Ndërkohë që roja i thoshte hapur se kishte marrë urdhër nga lart për të mos e lejuar të hynte, drejtori i Parkut shpjegoi se gazetari “e kishte vizituar një herë Butrintin dhe, për të hyrë për herë të dytë, kërkohet leje nga ministrja e Kulturës”. Një përgjigje, që tejkalon çdo cak të qesharakes dhe të cilën as zyrtarët më injorantë të Sigurimit komunist nuk mund ta shpiknin për të justifikuar abuzimet e tyre.
Por frika, në të cilën duket se është gremisur Kumbaro dhe që e shtyn tani në këto vendime histerike dhe jologjike, nuk ka filluar sot. Tri ditë më parë, ministrja gënjeu publikisht duke pohuar se, për punimet në Butrint, ministria ishte konsultuar “100 për qind” me UNESCO-n, ndërkohë që drejtoresha e përgjithshme e Trashëgimisë Kulturore e UNESCO-s, në një intervistë për Shqiptarja.com dhe Report TV, e përgënjeshtroi: “U informuam për punimet vetëm në fund të javës së shkuar nga ato që raportuan mediat dhe të hënën, më datë 9 tetor, i kërkuam ministrisë shpjegime më të hollësishme”, deklaroi ajo. Si reagim pas kesaj deklarate Ministria e Kultures i ngjan një bunkeri hermetik informacioni duke ndaluar cdo drejtues në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore të prononcohen për mediat.
Reagimet pa mend të Mirela Kumbaros ngjallën edhe vëmendjen e opozitës dhe kështu Komisioni i Medias i Kuvendit thirri Mirela Kumbaron për t’i kërkuar shpjegime lidhur me punimet në Butrint, ndërkohë që sot – e goditur dukshëm nga përshkallëzimi i agresivitetit të ministres – ajo thirri gazetarët, duke bërë një deklaratë të fortë politike. Edhe Shoqata e Gazetarëve reagoi dhe, me shumë gjasa, rasti i Butrintit do të zejë vend edhe në seancën e së enjtes në Parlament, duke i ofruar opozitës material të ri për të sulmuar qeverinë.
Të shkosh deri aty sa të vendosësh censurë duke u ndaluar gazetarëve të hyjnë në një muze publik, kjo tejkalon çdo lloj imagjinate. Është një reagim aq i ekzagjeruar ndaj çështjes në fjalë, sa që të shkon mendja të pyesësh veten se çfarë fsheh paniku që po e bën Mirela Kumbaron të humbasë kontrollin mbi reagimet e saj. Hipotezat janë dy: ose ngjarja e Butrintit fsheh një sekret edhe më të rëndë, që Kumbaro ka frikë se mos dalë në dritë; ose mungesa absolute e përvojës së saj në politikë e ka bindur se merita e timonit unik i takon asaj e kështu tani ka të drejtën të abuzojë me të si të dojë.
Si në njerin, ashtu dhe në tjetrin rast, sjellja e saj arrogante dhe e papërgjegjshme rrezikon të godasë imazhin evropian, në radhë të parë të Edi Ramës, i cili deri tani i ka dhënë asaj besim edhe në këtë mandat të dytë. Të gënjesh publikisht dhe të censurosh mediat në mënyrë kaq flagrante, janë gjeste që kanë një peshë politike të tillë, sa të kapërcejnë përgjegjësitë e një ministri të vetëm, sidomos në momentin kur vendi ndodhet në sytë e vëzhguesve evropianë. Në rast se Mirela Kumbaro, në më pak se një muaj nga mandati i saj i dytë, humbet kontrollin për kaq pak gjë, ajo kthehet në një minë lëvizëse, që do të vejë në rrezik edhe në të ardhmen imazhin e gjithë Ekzekutivit.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com












