KRUJË- Një rast i paprecedentë është regjistruar në Krujë, në një nga vatrat më të mëdha të infeksionit me COVID-19. Mjeku imazherist Ardian Mata dhe gruaja e tij, laborante në njësinë vendore të shëndetit publik, refuzojnë karantinimin, edhe pse kjo e fundit ka rezultuar pozitive dy javë më parë.

Në një kohë që ato duhet të ishin në shtëpi të mbyllur dhe të shërbenin si shembull për qytetarët e thjeshtë, mjeku Ardian Mata së bashku me gruan e tij shkojnë në punë, duke vënë në rrezik jetën e kolegëve dhe pacientëve, por edhe vijojnë jetën e tyre normalisht duke shëtitur në qytet, konsumuar kafe, për pasojë është shndërruar kështu në një rrezik shumë të madh për përhapjen e COVID-19.

Për këtë arsye, drejtuesit e spitalit i kanë bërë një shkresë Komisariatit të qytetit që të bëjnë karantinimin e detyrueshëm të çiftit të mjekëve. Siç shihet në videon që Report Tv sjell, mjeku ndodhet në ambientet e punës, teksa kontakton me dy punonjës të tjerë, pa distancë me njëri- tjetrin, madje njëri prej tyre nuk mban siç duhet maskën.  

Bashkëshortja e mjekut, sot do të ristestohet, ku përgjigja nëse është negativizuar ose jo, do të dalë ditën e nesërme. Megjithatë, edhe nëse përgjigjja është  negative, e gjitha familja duhet të qëndrojë edhe 2 javë të izoluar, siç ndodh me çdo të prekur, pasi mund të jenë burim infeksioni, por një rregull i tillë është thyer nga mjeku. Report TV ka tentuar disa herë për të marrë një prononcim nga mjeku Ardian Mata, por ky i fundit ka refuzuar të jap një përgjigje. 

Me refuzimin e karantinimit, çifti Mata bën një vepër penale e cila ndëshkohet nga gjobë deri në burg. Me ndryshimet e Kodit Penal, të cilët janë bërë gjatë periudhës së pandemisë, çifti Mata rrezikon të shkojë pas hekurave. Dënimi më i rëndë, deri në 5 vjet  do të jetë nëse nga kontakti me ta, do t'i shkaktohet vdekja e një personi tjetër.

Mjeku imazherist Ardian Mata që refuzon karantinimin

Në këtë spital ka qenë për inspektim disa ditë më parë edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ku siç u pa nga fotot e shpërndara nga vetë zyra e shtypit ajo nuk ishte e pajisur me maskë. Ulja e vigjilencës së bluzave të bardha dhe moszbatimi i masave nga ana e tyre, është bërë shkak për rritjen e rasteve të reja me COVID-19, dhe një gjë e tillë është pranuar edhe nga vetë Ministria.

Javën e fundit, Shqipëria ka regjistruar nga dita në ditë numra rekord të rasteve të reja në 24 orë, (sot 69), shifra këto që janë lexuar ndryshe nga ministrja Ogerta Manastirliu, që thotë se janë "brenda pritshmërive", e ndërsa kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se nëse do të vijohet në këto ritme do të rikthehet karantina. Report Tv e ka ngritur si shqetësim se me lehtësimin e masave, autoritetet shtetërore nuk kanë ushtruar kontrolle të efektshme në të gjitha njësitë tregtare, lokalet e restorantet dhe gjithçka tjetër që u rihap për disntancimin sociale dhe masat e tjera, ndërkohë që kanë lënë mënjanë fushatën sensibilizuese për qytetarët

Ogerta Manastirliu pa maskë gjatë vizitës në Spitalin e Krujës