Portieri i Juventusit, Xhanluixhi Bufon nuk u trembet spekulimeve të mediave të cilat flasin për një pezullim të trajnerit të “Zonjës së Vjetër”, Antonio Konte për shkak se më herët është përfshirë në skandalin e trukimit së ndeshjeve, kur ishte pjesë e Sienës apo dhe Barit.

“Nuk kam frikë nga këto spekulime. E njoh mirë Antonion dhe e kuptoj mirë futbollin. Kam dëgjuar shumë versione të ndryshme të futbollistëve të Sienës, të cilat nuk përputhen”, ka theksuar Bufon, për të vijuar:

“Kjo nuk ka lidhje me kurrfarë krimi. Të gjithë që janë pjesë e futbollit e dinë se çfarë mund të ndodhë në situata të tilla”. Ndërkohë, Bufon edhe një herë i është rikthyer temës së titujve të fituar nga Juventusi, duke pretenduar se ka pesë tituj kampioni me këtë skuadër dhe jo tre.

“Nëse dikush më pyet sa trofe të Serisë A kam fituar me Juventusin, menjëherë do të thosha pesë, edhe pse federata na i llogaritë tre tituj. Sidoqoftë e vërtetë është ajo që them unë”, ka nënvizuar Bufon.(rb/shqiptarja.com)