Krahasimet historike shtohen: disa kujtojnë arrestimin — dhe më pas prerjen e kokës të Charles I të Anglisë në mesin e shekullit XVII; të tjerë thonë se ajo që po shohim është më e rëndë se abdikimi i Edward VIII në vitin 1936. Në çdo rast, arrestimi i të tetit në radhën e trashëgimisë së fronit është një tërmet, komentoi Peter Hunt, korrespondent veteran për çështjet mbretërore i BBC. Familja mbretërore ndodhet tani në ujëra të panjohura që nuk është e përgatitur t’i përballojë. Do të duhet t’u përgjigjen pyetjeve për Andrewn dhe të japin llogari: diçka që deri më sot ka qenë për ta një koncept i huaj.
Dhe sigurisht fatkeqësia që ka goditur vëllain e mbretit Charles, ish-princ mbretëror dhe sot thjesht zotëri me mbiemrin Mountbatten-Windsor, është diçka që e godet në zemër monarkinë. Edhe pse i privuar nga të gjithë titujt, Andreë teknikisht mund të pasojë ende sovranin: duke përjashtuar të miturit, mes tij dhe fronit janë vetëm Princi William dhe Princi Harry.
Duke pasur parasysh se mbreti vuan nga kanceri, William vazhdon të fluturojë me helikopter dhe Harry është i kënaqur me “mërgimin” e tij në Kaliforni, perspektiva tronditëse nuk është krejtësisht fantastike. Në çdo rast, ish-princi është ende Këshilltar i Shtetit dhe mund të ushtrojë funksionet e mbretit, ndërkohë që rrezikon të përfundojë në burg.
Përtej problemeve kushtetuese, familja Windsor po bën gjithçka për të theksuar distancimin nga i përbuzuri: në Londër u vu re se në deklaratën e Charles ku thuhej se ‘drejtësia duhet të ndjekë rrjedhën e saj’ mungonin dy fjalë të rëndësishme, “vëllai im”.
Megjithatë, Ailsa Anderson, ish-zëdhënëse e Elizabetës së II, vëren se në planin personal, mbreti duhet të jetë i shkatërruar nga kjo fatkeqësi, në një moment kur po lufton me kancerin. Jam vetëm e lumtur që e ndjera Elizabetë nuk është këtu për të parë gjithë këtë. Megjithatë, shumë e konsiderojnë sot mbretëreshën bashkëpërgjegjëse për atë që po ndodh, sepse gjithmonë e ka mbrojtur Andrean dhe nuk ka marrë masa në kohë.
Familja mbretërore, thuhet, është në “modalitet krize” dhe po zhvillon bisedime për hapat e ardhshëm, edhe pse publikisht kanë vazhduar angazhimet e planifikuara: dhe princesha Anne, motra e Andrew, ka vizituar burgun e Leeds-it një ironi që nuk i ka shpëtuar shumëkujt.
Pyetjet për të ardhmen shtohen. Në pranverë mbreti Charles do të vizitojë Shtetet e Bashkuara: a do ta vënë gazetarët amerikanë, më pak të përmbajtur se ata britanikë, përballë pyetjeve për çështjen Jeffrey Epstein? Arrestimi i Andrew ka vënë në qendër të vëmendjes mënyrën e lirshme të veprimeve të tij financiare: a do të shqyrtohen tani të ardhurat e mëdha të Dukatit të Lancasterit dhe atij të Cornwall-it, prej të cilave përfitojnë Charles dhe William, praktikisht pa paguar taksa?
Pra, vetë arsyeja e ekzistencës së monarkisë rrezikon të vihet në pikëpyetje: dhe sipas Graham Smith, lider i lëvizjes antimonarkike Republic, fundi i saj ‘është çështje kohe, jo nëse do të ndodhë apo jo’. Ajo që po shohim, shton ai gjatë një takimi me korrespondentë të huaj, ‘është një lëkundje sizmike: do të jetë e pamundur për ta të rimëkëmben nga ky skandal. Ndodhen në një situatë serioze, shumë të rrezikshme’.
Ishin pikërisht Smith dhe mbështetësit e tij që e denoncuan Andrewn në polici dy javë më parë për sjelljen e tij si i dërguar qeveritar për tregtinë, kur kalonte sekrete shtetërore te Jeffrey Epstein: “Nuk besoja se do ta arrestonin”, pranon lideri republikan.
Kjo është shenjë se diçka ka ndryshuar: mbështetja për monarkinë ka qenë në rënie prej vitesh dhe, sipas sondazheve më të fundit, ka rënë në 45%, shumë larg 75% të njëzet viteve më parë. Mbi të gjitha, Kurora përballet me atë që Smith e quan “bombë demografike”: nën moshën 50 vjeç ndjenja republikane është më e përhapur dhe adoleshentët e sotëm rriten me prindër që nuk janë monarkistë.
Parlamenti teorikisht mund ta shfuqizojë monarkinë në çdo moment, por në realitet do të duhet një referendum: Republic po përpiqet të bindë qeverinë ta lejojë, ashtu siç u bë për Skocinë apo për Brexit-in. “Mund të duhen dhjetë vjet, ndoshta njëzet, por mund ta fitojmë”, është i bindur Smith.
Në çdo rast, Windsor-ët janë me shpinë pas murit: «Nëse heshtin, dëmtojnë reputacionin e tyre; por nëse zbulojnë sekretet e tyre dhe rroba të pista kanë shumë, për ta do të jetë fundi». Muzgu i asaj që ende e quajmë Mbretëria e Bashkuar duket se ka nisur.
Komente










