Pas videove që po qarkullojnë në rrjete sociale ku figura të njohura janë përfshirë në një skandal seksual ka reaguar edhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në një deklaratë Komisioneri thekson se edhe personat publikë gëzojnë të drejtën për privatësi dhe se interesi i publikut për jetën intime nuk përbën në vetvete interes publik që justifikon publikimin. Në reagim nënvizohet gjithashtu se fakti që një material është publikuar më parë në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin apo rishpërndarjen e tij.

Deklarata e plotë

Në vijim të publikimeve të fundit në media dhe rrjete sociale për materiale të pretenduara intime, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u bën thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të respektojnë jetën private dhe dinjitetin e çdo individi.

Ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ndalon përpunimin e këtyre përmbajtjeve. Gjithashtu, publikimi dhe shpërndarja e tyre është e ndaluar.

Të qënit figurë publike nuk përbën heqje dorë nga e drejta për jetë private. Kurioziteti për jetën intime të një individi nuk mjafton për të justifikuar publikimin e saj si çështje me interes publik. Liria e shprehjes dhe e informimit duhet të ushtrohet duke respektuar kushtet e nenit 43 të ligjit, përfshirë domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe mbrojtjen e thelbit të të drejtave themelore.

Fakti që një material qarkullon në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin e tij. Çdo rishpërndarje mund të shtojë ekspozimin dhe dëmin ndaj personave të prekur dhe familjeve të tyre.

Çdokush që përpunon në mënyrë të paligjshme të dhëna personale është subjekt i masave administrative dhe penale.

Zyra e Komisionerit bën thirrje të ndërpritet publikimi dhe rishpërndarja e materialeve intime në kundërshtim me ligjin dhe të hiqen përmbajtjet e publikuara në mënyrë të paligjshme.


Lajmi kryesor:

Skandali me publikimin e videove seksuale: Personazhe të njohur të shantazhuar me pamje private! Asnjë reagim nga policia e prokuroria