Pas denoncimit nga oborri i spitalit të Lushnjes, deputeti i PD, Saimir Korreshi, u është drejtuar rrjeteve sociale duke postuar foto të disa dokumenteve, për të cilat shprehet se në to raportohen shkelje dhe anashkalime të kushteve të sigurimit teknik.

Sipas Korreshit, në dokumentacionin që i përket dhjetorit 2024, thuhet se ka pasur avari, shpërthime të bombolave të oksigjenit dhe mungesë të fikëseve të zjarrit.

Gjithashtu, ai flet për Altin Allën, 54-vjeçarin që punon si teknik oksigjeni, i cili më 13 shkurt u arrestua pas konfliktit me mjekun Doris Sholla, për motive banale. Ai thotë se është kërkuar që Alla mos të jetë më përgjegjës, më pas ai ka marrë vërejtje për paralajmërim, është shkarkuar e më vonë riemëruar nga drejtori Roland Ziu.

“Skandal në Spitalin e Lushnjes.

Një skandal i rëndë ka ndodhur e vazhdon të ndodhë në Spitalin e Lushnjes në kufijtë e dramës ku edhe rrezikohet jeta e punonjësve të oksigjenit por edhe të pacientëve e të familjarëve të tyre.

Jam bërë me dije të disa relacioneve dhe dokumenteve shqetësuese të cilat po i publikoj më poshtë ku punonjësit e repartit të oksigjenit në Spitalin e Lushnjes kanë bërë me dije drejtorin dhe gjithë ekipin drejtues të këtij spitali për pasojat e rënda dhe dramën e madhe që ndodh me kushtet e sigurimit teknik dhe më konkretisht:

Me shkresën nr. Prot. 1932 datë 13.12.2024 specialistët e repartit të oksigjenit i drejtohen për arsye se “Prezantimi i gjendjes teknike në spitalin Lushnje në repartin e gazrave mjekësore (oksigjen azot) ku nuk ekzistojnë rregullat e sigurimit teknik dhe rrezikshmëria është në kufijtë maksimalë ku në çdo kohë jemi përballë një katastrofe me pasoja të paparashikuara”.

Vazhdojnë në shkresën e tyre për avaritë dhe pasojat e ndodhura deri tek shpërthimet e bombolave me kriter 2 m ka rrezikuar jetën e punonjësve. Flaka e zjarrit që ka marrë edhe shkrirjen e rregullatorëve dhe flaka është vënë nën kontroll nga punonjësit.

Ata i shkruajnë drejtorit patronazhist se nuk ka asnjë fikëse zjarri, dramë. Ata ankohen se bombolat e oksigjenit ruhen jashtë kushteve të sigurimit teknik dhe në rrezik të shtuar. Magazina  që shërben për depozitimin e tyre është e mbyllur dhe nuk hapet nga përgjegjësi i cili, gjejeni pak, është ai që rrahu mjekun në Spitalin e Lushnjes dhe shok me patronazhistin drejtor.

Me presionin që kanë bombolat rrezikohet të hidhet në erë spitali. Tragjedi e paralajmëruar.
Me shkresën nr. Prot. 1938 datë 16.12.2024 specialistët e oksigjenit i drejtohen drejtorit për konstatim defekti, ku bëjnë me dije edhe shpërthimin e ndodhur në datën 14.12.2024 shpërthim i fuqishëm thuhet që ka prishur teknik dhe gjithë rrjetin shpërndarës ku edhe është rrezikuar jeta e një specialisti. Kërkonin blerje fikësesh zjarri dhe lirimin e magazinës. Shpërthimi i bombolës thuhet se ka ardhur nga ventilimi shumë i konsumuar dhe fati ka qenë se bombolat e tjera ishin bosh. Ngritën shqetësimin për shefen e financës Bedrie Greca që nuk ka planifikuar fondet e domosdoshme.

Me shkresën nr. 1974 datë 20.12.2024 është kërkuar se në lidhje me problemet e konstatuara në repartin e oksigjenit mos të jetë më përgjegjës Altin Alla, shoku i drejtorit.

Në datën 26.12.2024 nga ish-drejtuesi i spitalit është dhënë masë vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna për Altin Allën dhe shkarkuar si përgjegjës i oksigjenit.

Me ardhjen e patronazhistit Roland Ziu si drejtor spitali në datë 27.02.2025 me nr. Prot 62 ka riemëruar edhe pse me masë përsëri përgjegjës Altin Allën tek oksigjeni edhe pas dramave të paralajmëruara.

Zërat vazhdojnë të thonë se zëvendësimi i tubave të oksigjenit nga godina që do të riparohet (7 muaj e prishur se nuk jepet leja e ndërtimit) tek godina e improvizuar e urgjencës janë po të njëjtët, vetëm se të lyer, edhe pse ka pasur një tender për këto. Por kjo në një moment tjetër.
Ky skandal nuk mund të mos hetohet dhe të mbahet përgjegjësi ndaj i drejtohem ministres së Shëndetësisë dhe organeve ligjzbatuese të hetojnë rastin”,
shkruan Korreshi.

Spitali i Lushnjes ka reaguar lidhur me këto pretendime duke sqaruar se gjithçka është në rregull dhe funksionale. Sa i përket rolit të një përgjegjësi në repartin e oksigjenit, është caktuar vetëm një punonjës teknik me arsim përkatës.

“Në lidhje me deklaratat publike për sigurinë në repartin e oksigjenit në Spitalin Rajonal Lushnjë, sqarojmë se dokumentacioni i cituar i përket periudhës para 31 dhjetorit 2024.

Reparti i oksigjenit nuk ka të parashikuar një pozicion formal përgjegjësi në organikë; për nevoja organizative është ngarkuar një punonjës teknik me arsim përkatës, në përputhje me praktikat funksionale të institucionit.

Fikëset e zjarrit janë të instaluara dhe funksionale. Bombolat e oksigjenit furnizohen nga operatori kontraktues, i cili mban përgjegjësinë për gjendjen teknike të tyre.

Deri më sot, nuk ka pasur avari teknike apo shpërthime.

Zhvendosja e pavijoneve për shkak të rikonstruksionit është kryer sipas një plani të miratuar, duke respektuar standardet teknike dhe me dijeni të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Drejtoria e Spitalit Rajonal Lushnjë mbetet e angazhuar për sigurinë e pacientëve dhe punonjësve dhe e hapur për çdo verifikim nga autoritetet kompetente”, përfundon njoftimi.

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 15 Shkurt, 14:59

    Rama firmos ndryshimin ligjor që ndalon GJKKO të pezullojë ministrat, jeni dakord?