Dorëheqja e Astrit Becit nga posti i drejtorit të fondit të sigurimit të kujdesit të detyrueshëm shëndetësorë është zhvillimi i fundit në skandalin e recetave fiktive të rimburimit.

Nga hetimet e task forcë në Prokurorinë e Tiranës ka rezultuar se në skemën fiktive të rimbursimit janë përdorur 12 medikamente të rimbursueshme me vlerë mbi 15 mijë lekë për medikament, medikamente këto të përdorshme për kurimin e sëmundjeve tumorale, ato të diabetit dhe sëmundjeve të brendshme aspiratore të cilat në listën e rimbursimit kanë vlerën më të madhe të rimbursimit.


Hipoteza e Prokurorëve është se kjo skemë fiktive rimbursimi prek kupolën drejtuese të fondit të sigurimit të kujdesit të detyrueshëm shëndetësore  dhe gjithashtu sipas tyre është shtrirë në 10 nga 12 drejtorit rajonale të fondit, duke bërë që në sitën e hetimeve veç drejtorisë rajonale të Tiranës të kalojë dhe drejtoria e Elbasanit, Durrësit, Vlorës, Fierit, Shkodrës, Dibrës, Beratit, Lezhës e Gjirokastrës.
 
Për skandalin e rimbursimit fiktiv me vlerë të dokumentuar në 56 milion lekë në 2 javë hetime të task forcës në pranga janë ish drejtori i tiranës Pjerin Xhuvani dhe administratori i 4 farmacive të hetuara në tiranë Hysen Roci. Ndërkohë në të njëjtin hetim 3 zyrtarë të drejtorisë tiranë dhe 4 farmacistë janë në masën detyrim paraqitje.

Sipas hetuesve nga ballafaqimi i dokumentacionit të sekuestruar në këtë fazë të hetimeve ka rezultuar se nga buxheti i shtetit janë paguar në formë rimbursimi ilace fiktive më shumë nga realisht janë importuar ilace të rimbursueshme dhe nga sa realisht depot farmaceutike kanë shpërndarë në tregun e farmacive, apo pacientët e siguruar kanë përfituar.

Aktualisht hetuesit kanë marrë në dorë serverin qendror të programit të rimbursimit të medikamenteve dhe po punojnë për të klasifikuar farmacitë të dhe depot farmaceutike të përfshira në këtë skandal, pasi sipas hetuesve çdo ilaç i rimbursueshëm shënohet online sapo del nga depo dhe deri kur merret nga pacienti nëpërmjet farmacisë.
 
Dorëheqja e drejtuesit të fondit të rimbursimit Astrit Beci për t’i hapur rrugë çdo hetimi siç ai shprehet në arsyet e tij vjen afro dy vite pas emërimit të tij në këtë post më 8 tetor të 2013, ndërsa më parë ai ka qenë dhe deputet në parlamentin e Shqipërisë.


Deklarata e plotë e Astrit Beci për dorëheqjen nga posti i drejtorit të FSDKSH
Në emër të dinjitetit tim personal, në shprehje të përgjegjshmërisë më të lartë institucionale, me dëshirën për t’i hapur plotësisht rrugën cdo hetimi dhe me vullnetin për të ruajtur dhe forcuar emrin e mirë të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor: "Deklaroj dorëheqjen time të parevokueshme nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të këtij Fondi, i bindur se krijoj kështu klimën më të mirë institucionale për mbarëvajtjen e reformës në shëndetësi dhe për luftën e domosdoshme kundër korrupsionit. Jam krenar për arritjet e shënuara në këtë periudhë 20 mujore gjatë së cilës kam drejtuar një prej Enteve më të rëndësishëm në zemër të reformës më të vështirë të ndërmarrë nga një administratë politike. Në dokumentat bashkëngjitur do të gjeni të plotë arritjet e kësaj periudhe, e cila ka qenë e vështirë, plot me sfida dhe me shumë kënaqësi që prodhon puna e përbashkët. Falenderoj çdo bashkëpunëtor që ka qenë pranë meje me kontributin e tij dhe jam i bindur se arritjet e shënuara gjatë kësaj periudhe nga stafi që kam drejtuar, janë të pakthyeshme dhe të qëndrueshme.

Në lidhje me hetimin penal të kërkuar prej meje si Drejtor i Përgjithshëm për shpërdorimet dhe përfitimet e paligjshme nga skema e rimbursimit të disa subjekteve farmaceutike, i takon institucioneve  të  drejtësisë  t’i  shkojnë  deri  në  fund  politikës  “zero  tolerancë”  ndaj korrupsionit, që unë kam zbatuar në krye të Fondit. Për arsye të sekretit hetimor kam zgjedhur gjatë kësaj periudhe të mos flas publikisht.

Me  përfundimin  e  projekt-raportit  auditit  kam  dërguar  pranë  Drejtorisë  së  Tiranës rekomandimet per masat organizative, disiplinore dhe  administrative, të cilat mendoj që do të mundësojnë mirë-administrimin e kësaj drejtorie. Jam i bindur se pasardhësi im në detyrë do t’i ketë ato përparësi të punës së tij. Duke  falenderuar  personalisht  të  gjithë  ata  që  patën  besim  tek  unë  dhe  më  mbështetën moralisht dhe institucionalisht, mbetem i bindur se cdo arritje e secilit është një hap më tej i vendit dhe i qytetarëve të tij drejt një standardi më të lartë e më të merituar jetese.