Skandali/ Aeroporti i Shkupit reagon pasi tentuan t’i marrin telefonin Vjosa Osmanit: Vepruam në përputhje me ligjin! Gërvalla: Kemi kërkuar sqarime

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ditën e djeshme është përballur me një incident në aeroportin e Shkupit, ku forcat e sigurisë kanë tentuar që t’i marrin celularin.

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. Këshilltari për mediat i Presidentes, Bekim Kupina tha se veprimet e personelit të sigurisë dukeshin se kishin për qëllim të provokonin delegacionin e Kosovës dhe të shkaktonin ndonjë incident.

“Nuk është lejuar në asnjë mënyrë dorëzimi i telefonit personal. Sjellja e zyrtarit të aeroportit është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur kurrë në udhëtimet e presidentes,” tha ai.

Ndërkohë, sot ka reaguar aeroporti i Shkupit për këtë incident, duke thënë se veprimet e forcave të sigurisë kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi, pasi kanë detyrim të ushtrojnë kontroll për të gjithë pasagjerët. Në reagim thuhet se edhe pasagjerët që udhëtojnë në pjesën VIP janë gjithashtu subjekt i kontrolleve.

“TAV Maqedonia informon se në pajtim me Ligjin për Aviacionin dhe rregulloren ligjore ndërkombëtare lidhur me sigurinë e aviacionit civil ... operatori i aeroportit e ka detyrim ligjor të kryejë kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave”, thuhet në reagim.

Ministria e Jashtme e Kosovës tha se ka kërkuar sqarime nga Shkupi, ndërsa e cilësoi situatën si një trajtim jodinjitoz ndaj Presidentes Osmani.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Për rastin reagoi edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, e cila deklaroi se një nga pjesëtarët e sigurimit të Osmanit ka ndërhyrë me qëllimin që ajo të kalonte telefonin dhe valixhen pa e skanuar.

Për më tepër, ministria maqedonase thotë se 3 persona, pjesë e sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Afrim Gashi, filluan të kërcënojnë punonjësit e aeroportit.

Ndërsa, zv.ministër i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Astrit Iseni, shtoi se kanë nisur hetimet për incidentin.

Figura të larta politike në Kosovë, por edhe Maqedoninë së Veriut kanë kritikuar veprimet e autoriteteve të Aeroportit të Shkupit, duke i cilësuar si provokim dhe të padenja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:57
Incidenti me Osmanin, reagon serish Presidenca: Propagandë kundër Kosovës

Presidenca e Kosovës ka shprehur indinjatën për deklarimet e papranueshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut si dhe për propagandën që po zhvillohet kundër Kosovës në disa media të këtij vendi fqinj mbi incidentin e djeshëm ndaj presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.

Në reagimin për media, Presidenca kërkon nga autoritetet zyrtare në Shkup që me urgjencë ta trajtojnë rastin dhe të merren masa përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Kosovës.

Në vend të kërkim-faljes, dje dhe sot MPB e Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale, thuhet në reagim.

Presidenca thekson se presidentja Osmani me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë.

“Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, thekson Presidenca.

Presidenca ka sqaruar edhe njëherë situatën duke thënë se sipas praktikës ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje dhe imunitete diplomatike. Kjo është e ditur botërisht dhe deri më tani është respektuar nga çdo shtet ku ka udhëtuar presidentja, përfshirë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Pala maqedonase ka qenë paraprakisht e njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e presidentes në përputhje me praktikat diplomatike, thekson Presidenca.

Për më tepër, Presidenca thotë se nuk është e vërtetë se presidentja Osmani nuk ka pranuar ta skanojë çantën e saj të dorës.

“E para, Presidentja nuk ka pasur bagazh siç propagandohet në reagime të shumta në media, në Maqedoninë e Veriut. Pra, është gënjeshtër se ajo ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi. Ajo ka pasur një çantë të dorës personale të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj”, thuhet në reagim.

Presidenca e quan skandaloze të pretendohet nga kushdo qoftë se gjoja presidentja Osmani kishte diçka të dyshimtë në çantën e saj.

“Jo vetëm se është një e pa vërtetë e madhe, por kjo njëkohësisht është akuza më e rëndë dhe propaganda më e rëndë e bërë ndonjëherë nga media në Maqedoni të Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës. Edhe më skandaloze është deklarata e sotme e MPB-së, se kinse ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat kanë çuar te kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të Presidentes. Kjo është tendencë e paprecedentë për denigrim jo vetëm të Presidentes, por edhe të shtetit të Kosovës. Maqedonia e Veriut duhet ta ketë parasysh që një propagandë të tillë është duke e bërë kundër një Presidenteje, e cila gjatë gjithë mandatit të saj ka kontribuar vetëm e vetëm në thellimin e raporteve pozitive ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, thekson Presidenca.

Po ashtu, në reagim thuhet se nuk është e vërtetë se kompania private apo koncesionarët e aeroportit të Shkupit janë mbi shtetin dhe mbi konventat ndërkombëtare të cilat përcaktojnë rregulla të qarta për trajtimin e kreut të shtetit.

Edhe Aeroporti i Prishtinës është i koncesionuar dhe menaxhohet nga kompani private, por ne nuk lejojmë asnjëherë që një president i një shteti tjetër të trajtohet në mënyrë të tillë jo-dinjitoze e arrogante dhe të kërkohet t’i merret telefoni personal për vendosje në skanerë, përkujton Presidenca.

“Një gjë e tillë është jashtë çdo praktike dhe bie ndesh me protokollet e sigurisë dhe praktikat ndërkombëtare, duke qenë se telefoni i Kreut të Shtetit dihet qartë se përdoret për komunikim zyrtar, përfshirë edhe për çështje të sigurisë. Në kundërshtim me këto standarde ishte edhe kontrolli i çantës së dorës së Presidentes, por ajo përkundër kësaj menjëherë e ka vendosur çantën në skaner.

Edhe pse Policia e Kosovës ia ka komunikuar paraprakisht zyrtarëve të aeroportit të Shkupit rregullat e aplikueshme në situata të tilla, ata kanë tentuar ta pengojnë fizikisht Presidenten, me ç’rast në përputhje të plotë me protokollet e sigurisë, ka reaguar profesionalisht Policia e Kosovës. Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, thekson Presidenca.

“Nga SHBA-të e deri te shtetet e tjera të rajonit, në çdo udhëtim të Presidentes respektohen në plotëni rregullat e trajtimit të kreut të shtetit dhe ASNJËHERË nuk kërkohet të preket, e lëre më të dorëzohet në skaner as telefoni i Presidentes, as çanta e dorës e as valixhja e saj (carry on).  Këto janë rregulla që i respekton çdo shtet e i kanë respektuar edhe shtetet jo njohëse, sepse kreu i shtetit përfaqëson vet shtetin. Pra Kosova në këtë rast nuk po kërkon asgjë tjetër pos normave që respektohen çdo kund në botë. Çdo shkelje e këtyre normave konsiderohet shkelje e mos respekt ndaj vetë shtetit”, përfundon reagimi./Kosovapress

Ora 13:48
'Skandal diplomatik', BDI kërkon përgjegjësi politike për incidentin në aeroport me presidenten Vjosa Osmani

1722435731_vjosaosmani.JPG

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e ka quajtur skandaloz incidentin diplomatik në aeroportin e Shkupit, ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Përmes një komunikate, nga kjo parti kanë thënë se duhet dënuar ashpër kjo sjellje ndaj kujtdo, por sidomos ndaj përfaqësuesve më të lartë të shtetit.

“Bashkimi Demokratik për integrim dënon fuqishëm incidentin skandaloz diplomatik në aeroportin e Shkupit ndaj Presidentes së Republikës së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani. Kjo pasqyrë e shtetit ndaj çdo qytetari, e në veçanti ndaj përfaqësuesve më të lartë të shtetit, e në këtë rast motrat dhe vëllezërit tanë nga Kosova, është e papranueshme dhe duhet dënuar në formën më të ashpër”, thuhet në reagim.

Po ashtu, për BDI-në skandaloze është edhe përfshirja në këtë incident e shefit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

“Involvimi i shefit të sigurimit të Kryetarit jolegjitim të Kuvendit Afrim Gashi në incident, duke e thelluar atë, pa patur asnjë kompetencë, pa qenë të thirrur dhe pa të drejtë, është gjithashtu skandaloz dhe flet zëshëm për gjendjen e mjerueshme dhe vasale në të cilën është përfaqësimi jolegjitim shqiptar në qeverinë monoetnike”, ka thënë më tej BDI-ja.

Fajtor për këtë ngjarje, sipas Bashkimit Demokratik për Integrim, është koalicioni VLEN.

“Humbësit e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare pranuan rolin e të nënshtruarit dhe servilit, vetëm për të qenë në pushtet për veten e tyre, duke lënë në mëshirën e VMRO DPMNE-së, fatin e shqiptarëve në vend dhe në rajon. Mungesa e legjitimitetit, por edhe e dijes dhe guximit, të bën të turpërohesh para qytetarëve dhe para motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri, por edhe në Uashington e Bruksel”, ka shkruar BDI në komunikatë.

Sipas BDI-së, përgjegjësi politike duhet të japin zëvendësministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Afrim Gashi, sigurimi personal i tij dhe të gjithë të përfshirët e tjerë.

“Mohimi i incidentit nga zëvendësministri i punëve të brendshme, Astrit Iseni, involvimi i paligjshëm dhe anarkik i sigurimit personal të Gashit që nxiti incident edhe më të madh, nuk guxojnë të kalojnë pa përgjegjësi politike bashkë me përgjegjësinë ligjore të të gjithë të involvuarve në këtë skandal diplomatik”, u tha në komunikatën e BDI-së.

Ora 08:39
Incidenti me Osmanin në aeroportin e Shkupit, Ministria e Jashtme e Kosovës: Trajtim jodinjitoz, kemi kërkuar sqarime

Ministria e Jashtme e Kosovës ka reaguar pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.

Ministria thotë se ishte një trajtim jodinjitoz dhe se kanë kërkuar sqarime.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me shqetësim ka mësuar  rreth incidentit të shkaktuar në Aeroportin e Shkupit në raport me trajtimin jodinjitoz të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. MPJD do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtejshme, për të sqaruar këtë situatë dhe për t'u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen në raport me krerët e shtetit tonë”, thuhet në njoftimin e plotë të publikuar në Facebook.

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 03/08/2024 03:50

    Ky ishte nje veprim me dashakeqesi te qellimshme nga ana e maqedonasve.Sa per /XXX/ dhe /SERXHO/,keni degjuar ndonjehere per imunitet diplomatik e pashaporta diplomatike? Nese jo,ju sugjeroj te lexoni,te informoheni,ose te pyesni perpara se te hidheni ne perfundime te gabuara sic keni dale me poshte.

    Përgjigju
  • serxho: 02/08/2024 21:51

    Çfar kërkon zgardaballa GËRDALLA...

    Përgjigju
  • XXX: 02/08/2024 12:57

    Pse duhet te mos kontrollohe kjo debilja? A eshte ligji nje per te gjith? I hypen shurra ktyre u duket vetja çoç jane.

    Përgjigju
    • Labi: 02/08/2024 14:03

      Po ti patronazhist paguhesh edhe për të sulmuar Kosovën?! Mjaft lëpive, kombi është I rëndësishëm

  • Alban: 02/08/2024 12:21

    Sllavomaqedonet jane me te keqinj se serbet vete

    Përgjigju
  • DIPLOMAT: 02/08/2024 10:50

    JO! TAV bëri një gabim të madh! Nuk po flasim për udhëtarët dhe rregullat e sigurisë! Po flasim për një “dinjitet sovran”. Kjo është përtej konventës së Vjenës. Ajo nuk është vetëm diplomate, ajo është kreu i një “kombi” dhe telefoni i saj personal NUK është rrezik për aviacionin pasi ajo vetë është pasagjere dhe udhëtimi i saj i sigurt ka rëndësi! EJA! ZJARKONI këta operatorë të pazakontë! Ky është skandal i vërtetë GLOBAL!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille