Skandali i mbetjeve toksike të KURUM, a e dinte kompania 'Maersk' çfarë kishin kontejnerët? BAN kërkon hetim, edhe 'Candor' fiku për shumë ditë GPS

Skandali i mbetjeve toksike të KURUM, a e dinte kompania 'Maersk' çfarë kishin kontejnerët? BAN kërkon hetim, edhe 'Candor' fiku për shumë ditë GPS

Anija 'Candor Maersk', pas zbarkimit dhe bllokimit në portin e Singaporit, më 24 Gusht

Teksa informacionet hetimore për skandalin e mbetjeve toksike nga KURUM dhe “Sokolaj sh.p.k” mbahen të rezervuara nga autoritetet ligjzbatuese shqiptare, mediat e huaja nxjerrin herë pas here detaje gati implikuese të rastit, teksa ishin të parat, që bashkë me organizatën joqeveritare ekologjike me qendër në SHBA, “Basel Network Action”, dhanë alarmin më 5 Gusht.

Është agjencia e specializuar për lajmet investiguese dhe analizat e industrisë-ekonomike në Singapor, “ManifoldTimes”, ajo që ka detajuar informacione shtesë, duke hedhur dyshime edhe tek kompania transportuese ndërkombëtare detare “Maersk”.

A e dinte shoqëria në fjalë se kontejnerët përmbanin mbetje toksike dhe pse i mori në dorëzim transportimi nga një tjetër shoqëri po transporti anijesh, që t’i lëvizte nga deti Adriatik ku u ngarkuan, për në Azinë Lindore, mes Singaporit dhe Tajlandës?

Organizata BAN, sipas medias në fjalë, ka kërkuar që edhe “Maersk” të hetohet, sepse nuk duhet të merrte në dorëzim një ngarkesë me 102 kontejnerë dhe peshë mbi 800 tonë, pa ditur përmbajtjen apo llojin e saj.

“ManifoldTimes” publikon informacionin, po referuar BAN, se një nga anijet transportuese, “Candor Maersk” e ka fikur sinjalin e GPS për shumë ditë, madje më shumë se çfarë duhej. Duke e krahasuar me informacionet e mëparshme të publikuara, fillimisht ka qenë “Compton Maersk” me 60 kontejnerë që fiku GPS lokalizues, më 1 Korrik kur iu afrua Afrikës së Jugut, në portin Cape Town.

Por që prej 9 Gushtit besohet dhe dyshohet se edhe “Candor”, me 40 kontejnerë, ka bërë të njëjtën gjë. “Mersk” i cilësoi informacionet të pavërteta duke iu përgjigjur interesit dhe pyetjeve të medias në fjalë në Singapor. Kompania tha se fikja e sinjalit ndodh herë pas here për shkak edhe të sigurisë detare që hasin ekuipazhet.

“Për shkak të këtij fakti, Maersk po rrezikon përgjegjësinë e mundshme të trafikimit kriminal të mbeturinave”, tha mbikëqyrësi i BAN.

Por duke iu referuar BAN, konstatohet se “anijet e kanë fikur GPS jo siç ndodh zakonisht me anijet e tjera apo në rrethana të ngjashme”, por më shumë dhe në mënyrë të çuditshme.

Madje shkruhet edhe se të dyja anijet “Compton” dhe “Candor” kanë mbajtur komunikime në distancë nga Afrika dhe më pas Singapori, me Shqipërinë. Pra është biseduar mes ekuipazhit dhe personave të panjohur nga distanca, që duket se komandonin, por nuk identifikohen.

“Maersk” e hodhi poshtë edhe këtë informacion si “të pasaktë”. Por shoqatat e pavarura joqeveritare ekologjike, si dhe BAN, kanë dyshime të forta. Pyetja që ngrenë ato është se çfarë ka bërë ekuipazhi i “Compton” gjatë kohës që fiku GPS në Afrikë dhe më tej ai “Candor”, drejt rrugës për në Singapor?

Më 18 Gusht “Compton” ishte e para që mbërriti në Singapor. “Maersk” konfirmoi se ngarkesa e saj u kthye mbrapsht më 21 Gusht drejt Italisë, me një tjetër anije të kompanisë. Më 24 Gusht zbarkoi në Singapor edhe anija “Candor”, që raportohet se i shkarkoi kontejnerët me mbetje në port.

“Maersk” deklaron se edhe kjo ngarkesë u imbarkua në bordin e një tjetër anije të saj dhe të dy mjetet janë rrugës së kthimit për destinacion, Itali dhe më tej në Shqipëri.

“Më 19 gusht, këta kontejnerë u renditën se kishin përfunduar transferimin në anijen “Maria Saveria” të Kompanisë së Transportit Mesdhetar S.A. (e njohur publikisht si MSC), e planifikuar të lundronte në Itali më 21 gusht, ku supozohet se do të transferoheshin në një anije tjetër me destinacion Durrës, Shqipëri. Anija e dytë Maersk që transportonte mbetje të dyshuara të rrezikshme, Maersk Candor, ka qenë "errësirë" që nga 9 gushti, një kohë shumë e pazakontë”, shkruan agjencia në fjalë.

“AP Moller-Maersk (Maersk)” këmbëngul se “nuk ka pasur parregullsi dhe s’kanë ditur përmbajtjen e ngarkesës, teksa pas sinjalizimit në media dhe nga BAN, nisën procedurën e rikthimit të ngarkesës”.

Fillimisht informacioni i BAN thoshte se nga Shqipëria ngarkesa do shkarkohej në Tajlandë, por autoritetet e kësaj të fundit thanë se “nuk janë njoftuar dhe se s’do i pranonin kontejnerët”. Në fakt asnjë nga anijet nuk zbarkoi në portet tajlandeze.

Ato ndalën në tranzitin e parashikuar të Singaporit. Një tjetër vend ku dhyshohej se ishte dakordësuar dërgesa për t’u hedhur.

Mbetjet toksike të nxjerra nga përpunimi i furrës së shkrirjes së çelikut të KURUM merren nga filtrat dhe përmbajnë lëndët kimike helmuese Kromium dhe Kadmium kryesisht, por edhe Zink dhe elementë të tjerë të dëmshëm, që duhen përpunuar nga industri e specializuar dhe e kushtueshme.

Por duket se në marrëveshje sekrete dhe ilegale, ato shiten tek shoqëri të tjera tregtare, që po ilegalisht gjejnë blerës për t’i dërguar.

Mediat e Singaporit kanë raportuar ditët e fundit se Azia Lindore, kryesisht aksi Singapor-Tajlandë-Kinë, është bërë si një “depo thithëse” e mbetjeve toksike nga Europa dhe Amerika.

Lëndët kimike cilësohen të rrezikshme, me simptoma vdekjeprurëse në afat të gjatë, pasi shkrihen në filtrat e tokës dhe përfundojnë në ujëra që ndoten dhe më tej konsumohen nga njerëzit. Efektet anësore janë kryesisht probleme me mëlçinë, veshkat, sistemin frymëmarrës dhe më gjerë.

BAN dhe partnerët e saj, organizatat e drejtësisë mjedisore, GroundWork, Friends of the Earth në Afrikën e Jugut dhe Ecological Alert and Recovery – Tajlandë (TOKA), kanë denoncuar se shkelja është e rëndë, duke kërkuar masa, pasi bëhet fjalë për një akt kriminal.

Shqipëria, sipas BAN, “nuk ka njoftuar askënd për ngarkesën dhe duket se e ka bërë ilegalisht”.

Ngjarja ka shkaktuar edhe “shpërthim” politik në Shqipëri. Teksa Prokuroria e Durrësit po heton shoqërinë “Sokolaj” që bënte transportin dhe tregtinë, si dhe KURUM që i shiti, opozita akuzon qeverinë se ka pasur dijeni dhe ka lejuar këtë trafik mbetjesh toksike drejt Kinës, Tajlandës dhe Singaporit.

Qeveria tha se Porti i Durrësit nuk kishte dijeni për ngarkesën dhe nuk është njoftuar, duke ia lënë përgjegjësinë kompanive. Por opozita thotë se Porti duhet të verifikonte dokumentacionin dhe ngarkesën në përmbajtje.

Aktualisht priten analizat e mbetjeve në kontejnerë, por duket se “errësimi” në disa momente gjatë udhëtimit ngre dyshime të forta, se diçka mund të ketë ndodhur edhe rrugës.

A.Q/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë