Specialisti i arkeologjisë dhe restaurimit të monumenteve Gjergj Frashëri, i ftuar në Report TV ka komentuar ndërtimin brenda zonës së mbrojtur në Parkun të Butrintit.
Ndërtimi po bëhet  pranë një muri prehistorik, i cili daton në shekullin e 7-8 para Krishtit.

Në Parkun Kombëtar të Butrintit ka nisur ndërtimi i një lokali, ndërsa Report TV dhe Shqiptarja.com kanë denoncuar rastin e ndërtimit brenda parkut.

Ministria e Kulturës ka  thënë se ndërtimi në këtë zonë është  i përkohshëm, ndërsa për  specialisti Frashëri kjo është një situatë e rëndë që po ndodh me monumentet.

Gjergj Frashëri e ka quajtur absurde këtë veprim brenda mjediseve të parkut duke sjellë në vëmendje se ligjet e UNESCO-s parashikojnë qartësisht se nuk lejohet asnjë ndërtim i ri në zonat e mbrojtura.

Ndër të tjera Frashëri ka theksuar se po shkojmë në një rrugë pa krye, ndërsa vijojnë të bëhen projekte qesharake nga Ministria e Kulturës në kuadër të restaurimeve.

Intervista e Gjergj Frashërit në  Report TV:
“Nëse bëhen ndërhyrje të reja brenda parkut, për qëllimet që janë jashtë rolit që ka parku, domethënë jashtë funksionit që kanë rrënojat e tij dhe objektet muzeale të tij. Të gjitha këto janë të palejueshme.Agjencia e shërbimit arkeologjik me sa u njoftova para një gjysëm ore nuk ka nxjerrë ndonjë njoftim për ndërhyrje arkeologjike për të krijuar kishte për të bërë ndonjë ndërtesë të re” thotë specialisti i restaurimeve Frashëri.

Ndërsa vijon më tej duke shpjeguar se si procedohet me monumentet e mbrojtura në vendet e Evropës:

“Ne jemi duke ecur ne një rrugë pa krye në çështjen e ruajtjes së monumenteve. Monumentet, parku arkeologjik është një monument i vetëm, ai ruhet nëpërmjet mirëmbajtjes dhe nëpërmjet konservimit, mbrohet nëpërmjet atyre gjerave që ka nevojë të mbrohet, ekosistencës dokumentare që ka nëpërmjet procesit të restaurimit.Edhe Kalaje e Petrelës është bërë qofteri brenda kullave monumentale. Të gjitha këto në Shqipëri përjetohen se janë gjëra normale. Sepse për hirë të biznesit, se çfarë kuptohet biznes. Monumentet e kulturës, po të shikosh parqet në vendet e  kulturuara në vendet e Evropës nuk kanë asnjë lloj kafeneje brenda, nuk kanë asnjë lloj ndërtimesh multifunksionale".

 Ai i shikon si absurde dhe qesharake veprimet e Ministrisë së Kulturës për atë që po ndodh në ambientet dhe zonat e mbrojtura  dhe të shpallura si parqe kombëtare dhe me vëmëndje të plotë nga UNESCO:

“ Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve po bën projekte  restaurimi të cilat janë shumë qesharake. Butrinti është një park, i cili është vendosur dhe nga UNESCO që të ruhet ashtu siç është. Mund të bëhën kërkime arkeologjike për qëllime të caktuara dhe menjëherë duhet bërë konservimet ose restaurimet dhe nuk lejohet të ndërtosh aty ndërtesa multifunksionale.Kryeministri tani po flet për Skënderbeun, që vitin tjetër do bëjmë shumë gjëra. Kjo është shumë gjë e madhe, tani i vetmi dokument që kemi nga Skëndërbeut, skemi as armët as veshjet, as kockat e Skënderbeut. E vetmja gjë që kemi është kalaja e Krujës, tani me atë kala do të prezantohemi ne , aty shkohet  me makinë dhe shkohet ne restorant. Çdo ditë bëhen vendime absurde. Tregon se njerëzit do shkojnë të bëjën nevojat personale në majë të monumentit.Nevojat personale nuk kryhen brenda në monument,këto janë interesa private të njerëzve që mendojnë që t’a pushtojë edhe këtë parkun dhe t’a  fus në xhep dhe t’a kem dhe për 40-50 vjet. Ministri e Kulturës ka vënë në program nëpërmjet kulturës ne do shkojmë në Evropë, ministria ka nevojë për kulturë të ligjeve.Këto janë të gjitha shkelje të ligjeve. Unë vetë jam përplasur me Ministrinë e Kulturës  në 5 çështje gjyqësore   brenda 2 vitesh, më vjen keq që edhe i kam fituar. UNESCO i ka ligjet e veçanta dhe nuk lejon të ndërtohet brenda monumenteve asnjë ndërtim i ri” ka përfunduar specialisti i restaurimit të monumenteve  Gjergj Frashëri .