TIRANË- Numri i të prekurve me COVID-19 në 24 orë në Shqipëri po merr përmasa alarmante. Ditën e sotme janë konfirmuar pozitiv me koronavirus 69 persona, duke bërë që nga dita në ditë, të thyet rekordi i vendosur.

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP,  Eugena Tomini konfirmon se kjo rritje të numrit të të prekurve ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara mjekët, e ndërsa thekson se javëve të fundit janë konfirmuar shumë raste edhe në biznese, për këtë u bën thirrje që të respektojnë protokollet e sigurisë. Edhe pse këto shifra vendi ynë nuk i ka pasur as në kulmin e pandemisë, për Tominin, kjo nuk është për t'u shqetësuar, pasi koha e ekzpozimit të qytetarëve është shumë herë më e lartë se gjatë ditëve të karantinës.

"Duhet theksuar se kjo periudhë nuk mund të krahasohet me periudhën e pikut nën efektin e masave të karantinës, për vetë faktin se kemi kohë më të gjatë ekspozimi dhe numër më të lartë kontaktesh gjatë aktiviteteve rutinë të ditës, ku aktualisht 97 % e subjekteve janë në aktivitet. Nisur nga fakti se ditët e fundit po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje dhe subjekte tregtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore. Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi", thotë mes të tjerave Tomini.

Me rritjen e numrit të rasteve të reja në 24 orë ka pasur edhe një numër më të lartë të të shtruarve në spital dhe persona që janë në gjendje të rëndë. Më konkretisht, shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP,  Eugena Tomini bën me dije në spitalin infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 60 vjeç, mbi 60 % e tyre janë nga Tirana. 69 raste në ditë kanë ardhur si rezultat i 319 testimeve. Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë është si vijon: Tirana 28 të prekur, 16 në Shkodër, 8 raste pozitive në Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Durrës, 2 në Elbasan, dhe nga 1 rast në Kamëz, Mallakastër, Pukë dhe Lushnje. Ndërkohë që janë në hetim disa raste të reja në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Kamëz dhe Durrës. Teksa ka pësuar një rritje numri i rasteve të reja, një ulje ka pësuar numri i të shëruave. DItën e sotme janë shëruar 11 qytetarë mes të cilëve 2 personel

"Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 11 qytetarë mes të cilëve 2 personel shëndetësor, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1055. Në vendin tonë janë aktualisht 499 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë", shpehet Tomini.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e mbyll njoftimin me një apel për qytetarët.

"Kur dilni, qendroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani duart, përdorni maska ose barriera mbrojtese kur nuk mund te ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qendroni. Lidhuni me mjekun tuaj të familjes nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për barnat me rimbursim apo pyetje në lidhje me Covid19. Nëse keni shenja të sëmundjes, qëndroni të izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare, 127", njofton ministria.

COVID-19 – Statistika (15 Qershor 2020)
Testime totale 20813
Raste pozitive 1590
Raste të shëruara 1055
Raste Aktive 499
Humbje jete   36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë  249
Shkodër 68
Krujë 63
Kamëz 27
Durrës 25
Vlorë 21
Lushnje 13
Pukë  11
Elbasan 6
Fier 4
Lezhë 3
Tropojë  2
Mallakastër  2
Korçë   1
Librazhd   1
Berat 1
Ura Vajgurore   1
Gjirokastër 1

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:35
Shtohen rastet me COVID-19 në QSUT, te spitali francez raportohet për personel mjekësor të infektuar

Infeksioni brenda QSUT vazhdon të marrë përmesa edhe më të mëdha. Burime për Report TV bëjnë të ditur se tek spitali francez ka sërish staf që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Ditën e djeshme në këtë spital u konfirmuan pozitiv dy specializantë.

Ora 14:58
2 raste të reja me COVID-19 në Elbasan

Qyteti i Elbasanit ka regjistruar dy raste të reja me COVID-19. Rasti i parë është një administrator i një firme në lagjen Shënkoll dhe rasti tjetër është i një 65-vjeçari në lagjen "28 nëntori".

Ora 11:43
Tiranë qyteti më i prekur me COVID-19/ Ja ku janë pikat më të nxehta

Tirana është qyteti më i prekur në Shqipëri me COVID-19. Vetëm ditën e sotme janë konfirmuar 28 raste të reja, e ndërsa në total numri i të infektuarve aktiv në kryeqytet ka shkuar në 249. Report Tv mëson se vatrat më kryesorë në Tiranë janë Qyteti studenti, Komuna e Parisit, Kodra e Diellit, Unaza e Re, zona e Freskut, rruga Sami Frashëri, rruga Elbasanit, rruga e Dibrës.

Ora 10:26
1 rast me COVID/ Mbyllet Bashkia e Durrësit, punonjësit në karantinë

Nisur nga fakti që në Bashkinë e Durrësit u konfirmua një rast me COVID-19, punonjësit janë futur në karantinë, duke bërë që ky institucion të mbyllë dyert. Burime për Report Tv bëjnë me dije se u është marrë tamponi të gjithë punonjësve, raste kontakti me të infektuarën, të cilët aktualisht janë mbyllur në shtëpi. Bashkia është mbyllur që nga dita e shtunë.