SARANDE-Pas denoncimit në media, prokuroria ka nisur verifikimet për ndërtimin që po bëhet në Parkun Arkeologjik të Butrintit. Prokuroria po verifikon nëse janë respektuar kushtet për lejen dhe nëse e lejon statusi i UNESCO-s ndërtimin.
 
Policia ka qenë dje pasdite në Parkun Arkeologjik të Butrintit ku po ndërtohet, ndërsa inxhinierit i është kërkuar që të paraqesë dosjen për verifikim. Pas kërkesës, inxhinieri është paraqitur duke e dorëzuar, ndërkohë që po bëhen verifikimet nga prokuroria.

Brenda parkut po ndërtohet një objekt për Bar-Kafe duke shkaktuar debat për faktin se po dëmtohet një zonë me vlera të rralla arkeologjike. Ndërtimi po bëhet pranë një muri prehistorik, i cili daton në shekullin e 7-8 para Krishtit, në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. 
 
Por sipas ministrisë së Kulturës, që është autoriteti përgjegjës për Parkun dhe për lejen e dhënë, kjo ndërtesë do të jetë me një strukturë të përkohshme, edhe pse në pamje duket qartë që ndërtesa po bëhet me elemente hekuri dhe beton.
 
Paqartësia për funksionin dhe madhësinë e godinës që po ndërtohet brenda Parkut të Butrintit është ajo që bie në sy edhe pas reagimit zyrtar të Ministrisë së Kulturës. Si në deklaratën e ministrisë, por edhe në vendimet që përmenden në këtë deklaratë, nuk jepen detaje të projektit.

dy.b/shqiptarja.com