Thellohet skandali për ndërtimin në Parkun Arkeologjik të Butrintit në Sarandë. Drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani pohon se leja për ndërtimin në Butrint është dhënë nga ky institucion.

Dollani: Po, dhamë leje, s’ka gjë të çuditshme

Ajo nuk pranon të japë një intervistë të zgjeruar, por e telefonuar nga Report TV ka pohuar se "Leja është dhënë, dhe behet fjalë për rikonstruktimin e një ndërtimi të mëparshëm dhe që pastaj është rehabilitimi i një strukture ekzistuese që edhe më parë është përdorur për këtë qëllim. Nuk ka asnjë gjë të çuditshme” shprehet Arta Dollani.

Ndërtimi në Parkun Arkeologjik të Butrintit po bëhet pranë një muri prehistorik, i cili daton në shekullin e 7-8 para Krishtit. Shqiptarja.com ka mësuar se në brendësi të zonës së mbrojtur po ndërtohet një bar-kafe për qëllime biznesi.

Objekti po ndërtohet në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. I pyetur nga Shqiptarja.com, Drejtori i Parkut Arkeologjik, Gjergji Mano bën të ditur se leja për ndërtimin brenda zonës së mbrojtur është dhënë nga Ministria e Kulturës.
 
Ndërsa firma që ka fituar tenderin për ndërtimin e këtij objekti është Hako sh.p.k. Sipas UNESCO brenda parkut arkeologjik nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, përveç punimeve për mirëmbajtje dhe restaurim. 

[gallery]24110[/gallery]
dy.b/shqiptarja.com