Sot është dita e Hillary Clinton, ndërsa nesër radha i takon Billit. Pas muajsh tensionesh dhe përplasjesh me deputetin republikan James Comer, kryetar i Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, çifti Clinton do të thirret për të dëshmuar në kuadër të hetimit mbi financierin pedofil Jeffrey Epstein

Të dyja dëshmitë do të zhvillohen në Chappaqua, në shtetin e Nju Jorkut, ku jetojnë Clintonët. Komisioni i Mbikëqyrjes së Dhomës po heton rrjetin e bashkëpunëtorëve të Epstein dhe trafikun e skllaveve seksuale.

Si funksionon dëshmia?

Bëhet fjalë për një dëshmi nën betim, e dhënë jashtë gjykate në kuadër të një hetimi të Kongresit amerikan. Dëshmitarët do të dëshmojnë nën betim, me dyer të mbyllura, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve dhe hetuesve të komisionit.

Seanca do të regjistrohet dhe më pas do të transkriptohet. Dhënia e deklaratave të rreme mund të sjellë pasoja ligjore. Fillimisht, Clintonët kishin refuzuar të dëshmonin, duke pretenduar se hetimi ishte i motivuar “politikisht”.

Ata pranuan të paraqiten përpara komisionit pasi Dhoma e Përfaqësuesve u shpreh e gatshme të procedonte me një votim dypartiak për t’i akuzuar për shpërfillje të Kongresit, çka do të mund të sillte ndjekje penale.

“Askush nuk po i akuzon Clintonët për ndonjë shkelje,” deklaroi James Comer. “Ne thjesht kemi shumë pyetje.” Hillary Clinton pritet të paraqitet rreth orës 15:00 të së enjtes, 26 shkurt. Dëshmia e ish-sekretares së Shtetit ishte planifikuar fillimisht për 9 tetor, më pas u shty për 18 dhjetor. Një thirrje e mëvonshme për paraqitje e caktoi datën 14 janar 2026, por as atëherë ajo nuk u paraqit.

Qëndrimi i çiftit Clinton

Clintonët kanë denoncuar një fushatë hakmarrjeje politike ndaj tyre, të orkestruar nga ish-presidenti Donald Trump. Në fillim të shkurtit, ata jo vetëm që pranuan të dëshmojnë, por gjithashtu kërkuan që dëshmitë e tyre të bëhen publike.//Corriere Della Sera