TIRANE- Skandali me kthimin e 79 dynym tokë në zonën turistike të Spillesë, ka përfunduar me tërheqjen e prokurorisë së Tiranës, e cila në fund të procesit gjyqësor ndaj 6 të pandehurve, ka tërhequr akuzat për 5 ish-zyrtarët dhe se ka kërkuar dënim vetëm për shtetasin Nuri Myrtezaj. Ky i fundit është i dënuari i vetëm i skandalit të pronave në zonën e Spillesë, të cilin gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 vit burg. Ndërkohë që gjykata ka vendosur pushimin e gjykimit pë akuzën "Shpërdorim detyre" të parashikuar nga neni 248 të K.Penal, për të pandehurit Ali Aliaj, Bledar Dervishi, Altin Ceni, Dhimitër Papa dhe Merita Gjinali dhe kalimin e akteve pranë prokurorisë së rrethit gjyqsor Tiranë.

Me këtë vendim mbyllet dhe historia e abuzimit me trojet në Spille, ku një sipërfaqe rëre deti, ju kthye nga AKKP një familje, si tokë bujqësore. Rasti u denoncua në njësisë hetimore Task-Forcë, e cila gjatë hetimeve të kryera arriti të arrestojë 6 personat e sipërcituar, por që pas dërgimit në gjykatë, prokuroria është tërhequr në momentin e fundit.

Akti i ekspertimit
Prova e vetme ku prokuroria e Tiranës mbështeste akuzën mësohet se ka qënë akti i ekspertimit, të bërë nga vetë organi i akuzës. Mirëpo, pikërisht ky akt është rrëzuar si provë nga ana e gjykatës dhe se në këto kushte, akuzat e prokurorisë nuk gjenin mbështetje ligjore. Për pasojë, përfaqësuesi i njësisë hetimore Task-Forcë, në seancën e dhënies së pretencës, ka tërhequr akuzën për ish-drejtorin e AKKP Tiranë Bledar Dervishaj, Ali Aliaj, juristin e AKKP dhe tre të pandehurve të tjerë, Altin Ceni, Dhimitër Papa e Merita Gjinali. Ndërkohë që për të vetmin që ka kërkuar burgim ka qënë i pandehuri Nuri Myrtezaj, që sipas prokurorisë akuzohej për “Falsifikim dokumentash”.

Nga Gosa në det
Denoncimet e pretendentëve për 79 dynymët e tokës në afërsi të Spillesë por edhe të përfaqësuesve lokalë, sollën nisjen e hetimeve nga Task-Forca e Tiranës. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se gjithçka kishte nisur me një aplikim në AKKP-së, ku familja Jenisheri që pronat e veta i ka në fshatin Gosë të Kavajës, kërkonte rikthimin e 79 dynymëve pronë, e cila i ishte sekuestruar kësaj familjeje në vitin 1939. Por prokuroria ka mundur të sigurojë aktin e sekuestros së pronës, e cila rezultonte pronë “tokë e punueshme” dhe kufijtë e së cilës ndodheshin në rrethinat e Gosës së Kavajës, shumë larg bregdetit ku me dokumente të falsifikuara u “spostua” kjo pronë. Jo pak, por 2.5 kilometër vijë bregdetare iu kthye familjes Jenisheri, ndërsa ky veprim është “vulosur” në AKKP-në e Tiranës, në vitin 2009.
 
Shkrimi u publikua sot (04.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)