Skandali/ Hotel pa leje në
qendrën muzeale të Gjirokastrës

Skandali/ Hotel pa leje në<br />qendrën muzeale të Gjirokastrës
TIRANE - Një hotel me 15 dhoma, po ndërtohet në qendrën muzeale në Gjirokastër. Ndërtimi cilësohet një rrezik më shumë për daljen e Gjirokastrës nga Lista e Pasurive Botërore, UNESCO. Pas shumë ndërhyrjeve restauruese që kanë marrë kritika të ashpra nga UNESCO, ky ndërtim që dëmton e shëmton gjithë kompleksin muzeal ngre alarmin sos.

Denoncimi u bë dje nga deputeti Auron Tare, përmes disa fotove ku duket qartë se në ç’fazë është ndërtimi. Ndërsa një varg dokumentesh servirur nga Bashkia e Gjirokastrës zbardh gjithë përplasjet për këtë ndërtesë mes Bashkisë, Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe drejtorit të Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe.

“Shqiptarja.com” pyeti dje në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve në Gjirokastër ku u konfirmua se ndërtimi do të jetë hotel, por që është konform rregullave e ligjeve, i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.

Nga ana tjetër mësohet se projekti është kundërshtuar nga Bashkia e Gjirokastrës, me argumentin se ndërtimi është pa leje dhe s’mund të ngrihet një ndërtim bazuar vetëm në miratimin që i bëhet atij nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit. Si të gjithë projektet duhet të paraqitet në Zyrën e Urbanistikës e të marrë leje ndërtimi.

Mbështetur në këto argumente kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës i ka dërguar një letër Drejtorisë së Monumenteve, MTKRS dhe Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.   Me një tjetër letër drejtori Apollon Baçe argumenton se në këtë rast termi rindërtim duhet kuptuar si restaurim.

Por ç’është ky vendim i marrë nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve? Siç mësohet, vendimi është marrë me 13 shkurt 2013. Përmes tij është miratuar projekti i rindërtimit të objektit në pronësi të Z.Sabahudin Kodra Gjirokastër.

Vendimi është miratuar me shumicë votash, mban numër protokolli 10 dhe është firmosur nga ish-ministri i Kulturës Aldo Bumçi në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Restaurimit dhe  Akademik Apollon Baçe në cilësinë e sekretarit të këtij këshilli. Ky vendim i është dërguar  nw Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër dhe bashkisë së Gjirokastrës e menjëherë më pas ka shkaktuar përplasje institucionale.

Më poshtë po sjellim të plotë letërkëmbimin mes kryetarit të Bashkisë Gjirokastrës, Flamur Bime e drejtorit të IMK-së, Apollon Baçe; letra që zbardhin pretendimet e të dy palëve.

  	Punëtor në ndërtimin pa leje në Gjirokastër

(Foto: Ndërtimi në sheshin e Gjirokastrës në vendin e njohur si “Fantazia” në sheshin kryesor të Gjirokastrës, në vendin ku
dikur ishte statuja e Enver Hoxhës)
 	Punëtor në ndërtimin pa leje në Gjirokastër
(Foto: Ndërtimi në sheshin e Gjirokastrës në vendin e njohur si “Fantazia” në sheshin kryesor të Gjirokastrës, në vendin ku
dikur ishte statuja e Enver Hoxhës)


LETRA E KRYEBASHKIAKUT BIME

Kthim përgjigje
Drejtuar drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Gjirokastër
Për dijeni: Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve.(Këshilli Kombëtar i Restaurimeve)

 
Në përgjigje të shkresës tuaj me NR73 prot datë 15.03.2013 ku na njoftoni se do të fillojnë punimet  restauruese në objektin me pronësi të Z.Sabahudin kodra pranë lokalit “Fantazia” miratuar me vendimin nr.8 dt.13.02.2013 të K.K.R, ju sqarojmë si më poshtë:
Në vendimin nr.8 dt.13.02.2013 të K.K.R për objektin  z.sabahudin kodra është miratuar projekti i rindërtimit, kështu që mbështetur ën ligjin nr 101 19 datë 23.04.2009 për “planifikimin e territorit”, Seksioni III,  “Leja e zhvillimit”, neni 71 Seksioni IV “leja e ndërtimit” dhe Ligjit nr 8402 datë 10 09 1998 “për kontrollin dhe disiplinimin  e punimeve në ndërtim” Kreu III “projektimi, mbikëqyrja, zbatimi dhe kolaudimi i punimeve të ndërtimit”, Neni 7, Neni 8 dhe Neni 9, autoriteti për  dhënien e lejeve  të ndërtimit është bashkia Gjirokastër. Për këtë duhet që të gjithë qytetarëve të cilëve u është miratuar projekti në K.K.R. pranë M.T.K.R.S të paraqiten pranë Zyrës së urbanistikës  me dokumentacionin përkatës për tu pajisur me leje ndërtimi. Në rast të kundërt do të veprojmë në bazë të Ligjit nr 8402 datë 10 09 1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin  e punimeve në ndërtim” Kreu III “Sanksionet”, neni 15, dhe ligjit  NR 9780 datë 16.07.2007 “për inspektimin  ndërtimit.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.
Kryetari Flamur Bime.

 
LETRA E APOLLON BAÇES

Republika e Shqipërisë
Instituti i Monumenteve të Kulturës
“Gani Strazimiri”
Nr Prot 303/1  
Tiranë, më 04/04/2013
Lënda: Kthim përgjigje
Drejtuar: Z.Flamur BIME
Kryetar
Bashkia Gjirokastër

 
Në përgjigje të shkresës suaj datë 25.03.2013 e nr.prot.303, ju bëjmë me dije se zoti Sabahudin KODRA është pajisur me leje restaurimi nr.8 nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve më datë 13.02.2013. Në përputhje me nenin 17, pika 6 të ligjit nr 9048 datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore” thuhet se: “Çdo objekt për restaurimi i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, i cili përcakton kriteret dhe kategoritë e projekteve, që miratohen nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Zbatimi i punimeve të restaurimit të monumenteve të kulturës, mbikëqyrja dhe kolaudimi i tyre, nuk i nënshtrohen ligjit nr.8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinën e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar. Rregullat dhe kriteret e punimeve të restaurimit në objektet e trashëgimisë kulturore përcaktohen në Kartën Shqiptare të Restaurimeve, e cila miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Gjithashtu në VKM nr 832 datë 11.12.2003 “Për miratimin e rregullores së administrimit të qytetit muze të Gjirokastrës” të ndryshuar neni 4 thuhet se: “Zona muze është pjesa më me vlerë e qendrës historike. Ajo mbrohet në tërësi si kompleks monumental urbanistik, arkitektonik dhe ambiental, në këtë zonë mund të lejohen vetëm rikonstruksione të ndërtimeve ekzistuese, të cilat konsiderohen të domosdoshme për jetën e qendrës historike. Projektet e restaurimit hartohen nga IMK-ja ose subjekte të licencuara për këtë qëllim nga ana e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të cilat miratohen nga ana e Këshillit Kombëtar të Restaurimit”.
 
Ju bëjmë me dije se objekti i cili përcaktohet në vendimin nr 8 datë 13.12.2013 ndodhte brenda zonës muzeale dhe është kompetencë ekskluzive e KKR për dhënien e lejes. Pavarësisht cilësimit në këtë vendim si rindërtim i objektit ai në kuptim të ligjit nr 9048 datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore” dhe VKM nr 832 datë 11.12.2003 “Për miratimin e rregullores së administrimit të qytetit muze të Gjirokastrës” të ndryshuar, ajo konsiderohet si leje restaurimi.
Ju faleminderit për bashkëpunimin
DREJTORI
AKADEMIK APOLLON BAÇE


Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.05.2013
 
Rdaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin


Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin