Vazhdojnë punimet në parkun arkeologjik të Butrintit. Edhe pse ministria e Kulturës deklaroi një ditë më parë se nuk bëhet fjalë për ndërtim të përhershëm por për një strukturë të përkohëshme, edhe sot punëtorët kanë vijuar punën me hekur, tulla e beton.

Edhe në pamjet e siguruara nga gazetarët e Report TV ditën e sotme duket qartë që godina që po ndërtohet nuk është e përkohëshme.

Report Tv ka zbardhur sot edhe dy vendimet e Ministrisë së Kulturës që i kanë hapur rrugë këtij ndërtimi.

Dy lejet e dhëna brenda një kohe rekord prej 13 ditësh mbajnë firmën e ministres Mirela Kumbaro. 

Vendimi i parë, i datës 12 maj 2017 me firmë të ministres Kumbaro dhe Arta Dollanit në cilësinë e Sekretares së Këshillit Kombëtar të Restaurimeve është leja e dhënë për rehabilitimin dhe ndërtimin e pikave të shërbimit në qytetin antik të Butrintit, që sipas këtij vendimi është bazuar në projektin e diskutuar në Këshillin Shkencor të Monumenteve të Kulturës.

13 ditë më vonë Ministrja Kumbaro, në cilësinë e Këshilit Kombëtar të Arkeologjisë me një vendim qarkullues i ka hapur dritën jeshile zbatimit të këtij projekti.

Por në të dyja vendimet nuk ka asnjë detaj në lidhje me projektin, qendrën apo mënyrën se si do ndërtohet apo funksionojë. Gjithashtu ka dyshime nëse është dhënë leja apo nëse ka pasur konsultime me institucione përgjegjëse për këtë park arkeologjik.

Por në lidhje me këtë skandal, një ditë më parë, Ministria e Kulturës mohon të ketë punime për ngritjen e një objekti.

Sipas ministrisë nuk po ndërtohet asnjë godinë e re në Parkun Kombëtar të Butrintit por ëshë duke u kryer përshtatja e ambienteve ekzistuese me struktura të përkohshme dhe në përputhje me të gjithë parametrat e parashikuara nga konventat e UNESCO.

Nga pamjet e servirura edhe sot nga Report Tv dhe pas konsultimeve me ekspertë të fushës, materialet dhe konstruksionet e përdorura në këtë projekt nuk janë ato me të cilat mund të ndërtohet një objekt i përkohshëm, madje për punime të tilla duhen edhe leje ndertimi edhe nga institucionet vendore dhe nga ministria e mjedisit.
 




ministria per butrintin
(Vendimi i Ministrisë së Kulturës për projektin)

ministria per butrintin
(Shkresa e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë)

ministria per butrintin
(Reagimi i Ministrisë së Kulturës pas denoncimit nëReport Tv)

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com