TIRANË - Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit me burg në mungesë për Avdjol Dobin, 26-vjeçarin administrator të "DH-Albania", kompania e cila fitoi dy tenderë me vlerë 30 mln euro nga ARRSH dhe OST me dokumente të falsfikuara. Masa e sigurisë nga Gjykata është dhënë sot me kërkesë të prokurorisë. Avdjol Dobi është shpallur në kërkim policor që prej zbulimit të skandalit. "DH-Albania" fitoi lotin e parë të "Unazës së Madhe" me vlerë 18 mln euro, pjesë e segmentit nga Pallati me Shigjeta deri te Sheshi Shqiponja. Ndërsa nga OST mori tenderin 12 mln euro për linjën 220 kW Burrel-Peshkopi. Të dy tenderët e anuluan më pas.
Dyshimet mbi Dobin bien se ka falsifikuar dhe ka përdorur më pas një vërtetim të lëshuar nga departamenti i shtetit të Delaware në SHBA, ku tregohej se kompania offshore “Dunwell Haberman”, e cila pretendohet se është mëma e firmës shqiptare “DH-Albania”, nuk kishte detyrime financiare në SHBA dhe se vijonte aktivitetin në fushën e ndërtimit prej 20 vitesh. Ndërsa në të vërtetë rezultoi se “Dunwell Haberman” ishte regjistruar vetëm në korrik 2018 dhe jo në korrik 1998, siç dokumentohej në materialet e depozituara në QKR.
Pas këtij skandali, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës zgjidhi kontratën me bashkimin e operatorëve “DH Albania” & “Biba X” si dhe kallëzoi penalisht kompaninë në Prokurorinë e Tiranës. Ndërsa ARRSH njoftoi rishpalljen e procedurave garuese për lotin e parë të "Unazës së Madhe". Skandali i dy tenderëve solli shkarkimin e drejtorit të ARRSH, Afrim Qendro (Lexo këtu) dhe atij të OST, Klodian Gradeci (Lexo këtu). Të dy dëshmuan edhe në prokurori javën e kaluar, krahas edhe punonjësve të ARRSH-së dhe OST-së. Ata dhanë dëshmi lidhur me administrimin e dokumenteve nga komisioni i vlerësimit të tenderëve (Lexo këtu).
Për këtë çështje vetë Avdjol Dobi, përpara se të shpallej në kërkim, është thirrur në muajin dhjetor 2018 në ambientet e ARRSH, ku gjatë një takimi me krerët e këtij institucioni, Dobi ka dalë garant dhe ka siguruar se dokumentet e përdorura për fitimin e tenderit janë origjinale. Dobi ka pohuar gjithashtu se nëse nuk vërtetohet në vazhdim se dokumentet janë origjinale, ishte i gatshëm t’ia kalonte të gjithë shumën prej 1.8 milion euro të ngurtësuar në një llogari bankare, e cila rezulton të jetë fondi i garancisë, që kompania “DH-Albania” ka ngurtësuar për këtë projekt.
Mirëpo, që nga shpallja në kërkim, pas mbërritjes së përgjigjes zyrtare nga autoritetet amerikane për falsifikimin e dokumenteve, Avdjol Dobi dyshohet se është arratisur jashtë vendit, edhe pse nuk figuron i regjistruar në sistemin TIMS.