Skandali me zgjedhjet në futboll, debati në Report Tv! Kandidatët e përjashtuar: FSHF falsifikoi firmat, Duka kërkon të fitojë me çdo kusht! Shyti: Po i përdor shoqatat për qëllime të mbrapshta

Shoqatat rajonale të futbollit në Shqipëri për herë të parë do kenë një ndikim të madh në zgjedhjet për president të FSHF-së këtë vit, pasi me ndryshimet statutore nga 8 vota që kishin në vitin 2018 këtë herë do kenë 26 vota, 55 që votojnë gjithsej në Asamblenë e FSHF-së. Në këto kushte, duke qenë se tani po zhvillohen zgjedhjet në shoqata, ka patur disa anomali të jashtëzakonshme. Diferencime të kandidatëve mes atyre që mbështeten nga FSHF dhe të tjerët që kandidojnë të lirë. Një prej këtyre rasteve ka ndodhur në Fier, ku kandidati që nuk mbështet nga FSHF Elidon Demiraj, është lënë jashtë zgjedhjeve me një rreng të përfaqësuesve të federatës. Për Report TV Demiraj thotë anëtarëve të shoqatës rajonale të Fierit i është falsifikuar firma. Sipas Demirajt anëtarët kanë menduar se kanë firmisoru për të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa në fund u është komunikuar se kanë zgjedhur kandidatët. Për të marrë pjesë në zgjedhjet e një shoqate rajonale duhen që tre anëtarë të të propozojnë.

“Nuk mund të garoj dot. Kam gjithë karrierës time që jam trajner dhe duke i njohur të gjithë mendova që shoqatat kishin dëshirë të merrja pjesë në këto zgjedhje. Kam parë gjatë gjithë kësaj periudhe një tendencë, një klimë shumë të acaruar, e tendosur dhe aspak e hapur për të gjithë ata që kanë dashur të kandidojnë. Kam kontaktuar me 70% të anëtarëve dhe shumica e tyre nuk kanë ditur se çfarë kanë firmosur dhe në fund u kanë thënë se keni pranuar kandidatin tjetër. Kjo nuk është ‘fair-play’, është tendecioze. Ata kanë firmosur për të marrë pjesë, ndërsa më pas është transforuar firma duke i thënë se keni zgjedhur kandidatin e preferuar. Unë do kisha proprozim nga 13-14 shoqata, por kanë qenë lojrat e tyre për më shumë se 1 muaj në fshehtësi, në errësirë që më nxorrën jashtë zgjedhjeve për shoqatën e Fierit. Federata me drejtuesit i kanë bërë këto, përfaqësuesit e tyre në Fier. Është diçka shumë e ulët”, tha Elidon Demiraj, trajner futbolli. 

Ish-zëvendës ministri i sportit dhe analisti sportiv Artan Shyti thotë se problem thelbësor është në ndryshimet statutore që i dhanë shoqatave kaq shumë rëndësi. Për ‘Report TV’ Shyti sqaron se anëtarët që votuan ndryshimet, duke përfshirë klubet e futbollit, kanë bërë një gabim shumë të madh, madje edhe moral. Për më tepër sipas Shytit probleme do të ketë përsa kohë nuk ka një arbitër që kujdeset për ato që po ndodh me shoqatat.

“Çdo proces zgjedhor në Shqipëri është më shumë se proçedurë, për të përdorur formalisht demokracinë. Problem është se shoqatat po aktivizohen para zgjedhjeve. Këto shoqata kanë 26 vota në zgjedhje. Këto problematika duhet të ishin zgjidhur kohë më para, para asamblesë. Problemi është se Tirana ka një votë dhe Vora një votë, por përse shoqatat e Tiranës përshembull ka 8 vota? Shoqatat po kthehen në mjet për qëllime të mbrapshta. Monitoruesi është problem në këtë rast. Kush është personi që kujdeset për këto procedura. Nëse nuk ka një arbitër, që vendos se është cënuar demokracia, ka gjithmonë kontestime. Nuk mund të bëhen këto probleme një muaj para asamblesë. Nëse nuk u jep mundësi të gjithëve të kandidojnë nuk është normale. Përshembull në disa shoqata ka COVID, ndërsa në disa të tjera nuk ka. Pse është kaq i madh ky hall?”, tha Shyti. 

Konkretisht për ndryshimet në statut Shyti u shpreh:

“Nëse klubet pranojnë këtë lloj trajtimi, nëse klubi Tirana pranon të ketë një votë dhe ngre dorën për të votuar ndryshimet kjo merr fund. Nëse nuk ka fuqi pjesa profesioniste në këtë çështje atëherë nuk ka zgjedhje sepse demokracia nuk vjen nga poshtë. Këto statute që kanë shkuar në gjykatë duhet të ishin shqyrtuar. Nuk është normale që kategoria e parë të ketë 16 vota dhe Superliga të ketë 10 vota. Ka deformim, por derisa kanë ngritur dorën klubet problemi është moral pastaj. Në sport morali është një problem të madh.”

Në shoqatën rajonale të Shkodrës ndodhi një nga çudirat më të mëdha. Zgjedhjet për kryetar u anuluan me preteksin e COVID-it, në një kohë kur FSHF lejon të luhen ndeshje me stadium plot ose në një kohë kur në shoqatat e tjera siç është ajo e Durrësit u kryen zgjedhjet.

Kandidati që nuk mbështet nga FSHF në këtë shoqatë rajonale është Kujtim Shaba, i cili thotë se pavarësisht se është propozuar nga 3 anëtarë ende nuk është konfirmuar nëse do marrë pjesë në zgjedhje. Për Report TV ai është shprehur:

“Mua zyrtarisht askush s’më ka njoftuar nëse jam kandidat në Shkodër, por unë kam ndjekur procedurat dhe janë bërë 3 anëtarë që më kanë propozuar. Kam kërkuar te zyra në Shkodër, por edhe nga FSHF që të njoftohem nëse jam kandidat. Nëse jam të më jepet e drejta që unë të bëjë fushatën dhe të komunikoj me njerëzit. Presidenti i kësaj shoqate, shkoj e takoj dhe më thotë unë nuk votoj më. Shkoj te Zmijani e njëjta situatë. Jan shtyrë zgjedhjet dhe mu s’më ka njoftuar askush. Pyes nëse janë me COVID të gjithë më thonë nuk jam. Ne jemi për të shërbyer për futbollin. Nëse Duka merr edhe shoqatat pa kandidat …”

Elidon Demiraj, trajneri i futbollit që tentoi për shoqatën në Fier dhe që nuk u lejua nga FSHF, thotë se kjo situatë nuk i shkon për shtat futbollit, ndërsa akuzon drejtpërdrejt Armand Dukën.

“Është për të ardhur keq. I kam ndjekur nga mediat zhvillimet dhe më vjen shumë keq që është kjo klimë, kjo situatë. Ne jemi njerëz të sportit dhe jemi mësuar që të jemi të hapur, ti zgjidhim gjërat me komunikim. Si mund të jenë gjërat të paravendosura. Zëri i futbollit sot nuk dëgjohet, edhe shoqatat nuk i dëgjon njeri. Janë zgjedhjet dhe nuk dimë as datën. Patjetër që bëhen për tjetërsimin e votave për president të FSHF-së. Nuk na është dhënë një listë me kandidatët. Këtu duhet të kemi akses të gjithë. Ideja është se gjithçka bëhet për një lojë më të madhe siç janë zgjedhjet për president në FSHF”, tha Demiraj.

Në fund Artan Shyti shpjegon se të tilla problematika Shqipëria has në çdo process zgjedhor.

“Të nisesh për të bërë mirë dhe të përfundosh në këtë gjendje nuk e shoh vetëm si problematikë të futbollit, por si një pafatësi tonë si shoqëri për t’u bërë demokratik. Nuk i japim dot përparësi meritës dhe nuk dimë të zgjedhim. Nuk zgjedhim dot asgjë. As në parti, as në federatë, askund. Demokracia nuk vjen as në vende ku impjenimi është vullnetar më pas pastaj s’ka diskutim. Demokracia përdoret si mjet dhe jo si qëllim. Nuk ka sisteme monitorime. I lihet njerzëve të bëjnë çfarë duan ata”, u shpreh Artan Shyti, i cili ka mbajtur edhe pozicionin e ish-zëvendësministrit të Sportit. 

Zgjedhjet për president të FSHF-së pritet të zhvillohen në fund të shkurtit, pasi fillimisht do të mblidhet asambleja në janar që do të vendosë më pas edhe datën e saktë. Ndërkohë deri më tani, përveç Armand Dukës i cili si në asnjë vend tjetër të Europës kërkon mandatin e gjashtë, në garë është edhe gazetari Dritan Shakohoxha.

 

 

Ne.k./AV/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb