Në përfundim të vitit kalendarik cdo institucion bën një skaner për të analizuar dështimet apo sukseset. Një analizë e tillë përfshinë edhe të gjitha kategoritë e sportit shqiptar duke filluar nga futbolli edhe deri te xhudoja, sport i cili këtë vit ka krijuar federatën. Ky vit kalendarik ka qenë i mbushur me shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare për sportin shqiptar duke filluar nga Lojërat Olimpike Londër 2012, eleminatoret e Kampionatit Botëror, Brazil 2014 dhe deri te raporti i trukimeve i publikuar pak kohë më parë.

Olimpiada

Lojërat Olimpike të zhvilluara në Londër ishin padyshim eventi më i rëndësishëm i vitit 2012. Shqipëria, ashtu sikur edhe të gjitha përfaqësueset e tjera ishte përgatitur për një garë dinjitoze të mbushur me shumë objektiva. Por fillimi nuk aspak i mirë, fillimisht përjashtohet Erkand Qerimaj, pasi rezultoi me doping e më pas edhe Luiza Gega, për shkak të gabimit të federatës. Gabimi i Gegës i hap rrugën për pjesëmarrje Klodiana Shalës, me ftesë. Problemet nuk kanë të mbaruar, Hysen Pulaku rezulton pozitiv në Londër. Sytë për medalje ishin te Majlinda Kelmendi dhe Romela Begaj, por fati nuk ishte me ne, Kelmendi dështoi duke u eleminuar në raundin e dytë. Të njëjtin fat kishte dhe Begaj që përfundoi e 11-ta në botë. Këtu mori fund edhe ëndrra për medalje në 100 vjetorin e pavarësisë. Klodiana Shala ishte vetëm për turizëm në Londër. Një ditë para garës mjeku deklaroi se i ishte rikthyer një problem i vjetër duke e penalizuar. Pas përfundimit të garës filloi lufta e fortë për përgjegjësitë e dështimit midis KOKSH-FSHP. Esat Ademi fajësoi Viron Bezhanin për dështimin në Olimpiadë, ndërsa shumë personazhe, midis të cilëve edhe mjeku Lluka Heqimi fajësuan Esat Ademin si të keqen e këtij sporti. Sakaq, fakti që brenda një viti rezultuan katër sportistë me doping, Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes dënoi Shqipërinë me 2 vite nga të gjitha aktivitet, por në fund vendosi që pezullimi të ishte deri në fund të vitit 2012. Në fund drejtuesit e FSHP u ndryshuan dhe faji mbeti jetim, me pak fjalë Olimpiada ishte dështim për Shqipërinë.

Kombëtarja
Kombëtarja e futbollit ka shënuar një arritje të konsiderueshme këtë vit kalendarik. Kuqezinjtë e nisën shumë mirë kompeticionin duke fituar ndeshjen e parë eleminatore me Qipron, por humbën në Zvicër në një ndeshje që linte për të dëshiruar, ku na mundën shqiptarët e Zvicrës. Në dy ndeshjet e zhvilluara në Shqipëri përballë Islandës dhe Sllovenisë morëm vetëm 3 pikë nga 6 që ishte objektivi. Përballë Islandës humbën 0-1 në një fushë që u kthye në moçal, ndërsa me Slloveninë rikthejmë shpresat për kualifikim duke fituar. Pas 4 ndeshjeve renditemi në vendin e tretë në grup me 6 pikë, ndërsa në renditjen e FIFA-s e mbyllim të 63-ët.

Trukimet

Raporti i kompanisë Sport Radar tronditi futbollin shqiptar. Në këtë raport Shqipëria zinte vendin e parë në botë për trukimet e ndeshjeve me 97 të tilla në vetëm 2 vite. FSHF reagoi duke ja hedhur përgjegjësinë Komisionit të Etikës, ndërsa ky i fundit nuk ka marrë asnjë masë duke heshtur përballë fakteve që janë paraqitur. Presidenti Duka mjaftohet me faktin që ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por global.

In Memorian
2012 ka qenë viti i lamtumirës për disa figura të futbollit shqiptar. Trajneri i njohur shqiptar Medin Zhega u largua nga jeta pas një sëmundje të gjatë. Rigers Pjetrushi arbitri i kolegjiumit të Lezhës humbi jetën në një aksident tragjik gjatë kthimit nga Gjirokastra pas gjykimit të një ndeshje. Ndërsa Ilirjan Thaçi, futbollisti i ekipit të Kukësit pësoi një atak kardiak në fushë gjatë një ndeshje miqësore duke humbur jetën.


Dylber Balla