Skandal me Kalanë e Lezhës
hartuesit të projektit iu hoq licenca

Skandal me Kalanë e Lezhës<br />hartuesit të projektit iu hoq licenca
TIRANE - Vendimi i MTKRS për ti hapur rrugë dhënies me qira të Kalasë së Lezhës sjell në vemendjen e publikut një skandal të ri.

Vitin e kalur kur Forumi i Trashëgimisë Kulturore denoncoi këtë projekt si të pa pranueshëm për një qendër historike me rëndësi ndërkombëtare, MTKRS prezantoi projektin e arkitektit Reshat Gega si një projekt shumë ambicioz.

Një sërë emrash të njohur të Trashëgimisë Kulturore folën publikisht kundër këtij projekti duke denoncuar faktin se Kalaja e Lezhës do të shndërrohej në një pikë biznesi dhe jo në një qendër të rëndësishme të turizmit kulturor në shërbim të komunitetit.

Zërave kundër këtij projekti iu përgjigj arkitekti Reshat Gega, i cili e mbrojti projektin e tij si një vepër që do t’i hapte rrugën e rivitalizimit të kësaj kështjelle në mënyrë bashkëkohore.(Sigurisht duke shtuar edhe një fushë tenisi në majë të Kalasë). Ditët e fundit ky projekt u risoll tashmë në vëmendjen e publikut me firmën e Ministrit të ri Zhiti, por ccuditërisht askush nuk foli për hartuesin e këtij projekti, arkitektin Reshat Gega.

Arkitekti Gega në fakt ka gati një vit që qëndron larg projekteve të restaurimeve pasi Këshilli i Lartë i Restaurimeve i ka hequr licensën për arsye të dëmtimeve të monumenteve të kulturës. Arkitekti Gega, i cili ka vite që punon për një firmë të lidhur fuqimisht me rrethin e FAMILJES, ka qenë një prej përfituesve kryesore të fondeve të restaurimeve në qytetin e Gjirokastrës.

Restaurimet e bëra me një cilësi shumë të ulët dhe me kosto shumë të larta nuk kanë lënë asnjë gjurmë në Monumentet e Gjirokastrës. Edhe pse ndaj arkitektit Gega ka një denoncim publik të bërë nga Drejtuesi i Misionit italian që punon në Manastirin e Mesopotamit, Prof Machiarela për dëmtim të pa kthyeshëm të Kishës së Shën Nikollës, përsëri ky arkitekt ka qenë fituesi i shumicës së tenderave në Gjirokastër.

Por duket se problemet e tenderave të dhëna nga mirëbërësit e tij të MTKRS i kanë sjellë edhe telashe duke i hequr përfundimisht licensën e aktivitetit.
Pra ne sot kemi një Projekt të hartuar nga një arkitekt, i cili është shpallur nga MTKRS si dëmtues i monumenteve, fakt ky i përsëritur edhe nga ish-Ministri Bumcci në debatin e Komisionit të Mediave.

Lind pyetja, si ka mundësi që Keshilli i Lartë i Restaurimeve kalon një projekt të një arkitekti që po ky Këshill i ka hequr licensën? A është e mundur që një arkitekt që i është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit të ushtrojë tashmë rivitalizimin e një prej Keshtjellave më të rëndësishme të Ballkanit?

Në ccfarë kriteri shkencor Keshilli i Lartë i restaurimeve ka vendosur që projekti i hartuar nga një arkitekt pa licensë të kalojë si projekt restaurues?
A do të pranonte dikush të operohej nga një doktor që i është hequr licensa se ka sëmurur më keq pacientët e tij?

Sigurisht që jo. E pra arkitektit Gega i është hequr licensa pikërisht se ka sëmurë më keq monumentet të cilat i ka pasur ligjërisht në mbikqyrje.
Ky skandal i radhës në gjirin e Ministrisë së Kulturës tregon gjithnjë e më shumë se sa keq dhe sa në mënyrë korruptive menaxhohet Trashëgimia jonë Kulturore.

Për të gjithë është e qartë se ky projekt nuk është një projekt që kërkon të shpëtojë Kalanë e Lezhës por është qartësisht një projekt korruptiv në dëm të vlerave të Trashëgimisë Kombëtare.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024