Skandali në UKT si me Tatimet?
Prokuroria hetim mbifaturimit

Në një komunikim për mediat, Drejtoria e Ujësjellësit e quan të papërfillshëm totalin e mbifaturimeve për buxhetin e UKT, por duket se harron se sa ky abuzim rëndon mbi buxhetin e familjeve.

“UKT-ja Tiranë deklaron me përgjegjësi të plotë se matjet nga faturuesit janë në rregull, por mbifaturimi është bërë në sistemin e vjetër informatik të ndërmarrjes, nga jashtë, nga persona që kanë mundësi të ndërhyjnë dhe të manipulojnë shifrat," thuhet në njoftimin  e UKT.

Sipas UKT-së, në lekë sasia e ujit të mbifaturuar zë vetëm 4 milionë lekë, një shifër kjo e cilësuar e papërfillshme në shifrën afariste mujore të ndërmarrjes. Kjo shifër zë vetëm 1 për qind të të ardhurave të UKT.  Nga verifikimet e bëra UKT pretendon se janë prekur gjithsej 1020 klientë me mbifaturime nga 202 mijë klientë të ndërmarrjes, dhe fenomeni ka ndodhur vetëm në zonën  e lagjes Kombinat dhe në rrugën e Kavajës. 

Çuditërisht sipas UKT, subjektet që janë mbifaturuar kryesisht janë farmaci, dyqane rrobash dhe zyra hipotekash, por nuk kuptohet atëherë si mund të arrijnë në numrin 1020 klient të prekur, ndërkohë që ne protesta janë shfaqur kryesisht familjarë të thjeshtë që denoncojnë abuzimet me mbifaturimet e ujit .

"UKT-ja Tiranë gjykon se veprimi, përveçse një gabim i mundshëm njerëzor, është një akt i qëllimshëm sabotimi, i kryer për të nxirë imazhin e ndërmarrjes që po përpiqet të reformohet, duke përmirësuar shërbimin dhe cilësinë. Synimi i ndërhyrjes së qëllimshme mund të ketë prapavijë politike, ose mund te jete kryer për të goditur ekipin e ri drejtues të ndërmarrjes dhe për hakmarrje ndaj reformës së kryer në UKT-në Tiranë”

UKT-ja Tiranë siguron abonentët e prekur nga mbifaturimet se ato do të zerohen dhe do të njihen vetëm faturat reale që kanë bërë faturistët në terren. Të gjithë këta klientë do të paguajnë vetëm faturën sipas konsumit real.

Por justifikimi i paraqitur nga UKT vetëm pas protestës publike, zbulon që në fakt jo vetëm ndërmarrja publike nuk ka bërë asnjë kontroll parandalues për të shmangur abuzimet në kurriz të qytetarëve, por sidomos, adopton një sistem faturimi që nëse është e vërtetë që mund të sabotohet nga jashtë duke shtuar në mënyrë artificiale vlerën e faturave, atëherë, mund të sabotohet edhe për ta ulur artificialisht vlerën e faturimeve të tjera, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë vjedhjeve masive.

Një mashtrim me përmasa shumë të mëdha, i ngjashëm me manipulimin e serverit të tatimeve dhe që kërkon urgjentisht një hetim nga ana e prokurorisë. 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati