paraqitur mandej Presidiumit të Kuvendit, që do të zyrtarizonte dekretin final. Sidoqoftë, incidenti, pavarësisht rrethit të ngushtë në të cilin u konsumua, nuk do kalonte pa lënë gjurmë. Paradoksi i radhës nga koha e paradokseve do të gërvishte vetëm njërin nga nëpunësit e zyrës së dekorimeve, duke e spostuar në një zyrë tjetër(!)/Panorama.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës